Athinë, 25 qershor, NOA – E detyruar nga efektet e një krize të rëndë financiare që ka prekur çdo sektor të jetës së saj, Greqia ka planifikuar që të mbyllë edhe disa nga shkollat greke të hapura në vendin tonë.
Por një projekt i tillë i ministrisë greke të Arsimit, duket se ka zgjuar menjëherë reagimin e minoritetit grek në Shqipëri, i cili ka dalë kundër një fakti të tij.
Ky qëndrim citohet nga disa media greke, sipas të cilave, përfaqësues të këtij minoriteti, kanë dalë hapur kundër synimeve të ministrisë greke për të mbyllur ndoshta shkollën greke në Korçë, e cila mban emrin “Homeri” si edhe shkollën greke në Himarë.
Për dekadën e fundit, "Homeri" ka edukuar jo vetëm fëmijë që i përkasin komunitetit grek në zonën e jugut, por edhe fëmijë të tjerë shqiptarë.
Por nga ana e saj, ministria e Arsimit në Greqi ka dhënë si justifikim krizën financiare si arsye për të mos hedhur më financimin, i cili mbulon deri tani shpenzimet funksionale të shkollës.
Në këtë rast, askush nuk mund të jetë i sigurt se shkolla do të funksionojë këtë shtator.
Ndërkaq, Organizata për Përhapjen e Gjuhës Greke (ODGL) ka deklaruar se do të përpiqet për ta ndaluar këtë veprim me të gjitha mjetet e mundshme. Por edhe shkolla greke në Himarë duket se përballet me të njëjtat probleme financimi.
Mësuesit dhe punonjësit e shkollës nuk janë paguar ende.
E nëse kjo situatë vazhdon, rezultatet do të ishin një katastrofë për minoritetin grek atje, pasi këto shkolla janë konsideruar si simbole të shpërndarjes për gjuhën dhe kulturën greke në vendin tonë.
n.e/NOA