E premte, 24 qershor 2011, NOA- Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barack Obama nëpërmjet një deklarate është shprehur se gjendja e emergjencës në Ballkan do të shtyhet edhe një vit.
Në fjalën e dalë nga Shtëpia e Bardhë thuhet se akti për vijimin e kësaj gjendje është miratuar për shkak të kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare dhe interesave të jashtme politike të SHBA-së.
Më tej veçohet fakti se gjendja e emergjencës do të vijojë dhe se kjo situatë për Ballkanin Perëndimor është e tillë që prej vitit 2001.
Ndër të tjera shtohet se për shkak të aksioneve të këtyre personave të cilët janë kërcënim për paqen dhe përpjekjet ndërkombëtare për stabilizim të gjendjeve në Ballkan, presidenti Amerikan Barak Obama vendosi që të vazhdojë gjendja e emergjencës në Ballkan.
“Këto kërcënime vijnë nga persona të përfshirë në mbështetjen e dhunës ekstreme në Republikën e Maqedonisë si dhe në Ballkan dhe e pengon zbatimin e Marrëveshjes Paqësore të Ohrit, Marrëveshjes së Dejtonit në Bosnjë e Hercegovinë dhe Rezolutën 1244 në Kosovë”, theksohet në fjalën e Shtëpisë së Bardhë.
a.y/NOA