SHBA, 24 qershor, NOA - Komandanti i forcave të NATO-s dhe trupave amerikane në Afganistan thotë se afati që presidenti Obama ka parashtruar për tërheqjen e forcave amerikane nga Afganistani është më “agresiv” se propozimi i tij dhe kolegëve të tij ushtarakë, por gjithsesi ky afat mund të përmbushet pa krijuar rreziqe për objektivat amerikane.
Gjenerali David Petreas, i propozuar nga Obama për postin e drejtorit të ardhshëm të CIA-s, i bëri komentet gjatë ceremonisë për konfirmimin e kandidaturës së tij në Kongres. Anëtarët e Komisionit të Senatit për Shërbimet e Zbulimit menjëherë u përqendruan gjatë seancës së djeshme në çështjet ushtarake, një ditë pasi presidenti Obama njoftoi një tërheqje graduale të forcave amerikane në Afganistan. Senatorët u treguan të zellshëm të mësonin qëndrimin e ushtarakut që ishte në krye të trupave amerikane në Afganistan 18 muaj më parë, kur administrata realizoi një rritje të ndjeshme të pranisë ushtarake.
Gjenerali Petreas tha se Presidenti kishte zgjedhur rrugën e një tërheqjeje më të shpejtë se sa ajo që kishin sugjeruar ushtarakët, por shtoi se vendimi ishte në dorë të tij:
“Ky vendim i presidentit Obama është i kuptueshëm duke pasur parasysh rrethana të tjera përtej atyre që shqyrtojnë komandantët ushtarakë. Asnjëherë një komandant ushtarak në histori nuk ka pasur të gjitha forcat që ka dashur të ketë në dispozicion”.
Gjenerali tha se tranzicioni i përgjegjësive nga Shtetet e Bashkuara në duart e forcave afgane ka filluar në disa pjesë të vendit: “Ne po tërheqim rreth 33 mijë trupa amerikane në një periudhë 15 mujore. Gjatë kësaj periudhe, do të shtohen rreth 70 mijë forca afgane”.
Gjenerali Petreas u lavdërua nga senatorët e të dyja partive. Senatori i pavarur Xhozef Liberman nënvizoi se zoti Petreas ka pasur poste komande si në Afganistan edhe në Irak:
“Ai është me të vërtetë një hero amerikan i cili në dy raste të ndryshme është caktuar nga komandanti i përgjithshëm me detyrën e komandës në një përpjekje të vështirë lufte. Dy herë ai ka udhëhequr trupat tona nga nofullat e dështimit drejt rrugës së fitores”.
Nëse miratohet kandidatura e zotit Petreas, ai do të kalojë nga një komandë ushtarakë në një post civil në drejtim të një agjencie zbulimi. Historikisht, Pentagoni dhe agjencitë e zbulimit si CIA kanë bashkëpunuar ngushtë. Por analistët thonë se këto njësi të qeverisë federale kanë stile shumë të ndryshme pune, mentalitete shumë të ndryshme dhe mënyra funksionimi krejt të veçanta.
Senatorja demokrate Dajan Fajnstin shprehu bindjen se Petreas nuk do ta ketë të vështirë të realizojë një tranzicion të suksesshëm në CIA.
Vetë Gjenerali Petreas pohoi se pikëpamjet e tij për konfliktin aktual ishin formuar gjatë shërbimit ushtarak. Por ai u zotua se si drejtor i CIA-s, ai do të paraqiste gjithmonë qëndrimin dhe analizën e kësaj agjencie para presidentit.
Nëse konfirmohet kandidatura e zotit Petreas, ai do të pasojë drejtorin e mëparshëm Leon Paneta, i cili u miratua njëzëri nga Senati si Sekretari i ardhshëm i Mbrojtjes. Edhe zoti Petreas, ashtu si Leon Paneta, pritet të marrë një mbështetje të fortë në Senat për kandidaturën e tij.
NOA/VOA