Çikago, 25 qershor 2011, NOA - Kongresisti amerikan Eliot Engel do të jetë i ftuari i nderit në një mbledhje të organizuar mes komunitetit shqiptar të Çikagos në shtetin e Ilinoisit.
Kongresisti Engel është një nga personalitetet e njohura të Administratës së Shtëpisë së Bardhë në Uashington.
Ndër vite ai është angazhuar për çështjen shqiptare në Ballkan me theks të veçantë në zgjidhjen e drejtë të çështjes së Kosovës.
Miku i madh i kombit shqiptar në këto vite ka qenë pjesë e pandarë e Rezolutave për Kongresin dhe Senatin Amerikan, që kanë aktualizuar çështjen shqiptare dhe problemin e pazgjidhur tash e një shekull nën regjimin sllavo-komunist të Beogradit.
“E gjithë kjo rrjedhë me kornizat politike dhe të diplomacisë në vijat e gjata ameriane, bëri që Kosova ndër vite të jetë në të gjitha tryezat dhe në tubimet e nivelit të lartë në SHBA dhe në botë. Eliot Engeli në këtë rrugëtim ka treguar se është një nga njohësit më të mirë të çështjes shqiptare në Ballkan. Me vënien në jetë të konceptit të lirisë dhe të kaheve të demokracisë për shtetin e ri të Kosovës si dhe të ndryshimeve në relacionet e rënies së sistemit komunist në Shqipëri, e bëjnë edhe më të madhe përkrahjen e Engel. Para diasporës shqiptare në Amerikë, Eliot Engel, pati paralajmëruar ardhjen e lirisë dhe të pavarësisë së shtetit të Kosovës. Me entuziasmin e madh shpesh ai thoshte se do të ishte vetë ambasadori i parë në Kosovën e lirë!”, vlerëson publicisti Skënder Karajica, njëri ndër veprimtarët e komunitetit shqiptar në Çikago.
Takimi me kongresistin Engel do të mbahet më datën 28 qershor 2011 në Diplomat West në orën 19:00 në Çikago.
INA/NOA