Nga Bislim Aliu
S’do mend se Bekim Fehmiu është yni. Krejtësisht yni. Gjak i kuq yni. Edhe kur ishte i ri shpresonte se do të bëhej i madh. Dhe, me krenari u bë i madh. E dije këtë. Fare mirë e dije. Në zemër e kishte punën, krenarinë. E, me punë e arrite këtë krenari. U bëre krenar. Madhështor u bëre. Zot i vetvetes. I vetvetes dhe i kombit tënd. I shqiptarisë. I gjithë shqiptarisë. Të gjithë ta kishin lakminë. Por s’e thoshin. Besa edhe nuk e admironin. Nuk e mbështetnin atë madhështi. Atë heroizmin tënd. Krenar ishe dhe, këtë krenari e mbajte gjithmonë. Asnjëherë nuk hezitove të futeshe në një rang dhe në një ekip që s’e donin punën. Që s’e donin burrërinë. E, Ti ishe burrë i paepur. Burrë që përherë kërkoje madhështi, heroizëm dhe trimëri.
Fillimet që premtonin karrierë
Zaten, çdo njeri i ka fillimet e veta. Fillet me dëshirat më të flakta për zotim dhe ecje përpara. Ato fille që në fillim u vërejtën bukur. U vërejtën këndshëm. Fillove atje ku u rrite. Në Prizrenin piktoresk. Me lule dhe me dashuri të zjarrtë. Atje në shoqërinë e të mëdhenjve, në ”Agimi”. Nga ky mjedis dolën shumë artistë dhe krijues. Dolën shumë njerëz me aftësi. Dhe, ja edhe Ti në mesin e tyre shpejt shkëlqeve. Me talent dhe me punë shumë u ngazëlleve. Pate talent dhe e zhvillove atë. U mëshirove në atë talent që ta dha natyra. E gjithkujt nuk i jepet talenti. Talenti i jepet vetëm atij që e din se çka është talenti. Vetëm atij që i nevojitet dhe, besa, vetëm atij që e zhvillon talentin.
Me rolin e parë në shoqërinë ”Agimi” u venerove bukur. Të gjithë ata që ishin aty, deklaronin; ja Bekimi do të bëhet i madh. Bekimi ynë e ka udhën e hapur, për të arritur atje ku dëshiron. Atje, ku synon. Dhe, atje, ku e pret krenaria dhe madhështia.
Me zotësi dhe me këtë krenari e arrite këtë lavdi. Këtë autoritet dhe këtë mjeshtri të artistit të madh. U bëre i madh. Më i madhi u bëre. Në brendinë tënde ishte kjo krenari.
Nga babai yt, Ibrahimi e more këtë krenari. E zhvillove talentin me butësinë tënde skofiare. Në butësinë tënde ishte përherë njerëzorja. Ishte modestia. Dhe, kjo modesti të ndihmoi shumë. Ece përpara me këtë modesti dhe me këtë butësi.
Zaten, në këtë butësi, përherë u fsheh dendur edhe zemërgjerësia jote. Kjo zemërgjerësi, fillet i ka nga familja jote e madhe Fehmiu. Nga babai yt dhe mësuesi yt , i madhi Ibrahim Fehmiu.
Në Teatrin e Prishtinës, u zotove për ta zhvilluar talentin
Erdhe në Teatrin e Prishtinës me talent të dukshëm. U pa fare mirë. Ndoshta dikush në Teatër nuk e deshi. Apo u shtinë se të deshën. Ti i madhi Bekim, ju tregove qartas se ke talent të bollshëm dhe se këtë talent mendove ta zhvillosh me kolegët e tu në këtë teatër.
Këtu, zaten, disi të deshën. Por të deshën që të jesh pas tyre. Dhe, sigurisht, nuk të deshën të jesh mbi ta. Jo, jo, Ti e deshe realitetin dhe e deshe vendin ku e meritove. Por, jo nuk ta dhanë atë që e dëshirove.
Dëshirove që ta zhvillosh talentin dhe pas një viti në Teatrin e Prishtinës, u regjistrove në Akademinë për teatër në Beograd. U habitën ata. I pari shqiptar që regjistrohet në këtë Akademi. Ata e panë talentin tënd dhe ta hapën udhën për ta zhvilluar atë. Talent të rrallë që kishe.
