English

KiE: Opozita të ndërpresë bojkotin e parlamentit, nisni dialogun

Strasburg, 25 qershor 2011, NOA - Këshilli i Europës i bëri thirrje liderëve politikë në Shqipëri të nisin sa më parë dialogun politik.

Përmes një draft-rezolute të hartuar nga Komiteti i Monitorimit, KiE i kërkon Partisë Socialiste të ndërpresë bojkotin e kushtëzuar të Parlamentit, duke i bërë të qartë se bojkoti i Parlamentit nuk ndihmon procesin demokratik në Shqipëri dhe as përmirëson procesin zgjedhor.

Këshilli i Europës thekson se “paaftësia e opozitës për të bashkëpunuar me mazhorancën në pushtet pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009 shkaktoi një krizë të vazhdueshme që pasoi ngjarjet e tragjike të 21 janarit”.

KiE deklaron se partitë kanë abuzuar me strategjinë e bojkotit të Parlamentit dhe refuzimin për të marrë pjesë në zgjedhje.

Në draft-rezolutë thuhet se edhe pse zgjedhjet e fundit parlamentare të 2009-ës u cilësuan si më të ndershmet ato u shoqëruan me politizim të fushatës zgjedhore si dhe parregullsi gjatë votimit, që u bënë shkak për polarizimin e situatës politike në vend dhe ngërçin e tejzagjatur mes opozitës dhe mazhorancës në pushtet.

Kjo është e disata herë që KiE i bën apel opozitës t’i japë fund bojkotit të Parlamentit dhe të kryejë funksionet e saj politike në Kuvend.

KiE bën me dije se është përgjegjësi e liderëve politikë për të thirrur mbështetjen popullore në institucione demokratike dhe jo në rrugë.

Raportuesit e KiE-s lajmërojnë se do të vizitojnë Shqipërine pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve vendore.

Asamblea parlamentare e KiE-s i inkurajon autoritetet shqiptare të përmirësojnë kuadrin legjislativ dhe të rrisin kapacitetin e administratës zgjedhore në një sërë drejtimesh, si për shembull përfshirjen nga Kuvendi të një kornize legjislative për të përmirësuar procesin zgjedhor si dhe për të përmirësuar aftësitë e administratës zgjedhore sa i përket regjistrit zgjedhor etj.

mit/NOA

KOMENTE