Presidenti amerikan, Barak Obama, publikoi planet për tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani, duke e zvogëluar numrin e tyre për 30 për qind, deri në fund të vitit 2012.
Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Andre de Nesnera, zhvilloi një intervistë me zotin Obama në Shtëpinë e Bardhë, në të cilën ai foli për planin e tërheqjes, pajtimin në Afganistan dhe rolin e Pakistanit në rajon. Presidenti Barak Obama dha një intervistë për Zërin e Amerikës mbi situatën e tanishme në Afganistan. Ai dha arsyet përse Shtetet e Bashkuara mund të fillojnë tërheqjen e trupave nga Afganistani. Presidenti Obama tha se situata atje po përmirësohet dhe se tërheqja do të fillojë muajin e ardhshëm. “Ne duam të tërheqim 10 mijë trupa deri në fund të këtij viti dhe 23 mijë të tjerë deri në fund të verës së vitit të ardhshëm”, tha Obama. Obama tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të kenë një prani të konsiderueshme ushtarake në Afganistan. Ai e kishte marrë vendimin për tërheqjen e trupave, pasi ishte konsultuar me krerët ushtarakë amerikanë dhe qeverinë afgane. “Një nga çështjet kryesore është që të gjejmë balancën e duhur. T’ua bëjmë me dije popullit afgan se ne duam të shohim një Afganistan sovran dhe të sigurt dhe ne mendojmë se sa më shumë përgjegjësi të kenë afganët, aq më mirë do të jetë për të gjithë”, shpjegoi Obama. Presidenti afgan Hamid Karzai muajt e fundit i kishte kritikuar Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj të NATO-s mbi mënyrën e trajtimit të luftës, dhe veçanërisht mbi viktimat civile. Por, presidenti Obama tha se zoti Karzai ka të njëjtat synime strategjike si Shtetet e Bashkuara. “Një qeveri sovrane dhe e sigurt afgane që është në gjendje të përcaktojë fatin e vet dhe që e sheh komunitetin ndërkombëtar, në përgjithësi, dhe Shtetet e Bashkuara, në veçanti, si një partner të fortë që mbështet aspiratat afgane”, theksoi Obama.
Presidenti Obama e pranoi se në Shtetet e Bashkuara ndihet një farë lodhjeje nga lufta. “Nuk ka dyshim se pas gati 10 vjetëve luftë në Afganistan, numri i viktimave dhe paratë e shpenzuara i kanë lodhur njerëzit”, tha Barak Obama. Por, presidenti tha se beson që populli amerikan do t’i dorëzojë Afganistanit një vend të sigurt që do të qëndrojë si i tillë. Ndërsa, për Pakistanin, presidenti Obama e pranoi se ka tensione mes Uashingtonit dhe Islamabadit, sidomos mbi operacionin e komandove që vranë kreun e Al-Kaidës Osama bin Laden: “Në përgjithësi, Pakistani ka bashkëpunuar me ne në përpjekjet e zbulimit për vënien në shënjestër të personave me interes. Nuk mendoj se ka vend që ka pasur më shumë sulme terroriste se Pakistani.” Por, zoti Obama tha, gjithashtu, se pakistanezët kanë përgjegjësinë dhe interes të zgjidhin çështjen e elementëve terroristë në territorin e tyre.