Edhe gjatë shkollimit, paksa të injoruan, pse ishe shqiptar. Dhe, besa, shqiptar i vërtetë. U shkollove dhe ju tregove dendur, se shqiptari ka talent më tepër se studentët e tjerë. Ua kalove të gjithëve me talentin që kishe. Dhe, në fund u shpalle si studenti më i mirë i asaj gjenerate. Këtë e arrite me punë dhe me një angazhim të pashoq.
Shumë e deshe punën miku im Bekim. Me punë dhe me sakrificë të madhe e arrite atë që s’mund ta arrin gjithsecili.
Pastaj filluan angazhimet në filma. Në secilin film tregove talentin e rrallë prej artisti. Dhe, shkëlqeve në secilin film. U bëre i pari i Ballkanit dhe u rendite në mesin e më të mirëve në Evropë. Shkove edhe në Hollivud. Shkëlqeve gjithandej. Deshën që ta ndërrojnë emrin. Jo, unë jam shqiptar dhe emrin e kam Bekim Fehmiu. Emri i shqiptarit nuk ndërrohet. Dhe, kështu dua të mbetëm. Këmbëngulësia e jote vendosi ashtu. Dhe, mbeti ashtu. Ishe serioz në punë dhe serioz në jetë. Aferim të qoftë. Pra, i madhi Bekim dhe i madhi shqiptar Bekim Fehmiu.
Mbete yll në yllësinë e yllnajave
Ta njohën talentin e madh aty ku shkove. Aty ku veprove. E Ti veprove gjithandej dhe gjithkund tregove talent të rrallë dhe seriozitetin e madh në punë. E puna të bëri të madh dhe të lavdishëm. Edhe Kosova edhe Shqipëria ta njohën talentin. Dhe nuk u interesuan shumë për talentin tënd. Pate shumë dëshirë ta luash rolin e Skënderbeut ose ndonjë figurë të madhe historike dhe kombëtare. E nuk tu plotësua dëshira. E rolet e vogla nuk i deshe. Mbete pa ndonjë film shqiptar. E, besa jo me fajin tënd.
Andaj, borxh të mbetën: si Kosova, si Shqipëria. Vallë, pse ylli i yllësive mos të luajë ndonjë rol që e meriton! E të larguan nga kjo dëshirë e madhe që e kishe. Nga ky zotim i madh shpirtëror. Të lanë vetëm. Vetëm të lanë që të vuash shpirtërisht. Sa keq dhe sa padrejtësi.
E Ti vuajte për këtë Shqiptari. Për flamurin kuq e zi. Për flamurin Shkabë.
Ti ju dole borxhit; si Kosovës dhe si Shqipërisë. Atje kah shkove u valëvit emir yt shqiptar. Atje kah shkove u ndie era e jote shqip. Dhe, të patëm ambasadorin më të mirë të shqipes.
Ti ylli i yllësive, arrite atje lartë ku nuk mund të arrin secili. Andaj, arrite vetëm t’i me atë krenari. Ti mbreti i filmit, arrite më së larti. Të gjithë ta patën lakminë edhe pse nuk të deshën. Edhe pse nuk të ofruan ndonjë rol siç t’i pretendove.
Andaj, Ti përherë dhe gjithherë do të mbetesh yll. Yll i yllësive të zjarrta. Dhe yll i yllnajave të larta. Dhe do të shndrisësh si një meteor që rrezaton shumë. Që përherë bënë dritë. Ti asnjëherë dhe askurrë nuk do të shuhesh. Ti përherë do të mbetesh gjallë.
Emri yt u shkrua me germa të arta dhe këtë emër do ta mbajmë në gji. Si diellin do ta mbajmë në gji. Se Ti ishe shqiptar i ilirishtes dhe i Dardanisë. Se Ti ishe shqiptar i gjithë shqiptarisë. Do të shndrisësh, përherë do të shndrisësh.
Dhe, gjithherë dua të kem pranë që të më rrezatosh si një yllnajë e ndritshme që përherë do të më bëjë dritë. Ti i madhi Bekim përherë kështu do të më mbetesh.
Dhe, përherë dhe gjithherë dua kështu të më mbetesh.
Eu sa larg më ishe, e afër të pata!...