English

Skandal me Festivalin e 49-të të Fëmijëve në Shkodër

Nga Albana Çakshiri

Fëmijët në Shqipëri tashmë nuk mund të kenë më një festival të dedikuar tërësisht atyre. Dikush mund të thotë të kundërtën, madje të kujtojë dhe Festivalin Mbarëkombëtar që zhvillohet prej 49 edicionesh në Shkodër.

Unë sërish do ta hedh poshtë këtë argument. Në fakt gjithçka nis sërish nga ky festival që mbart vlerat e mëdha të muzikës për fëmijë dhe artit që e kanë filluar nga kjo skenë me dhjetëra këngëtarë të njohur shqiptarë. Por 2011 duket se ishte ndryshe. Në shumë pikëpamje.

Por ajo që ka qenë më e pazakonta e këtij festivali, padyshim ishte çmimi fitues i tij. Nuk dua të flas për vlerat kompozicionale të këngës. Teksti i saj fare mirë mund të këndohej në ndonjë eveniment tjetër muzikor dhe jo atë të fëmijëve.

Të paktën kësaj bote nuk i përkiste aspak. Një vajzë përfshihet padashur në vorbullën e thashethemeve të një dashurie që i kishte lindur një bashkëmoshatari për të. Kush është ai që i shkroi, kush është ai që po e dashuron?

Ky është shqetësimi i vajzës në një muzikë alegro që kërcehet e shoqëruar me mimikën në fytyrën vajzërore të një të madhi, të një vajze që pret të kuptojë se dashuron. Edhe pse dashuria mund të fillojë që në adoleshencë, ajo është shumë më tepër se një thashethem. Edhe pse mund të lindë ajo simpatia e ndërsjellë mes adoleshentëve që nuk janë fëmijë dhe që nuk ka pse të përfshihen tek festivali i fëmijëve, s’ka pse të përlyhet me tallje fjalësh.

Në subkoshiencën fëminore edhe pse mund të ketë grimca të elementëve dashurorë ato janë aq të pastra dhe aq të kristalta sa është turp që ti përlyesh duke i futur qoftë dhe në muzikë. Aq turbulluese ishte situata e çmimit të parë në Shkodër sa nuk mund të fiksoheshin në memorie as emri i autorit të tekstit i cili besoj se nuk e ka shkruar për fëmijë këtë këngë dhe natyrisht kompozitori që nuk mendoj se e ka kompozuar gjithashtu për fëmijë. Ndryshe duhet thënë se kemi të bëjmë me një handikap të rrezikshëm. Nuk di se si mund të ndalet kjo shprishje që po i bëhet botës fëminore apo kërcënimi që po merr muzika e kësaj grupmoshe. Artistët e vegjël në këngët e tyre flasin për ngjyrat e bukura të jetës, për ëndrrat, gjyshërit, prindërit, apo dhe për gjinkallat apo kafshët që ai duan aq shumë, ose dhe për qytetet, që jo shpesh herë janë të denjë për t’i patur këta fëmijë.

Porse të flitet për dashurinë mes një djali dhe një vajze me pasionin që i këndojnë të rriturit dhe të vlerësohet me çmimin e parë kjo përbën vërtet një skandal të madh. Organizatorët e këtij festivalit janë emra të njohur të artit shqiptar, teksa juria nuk dihej se nga çfarë kriteresh u nis për të përzgjedhur një këngë që gabimisht ka garuar në vendin e muzikës shqiptare për fëmijë duke e vlerësuar me çmimin e madh.

Nuk dihet pse ky skandal godet në këtë formë lodhjen dhe mundin e atyre dhjetëra njerëzve, që punojnë për të paktën tre muaj në Shkodër. Por askush nuk e gjen arsyen të kuptojnë se si fituesja e ardhur nga Kosova të nderohej për zërin e saj interesant, me një tekst që nuk dihet se si u lejua të ishte dhe pjesëmarrëse e thjeshtë në këtë Festival. Përgjegjësia duhet kërkuar dhe gjetur, ndërsa arti nuk ka se si të ndëshkohet në këtë formë gati të turpshme. Muzika sidomos ajo për fëmijë ka flladin dhe dlirësinë e vogëlushëve që startojnë rrugën e artit dhe të këngës, ndërsa këtë vit nga Shkodra organizatorët apo juria e festivalit ka dhënë një tjetër mesazh, për më tepër të çuditshëm. Askush nuk mund të kuptojë këtë cënim që i bëhet integritetit të fëmijëve të cilët ndonëse mund të kërcejnë nën ritmin e këngës, ata të gjykojnë madje fort. Por nuk mund të kuptohen as indiferenca që drejtuesit e aktivitetit në fjalë tregojnë kur shohin të perfomojnë në skenë, vajza të veshura me të zeza sikur të mos jetonin në vitet e bukura të fëmijërisë së tyre, duke larguar kolorin që mbart kjo moshë.

Ka shumë për të folur, por modeli i shoqërisë sonë që po injektohet tek fëmijët nuk është veçse modeli i shpërfytyruar i të rriturve që në muzikën shqiptare nuk flasin veçse për dashurinë, por për atë derivatin më të shëmtuar të saj.

Aq e shëmtuar duket kjo sa nuk mund të mendohej se në Festivalin Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë të mbyllur mbrëmjen e të enjtes në Shkodër, kënga fituese e titulluar “Fjalë vetëm fjalë” mund të përkthehet “Skandal, vetëm skandal”…

***

Evenimenti më i rëndësishëm i këngës për fëmijë, Festivali Mbarëkombëtar i Fëmijëve, nisi më 21 qershor 2011, për të 49-in vit me radhë në qytetin verior të Shkodrës. Pas disa etapave përgatitore, të nisura muaj më parë, festivali ka ardhur në fazën finale të përgatitjeve dhe ditën e nesërme pritet të startojë nata e parë e tij, në skenën e Teatrit Migjeni të Shkodrës. Gjatë një prononcimi për ATSH-në, Kujtim Alija, i cili që prej edicionit të 24-t është në rolin e drejtorit të festivalit, tha se gjatë netëve të këtij festivali interpretohen 34 këngë, ndërsa në natën finale do të shkojnë 22 interpretimet më të mira. Skenografia e festivalit i është besuar të mirënjohurit, Adnan Kastrati, ndërsa prezantues janë gazetarja Enkeleda Zeko dhe Dritan Siçetza. Ashtu si edhe gjatë viteve të fundit, juria e festivalit i është besuar grupit të fëmijëve të vegjël, pasi përvoja e katër viteve të mëparshme është vlerësuar si mjaft pozitive.

KOMENTE