English

Qumështi në diktaturë dhe PS-ja

Nga Andis Harasani

Ta tregosh në Shqipërinë e sotme ngjan si një histori absurde. Të paktën të rinjtë e brezit të viteve ‘90 e kanë shumë të vështirë ta kuptojnë. Por, e treguar në një restorant në Nju Xhersi, mijëra milje larg Shqipërisë, kjo histori bëhet edhe më komike në tragjizmin e saj. Diku, në një qytet të vogël, ashtu si në të gjithë Shqipërinë, e shoqja e një mikut tim, ashtu si të gjithë shqiptarët e tjerë, kishte qëndruar disa orë në radhë për të blerë qumësht. Dy litra. Domethënë dy shishe qumësht. Kur i kishte trokitur fati, pra i kishte ardhur radha, shitësja e bulmetit i thotë se i takonte të merrte vetëm një shishe. Arsyeja: i biri kishte mbushur 1 vjeç të djeshmen!!! Është e vështirë ta shpjegosh për të rinjtë e sotëm një gjë të tillë. Është e pamundur ta harrojnë prindërit e tyre që e kanë jetuar me dhembje atë absurd që sillte varfëria. Këtë histori ma tregoi në restorant vëllai i një biznesmeni shumë të njohur shqiptar, restorant në të cilin unë reagova si shqiptar kur pronari i restorantit, një kosovar i emigracionit të vjetër, duke përcjellë dy kliente të tij të moshuara nga lokali, u tha: “Mirë se të vini përsëri, bukuroshe!”. Në botën e bollëkut, ato dy gra ishin kliente dhe pronari i restorantit bëri thjesht PR, i mikloi që të vijnë sërish, i ftoi të rikthehen që të zgjedhin atë, dhe jo restorantin tjetër.

Një reklamë mbi cilësinë e qumështit në kohën e komunizmit do të ishte absurditet, sot “qumështi” i mirë shitet pothuaj kryesisht për shkak të reklamës. Në fakt, Tirana dhe gjithë Shqipëria ka ndryshuar shumë. Jashtëzakonisht shumë. Kanë ndryshuar raftet e dyqaneve, kanë ndryshuar kriteret morale të njerëzve, ka ndryshuar cilësia e jetës së tyre, pritshmëritë e shumë e shumë gjëra të tjera. Ka dhe diçka tjetër që ka ndryshuar si e shtuar rishtas, politika. Dje ishte sport ekstrem të “merreshe” me politikë, sot është sport i pamundur që të mos merresh me politikë. Dhe në këtë pikë ka diçka tjetër të pandryshueshme. Karriera në politikë varet direkt dhe kushtëzohet nga afërsia me “të madhin” dhe nga vullnetin i tij. Dje, meqë folëm për qumështin, një mjelëse bëhej anëtare e Byrosë Politike po të donte “i madhi”; sot, një i papunë, pa diplomë, mund të bëhet deputet po të dojë “i madhi”. Kështu ka qenë, kështu duket se do të jetë edhe për shumë kohë. Kështu ka qenë, ndoshta, dhe te PD-ja historikisht, kështu po bëhet rregull dhe jo përjashtim edhe në partinë time.

