English

FSHF ndryshon formulën e Superligës, sezoni i ri me 14 skuadra

Tiranë, 25 qershor 2011, NOA - Sezoni i ardhshëm i Superligës do të jetë me 14 skuadra, të cilat nuk do të luajnë më në tre, por në dy faza.

Vendimi u mor mbrëmë në orët e vona të mbrëmjes nga Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit.

Sipas vendimit në Superligë do të zhvillohen gjithsej 26 ndeshje.

Dy skuadrat do të bien direkt nga kategoria, ndërsa tri të tjera do të luajnë Play Off.

Në sezonin 2011-2012 klubet shqiptare do të marrin pjesë si shoqëri aksionere.

Federata e Futbollit vendosi gjithashtu që të mos shtyjë afatin e përcaktuar nga UEFA dhe FIFA, i cili është data 30 Qershor.

Në mbledhjen e Komitetin Ekzekutiv u vendos të ndryshohet edhe skema e Kupës së Shqipërisë.

Klubet tashmë do të luajnë në 4 grupe me nga 4 skuadra.

Ndeshjet do të luhen në sistem vajtje – ardhje dhe dy ekipet e çdo grupi, që do të grumbullojnë më shumë pikë do të kalojnë në fazën tjetër.

Federata ndryshoi edhe mënyrën e caktimit të arbitrave në një ndeshje.

Ndërkohë që në sezonin e kaluar ata përcaktoheshin nga shefi i sektorit të arbitrave, prej 24 gushtit të këtij viti gjyqtarët në takimet e kampionatit do të caktohen nga një komision i posaçëm.

Shpërblimi për ata që quhen xhaketat e zeza do të rritet.

Një arbitër kryesor do të paguhet me 45 mijë lekë për ndeshje.

Sipas vendimit, gjysma e kësaj shume do të mbulohet nga Federata dhe gjysma tjetër nga klubet pjesëmarrëse.

Sezoni 2011 - 2012 i Kampionatit Shqiptar të Futbollit do të nisë në 24 gusht.

mit/NOA

KOMENTE