Prishtinë, 25 qershor 2011, NOA- Lëvizja Vetëvendosje gjatë ditës së sotme zhvilloi mbledhjen e parë zgjedhore të Këshillit të Përgjithshëm të saj.
Që në hyrje të saj u bë një pasqyrë e mënyrës së organizimit të zgjedhjeve të brendshme në Lëvizjen Vetëvendosje, ku u theksua se nga votat e hedhura nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje në 422 pika në gjithë Kosovën dhe në diasporë për kandidaturën e aktivistit Albin Kurti për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje në mandatin e parë të tij si kryetar me rezultatin: pjesëmarrja e aktivistëve në votim 60%, 5682 vota pro, 31 kundër dhe 62 të pavlefshme.
Gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast Kurti u shpreh se, “Më 12 qershor 2005, Lëvizja Vetëvendosje ndërmerr aksionin e parë të saj ku e shkruan parullën e saj të parë, e cila vazhdon të mbetet aktuale dhe domethënia e së cilës është universale. Pra parullën, Jo negociata! Vetëvendosje! Sepse ose do të ketë negociata, ose do të ketë vetëvendosje. E ne dëshironim që të mos ketë negociata me Serbinë por donim vetëvendosje për popullin e Kosovës”.
Më tej ai theksoi se ideja për vetëvendosje ishte ajo që strukturoi organizimin e Vetëvendosjes duke i bashkuar qytetarë nga e tërë Kosova dhe më gjerë.
Në vijim pas miratimit të Statutit kryetari Albin Kurti, në bazë të statutit të miratuar propozoi Shpend Ahmetin për nënkryetar të parë të Lëvizjes, Dardan Molliqajn për sekretar organizativ, Xhelal Sveçlën për sekretar për marrëdhënie me jashtë si dhe Arbër Zaimin për koordinator të komiteteve të Lëvizjes Vetëvendosje, propozime të cilat u miratuan me shumicë vote.
a.y/NOA