Tiranë, 25 qershor 2011, NOA- (Update) Në vijim të mbledhjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku pritet emri i fituesit të Tiranës, ashtu si dhe më parë debatet kanë pushtuar sallën e këtij komisioni.
Ka qenë përfaqësuesi ligjor i socialistëve Genci Gjonçaj ai që akuzoi KQZ- në, duke thënë se Kodi Zgjedhor përcakton se e vetmja detyrë për këtë komision është shqyrtimi dhe shpallja e rezultateve dhe jo, ndryshimi i rregullave në minutën e fundit.
Në vijim ai u shpreh se krahas kësaj, edhe në shqyrtimin e kutive me fletët e kontestuara apo të hedhura gabim, janë gjetur dhe vërejtur më shumë vota se sa votues, madje shtoi se procedura e ndjekur nga KQZ është deformuese dhe se u ndryshua rezultati në tavolinë.
Nga ana e tij përfaqësuesi demokrat në këtë komision Njazi Kosovrasti deklaroi se nga të gjitha hallkat e ndjekura nga ky komision, rezultoi se diferenca është e qartë me 95 vota dhe se kutitë e dëmtuara janë bërë nga pakujdesia.
Nga shqyrtimi i projekt-aktit që po diskutohet pritet edhe dalja e emrit të fituesit të Tiranës, pas rivlerësimit të 368 qendrave të votimit, të cilat u shqyrtuan pas vendimit të dhënë nga Kolegji Zgjedhor, ku rezultoi në avantazh kandidati demokrat Lulzim Basha me 95 vota përpara..
a.y/NOA