English

Borxhi në pus dhe pusi i borxheve

Nga Preç Zogaj

Do ta nxjerrim ne borxhin nga pusi, apo do të na tërheqë borxhi në pus – kjo është çështja për të cilën, as kryeministri, as ministri i Financave nuk kanë një përgjigje të kopsitur.

Në vitet e një prej krizave më të mëdha të naftës në dekadën e parafundit të shekullit të kaluar, kur dukej se Franca po binte në gjunjë, në rrethet elitare të shkencës, ekonomisë dhe kulturës atje mori jetë sentenca e famshme “Ne nuk kemi naftë, por ne kemi ide”.

Nuk ishte një parullë e thjeshtë, një lojë fjalësh për të qeshur apo një gjetje propagandistike për të luftuar depresionin. Ishte kundërsfida e një vendi që kishte kultivuar nëpër shekuj kultin e intelektit dhe vazhdonte të besonte në fuqinë e çudibërëse të ideve. Francezët atëherë iu drejtuan ideve të reja për të mundur krizën. Dhe ia dolën.

Kjo parantezë më çon mua dhe lexuesit e mi në forumet e shtuara të kohëve të fundit, ku po diskutohet e debatohet me një shqetësim gjithnjë e më të madh për krizën ekonomike të vendit. Kambanat e alarmit për rreziqet e shpërthimit të një sistemi që merr borxh për të larë borxhe, si ky që ka ndërtuar kryeministri Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, po bien në shumë foltore, nga shumë drejtime.

Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Guvernatori i Bankës Qendrore, opozita politike e vendit dhe mjaft organizata biznesi kanë si kryefjalë të shqetësimit, alarmit apo frikës së tyre borxhin kritik dhe pa precedentë të kësaj qeverie në raport me prodhimin e brendshëm bruto. Me “arra nëpër gojë” po flasin për borxhin dhe rënien e pandalshme të të ardhurave edhe zyrtarët e lartë të qeverisë, ata që kanë përcjellë gjer me sot me një eufori cinike dhe idioteske rrokullisjen e ekonomisë drejt humnerës së falimentimit. Këta zyrtarë nuk janë të përjashtuar nga e drejta e reflektimit, por siç thotë një sentencë e njohur, kur krizën e shohin të gjithë, qeveritarët janë të verbër. Sepse ata kanë për detyrë të pikasin dhe luftojnë krizën që në embrion. “Të verbër” të tillë, që e shohin të keqen vetëm kur u mbin midis ballit, nuk kanë asnjë garanci se mund të japin zgjidhje. Ata janë tani vetëm pjesë e problemit dhe asgjë më tepër.

Zyrtarisht deklarohet se borxhi i brendshëm dhe i jashtëm që ka krijuar Shqipëria përfaqëson 60 për qind të prodhimit të brendshëm bruto. Në këtë pikë jemi kampionë absolutë në Ballkan. Borxhi i Kroacisë, Serbisë, Malit të Zi apo Maqedonisë është në parametra normalë, mesatarisht njëzet për qind më i ulët se borxhi i Shqipërisë. Ky është kontrasti midis vendeve që qeverisen me laps në dorë dhe Shqipërisë që qeveriset me mikrofon në gojë. “Uleni në 50 për qind ”! – i kërkon kësaj qeverie kryetari i delegacionit të Bankës Botërore. Një kërkesë gjakftohtë dhe cinike, që në zyrat e qeverisë nuk mund të mos përkthehet si një kërkesë për të dorëzuar pushtetin.

Është e njëjta gjuhë, me të cilën ka folur Banka edhe katërmbëdhjetë vjet më parë, në vjeshtën e vitit 1996 kur kërkonte mbylljen e firmave piramidale. “Mbyllini”, domethënë “ikni nga pushteti”. Atëherë qeveria identifikohej me piramidat. Sot identifikohet me borxhin. Kryeministri Berisha i ka rënë me top për të blerë me borxh suksesin e tij. Por i ka kurdisur vendit një minë me sahat që nuk dihet ku do të na çojë. Do ta nxjerrim ne borxhin nga pusi, apo do të na tërheqë borxhi në pus – kjo është çështja për të cilën, as kryeministri, as ministri i Financave nuk kanë një përgjigje të kopsitur.

