English

Kantrimen: Mossuksesi për emrin dëmton Maqedoninë

Uashington, 25 qershor 2011, NOA - Zëvendës-ndihmës sekretari i shtetit amerikan për Europën dhe Azinë, Tomas Kantrimen deklaroi se është koha për zgjidhjen e kontestit të emrit të Maqedonisë. Kantrimen e deklaroi këtë gjatë konferencës ndërkombëtare të organizuar nga diaspora maqedonase UMD në Uashington.

“Është e nevojshme zgjidhja e shpejtë e kontestit të emrit, dhe koha për ta bërë këtë është pikërisht tani”, deklaroi Kantrimen.

Ai paralajmëroi se në rast të kundërt Maqedonia do të përballet me mossuksese.

“Unë vlerësoj se nuk është e drejtë që procesi i integrimit euroatlantik të vendit tuaj të jetë i lidhur me këtë çështje emotive. E drejtë apo jo, ky realitet është i pashmangshëm. Patjetër duhet të ballafaqohemi me botën ashtu siç është. Mossuksesi për të zgjidhur këtë çështje do të dëmtojë Maqedoninë. Kjo e parandalon atë që të arrijë vendin e merituar në NATO dhe BE. Andaj koha për të zgjidhur kontestin është që tani”, theksoi zëvendës-ndihmës sekretari amerikan, Tomas Kantrimen.

Sipas tij, kompromisi do të ishte i dhimbshëm, mirëpo ai shtoi se dhembja politike do të ishte e përkohshme.

“Unë mund t’ju bind se SHBA-të nuk do të nxisin Qeverinë e Maqedonisë për të pranuar zgjidhje, që paraqet kërcënim për sovranitetin, integritetin territorial dhe identitetin e shtetit apo qytetarëve”, deklaroi zyrtari i lartë i administratës amerikane.

INA/NOA

KOMENTE