Tiranë, 25 qershor 2011, NOA- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur mbledhjen e radhës nga ku pritet të shpallet tabela përmbledhës e rezultateve për Bashkinë e Tiranës.
Nga shqyrtimi i këtij projekt-akti pritet edhe dalja e emrit të fituesit të Tiranës, pas rivlerësimit të 368 qendrave të votimit, të cilat u shqyrtuan pas vendimit të dhënë nga Kolegji Zgjedhor.
Nga ky numërim i cili përfundoi ditën e enjte rezultoi në avantazh kandidati i mazhorancës për Tiranën, Luzlim Basha me 95 vota përpara rivalit socialist Edi Rama.
Duke marrë parasysh këtë rezultat pritet të bëhet edhe zyrtarizimi i emrit të fituesit, ndërkohë që përfaqësuesit socialist në komision po vijojnë kundërshtimin për procedurën e ndjekur nga KQZ, si dhe për mosnjohjen e aktit.
Mësohet se pas shpalljes së aktit, Partisë Socialiste i lind e drejta për të ankimuar rezultatin dhe procedurën e KQZ-së, ku mendohet se do të kundërshtohet procedura e ndjekur nga ky komision dhe mos rakordimi i fletëve të votimit, pasi pala opozitare pretendon se është evidentuar prezenca e më shumë fletëve votimi në kuti.
a.y/NOA