Borxhi i qeverisë shqiptare është i frikshëm, jo vetën se është i madh në vetvete, por edhe për faktin se ekonomia e vendit është e dobët dhe e pafuqishme për të gjeneruar shlyerjen normale të interesave dhe principialeve të këtij borxhi. Kjo situatë rrezikon t’i fusë financat e vendit në spiralen e një informaliteti të tipit piramidal që nuk mund të ketë fund tjetër veç kolapsit dhe falimentimit.

Vetëdija për këtë rrezik ka sjellë në skenë modën e forumeve, ku po diskutohet e debatohet për nevojën e një modeli të ri, që do të çlironte mundësi dhe impulse të reja në ekonominë e vendit. Model të ri?! Fjalë e madhe dhe e papërshtatshme për Shqipërinë, por që pohon qartësisht krizën e një ekonomie pa bosht dhe pa fizionomi si kjo që kemi.

Ne nuk kemi model zhvillimi në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Por duhet ta krijojmë. Në këtë kuptim debatet për “modelin e ri”, megjithëse të varfër, libreskë dhe pa të reja, sipas opinionit tim, në lidhje me rrugëzgjidhjet e propozuara, meritojnë të institucionalizohen. Dalëngadalë, duke u shtuar rrethi i pjesëmarrësve dhe duke u vënë ky kërkim në funksion të një programi të zbatueshëm, do të marrin formë patjetër propozime të reja, të përshtatshme dhe realiste për ekonominë e Shqipërisë në kushtet e hapjes.

Është shumë e rëndësishme të punojmë dhe të krijojmë për një status të respektuar të ideve si fuqi udhëheqëse. Qeverisjet e këtij vendi që venë e vinë për të pasuruar pushtetarët e radhës, kanë krijuar përshtypjen sikur dija është e tepërt në drejtim. Mjafton të mos kesh skrupuj dhe të jesh servil i bindur i eprorit. Të tjerat nuk i vlejnë as pushtetit, as karrierës. Problemi i Shqipërisë është se pushteti dhe idetë janë dy botë të huaja, pa lidhje. Ata që marrin vendime nuk kanë ide.

Ata që kanë ide, nuk kanë akses në vendimmarrje. Drejtuesit tanë politikë gjallërohen dhe lenë takime edhe jashtë orarit kur dikush u premton një thashethem. Por përgjithësisht, ata janë të pandjeshëm, ose reagojnë formalisht po t’u paraqesësh një propozim apo një paketë të tërë zhvillimi. Kjo situatë duhet kapërcyer.

Unë personalisht akoma jam shumë i habitur se si në prag të krizës së likuiditeteve, në verën e vitit 2009, që ishte parathënia e sigurt e krizës që ka paralizuar sot ekonominë, ministri i Financave, Ridvan Bode, dhe pastaj edhe kryeministri Sali Berisha refuzuan të parin koncesion të gatshëm për ndërtimin e një autostrade në Shqipëri me paratë e shoqërisë italiane “Serenissima”.

Nga do të vinë paratë në dhjetëvjeçarin e ardhshëm? – pyeste me naivitet një bankier në një prej forumeve të ditëve të fundit për ekonominë. Të mësuar me paratë “qyl” të emigrantëve dhe privatizimeve të deridjeshme, politikanët e pranishëm shikonin orët për ndonjë takim që i priste dhe i qeshin pa kuptim njëri-tjetrit.

Nuk foli njeri. Një miku im, pedagog i Universitetit Europian u kthye nga unë dhe tha: Unë dhe ti e dimë nga do të vinë, por për momentin nuk na lënë shpinat e këtyre politikanëve për t’i parë! Makare!

Gazeta “Shekulli”

KOMENTE