Një javë më parë, Kushtetuesja i hoqi mandatin kolegut të partisë sime, deputetit Ilir Beqja. Kemi qenë të gjithë në seancën kur PD kërkoi që çështja e tij të votohej për të shkuar në gjykatë. E gjithë Partia Socialiste u bë gardh për të mos e lejuar një gjë të tillë. Na mundën me shifra dhe me një fitore të dyshimtë. Gjashtë-shtatë muaj në gjykatë dhe, më në fund, u vendos që Beqja duhet të lërë mandatin. Dhe nga e enjtja e shkuar, kur ndodhi një gjë të tillë, askush nga partia ime nuk tha asnjë fjalë për të. Nuk u bë asnjë konferencë shtypi ku të denoncohej ky veprim. U bë dhe një asamble e partisë, ku foli edhe kryetari i radhës, Rama, por as ai nuk gjeti kohë ta përmendte mikun Beqja, duke harruar ç’kishim bërë si parti që nga Zogu i Zi e deri për mandatin e tij. I vetmi që foli ishte kolegu Fatmir Xhafaj disa ditë më pas. Unë ndodhesha larg, në SHBA, por në këtë rast m’u duk njëlloj sikur isha në Tiranë. Njëlloj sikur lexova në mendjen e shumicës dërrmuese të kolegëve të mi që fshehtazi u gëzuan. Sepse me largimin e Beqjes u hap një vend. U lirua një radhë. Si në radhën e dikurshme të qumështit. Dikujt i ndodhi një fatkeqësi, dikush tjetër ka një shans më shumë për të hyrë në radhë dhe për të marrë pak qumësht nga pushteti. E njëjta gjë, jam i bindur se ndodh dhe në PD, por mua më dhemb shtëpia ime politike. Tani PS po ia kalon me hapa të shpejtë PD. Në PS është bërë mbizotëruese filozofia e të qëndruarit sa më pranë kryetarit të radhës. Nëse do që të jesh në listë dhe në vend të mirë për deputet, duhet të jesh pranë kryetarit; nëse do që të japësh konferenca shtypi nga selia e PS-së, duhet të jesh pranë kryetarit; nëse do që të jesh i ftuar në debatet televizive, duhet të jesh pranë kryetarit, ndryshe përfundon në listat e zeza që u dërgohen TV-ve mike, ku përfshihen emrat e deputetëve të PS-së, të cilët nuk duhen ftuar. Dhe një listë të tillë para disa kohësh e kam parë vetë me sy. Shkurt, nëse do të doje një histori vetjake suksesi në politikë, duhet të jesh pranë kryetarit, i cili, si shitëset e dikurshme të qumështit, mund të të afrojë litrin e lëngut edhe pa radhë. Madje, tani është bërë rregull që qumështi nga partitë merret dhe jepet fare pa radhë. Në këtë kuptim, shumica e kolegëve të mi të PS-së, ndryshe mendojnë, ndryshe flasin, ndryshe flasin në publik dhe ndryshe flasin në kafene. Tek ta ka mbizotëruar filozofia e kryetarit që mendon se sa kohë ta mbajë trëndafilin në grusht, ka gjithmonë një shans për të ardhur në pushtet, dhe ndaj e shtrëngon aq fort e harron çdo gjë tjetër. Ndaj, ata dhe kryetari tani kërkojnë vetëm një gjë, që të jenë të parët në opozitë sepse pushteti do të vijë vetvetiu kur të lodhet Berisha nga pushteti. Nëse kjo nuk ndodh në 2013-n, mund të ndodhë në 2017-n ose 2021-shin, sepse zgjedhje do të ketë çdo katër vjet. Deri në fitoren e PS-së, e rëndësishme është vetëm që të mos i shkëputesh vështrimit të kryetarit, të jesh pranë tij, të jesh gjithmonë në radhë. Për këtë duhet që t’i thuash dakord për çdo gjë, ta konsiderohesh si të pazëvendësueshëm dhe t’i kërkosh të qëndrojë në krye të PS-së deri në fitore. Pastaj qumështi nuk do të mungojë. Pastaj mund të kesh shansin që të trajtohesh si zonjat e moshuara në Nju Xhersi, që pronari i lokalit i quajti bukuroshe. Mjafton që ato të vinin përsëri në restorantin e tij. Kështu hyn pa radhë dhe shërbehesh pa radhë. Mjafton ta kesh mirë me shitësen e bulmetit. Në këtë pikë, Shqipëria nuk ka ndryshuar. Dikur në PS ishte ndryshe, tani është bërë njëlloj si dyqani i qumështit në kohën e komunizmit. Qumështi është i ëmbël dhe politika në Shqipëri po kthehet në një dyqan bulmeti që i bëhet shumë reklamë.

Gazeta “Panorama”

KOMENTE
  • Alban Memushi11:16 - 24 Qershor 2011
    Me pelqen shume shkrimi i Harasanit, por ja qe ne PS ka nga ata qe mendojn e shkruajn ndryshe dhe jane prape deputet te PS . Une kam jetuar jasht dhe dihet ne c'do vend se duhet te shkoshe gjithmon me mendimet e kryetarit qe te jesh afer tij. E njejta gje ndodh dhe ne PS , por i kujtoj Harasanit ne PD s'mund te mendosh e te shkruash kunder se po te besh nje gje te tille do ndodhesh jo larg kryetarit por dhe larg PD ! Prandaj radhes se qumshtit i ngjan me shume PD se PS. Ose ne i perqasemi nje shoqerie radhe se mendoj se dhe Harasani me shkrimin e tij i perket nje radhe , po ku mban radhen nuk e dim!.