Nga Fatos Lubonja
Nuk mund të mos më tërhiqte vëmendjen një polemikë që u zhvillua para disa ditësh midis Ardian Klosit, Mark Markut dhe Agron Tufës, që u mor dhe u rimor në gazeta të ndryshme. Ishte diçka më shumë se sa një polemikë idesh, mund ta quash edhe një sherr i egër intelektual. Dhe në rastet e sherreve, zakonisht njerëzit tek ne zgjedhin t’i evitojnë, t’u kalojnë anash, e të vazhdojnë rrugën e tyre sipas atij mësimit: qëndroi larg sherrit se mund të hash ndonjë shqelm. Asnjëherë nuk kam qenë dakord me këtë qëndrim, por s’mund ta mohohet se jo gjithmonë mund të ndërhysh, veçanërisht kur sheh se sa shumë gjuajtje nën bark përdoren nga të dyja palët, por veçanërisht kur s’di se kë të quash viktimë e kë agresor. E, megjithatë, nuk mund të mos tërhiqesha nga fakti se sulmet e egra personale u pleksën në atë polemikë me disa tema mjaft principale për shoqërinë shqiptare dhe rolin e intelektualëve në të. Tema të tilla si ajo se si ne u qasemi traumave të së kaluarës; ajo e përgjegjësive për të kaluarën, sa ato janë individuale dhe sa kolektive apo familjare; sa ndjehemi robër të identiteteve familjare; sa në retorikat e ashpra për të kaluarën kemi hallin e drejtësisë dhe sa kjo është pretekst për një luftë asgjësuese për pushtetin e sotëm politik dhe financiar; mëkatet e politikës në paqëndrueshmërinë e vlerave intelektuale dhe përçarjen e intelektualëve ishin disa çështje që dilnin mprehtë gjatë kësaj polemike.
Fakti se personalisht jam shprehur shpesh lidhur me këto tema dhe se rastin e Fatos Kongolit, që nxiti debatin, e shoh të ngritur keq nga “Gazeta Shqiptare” (për qëllime komerciale, që, si edhe qëllimet politike, nuk janë forma më e mirë për t’iu qasur traumave të së kaluarës, sepse kështu i thellojmë në vend që t’i kurojmë ato), ishin dy arsye më shumë për t’iu shmangur futjes në këtë “sherr”. E megjithatë, i ndikuar fort edhe nga konteksti i krizës politike që po kalojmë, një ide më sillej vazhdimisht në kokë teksa lexoja polemikën, duke më nxitur të ndërhyj.
Një nga akuzat kryesore që protagonistët e debatit i ngrenë njëri-tjetrit është se bëjnë pjesë në dy tarafe intelektualësh të lidhur me dy pushtete: njëri pushteti i maxhorancës me në krye Sali Berishën dhe tjetri ai i lidhur me pushtetin e Edi Ramës si kryetar bashkie, por edhe si vazhdimësi e atyre tetë vjetëve kur socialistët ishin në krye të pushtetit qendror.
Besoj se nuk shtoj ndonjë gjë të re po qe se do të them se këto dy akuza të ndërsjella përmbajnë shumë të vërtetë brenda. Madje besoj se nuk do të ma kundërshtojnë as të dyja palët në debat. Me këtë që thashë nuk dua t’i hyj as temës së klientelizmit të partive dhe as një akuze që e shoh të qarkullojë shumë në komentet mbi këtë polemikë në internet, sipas së cilës, meqë këta janë të lidhur me pushtetet, nuk janë intelektualë të vërtetë apo të besueshëm, se një intelektual i vërtetë qëndron larg pushtetit, pasi ai të korrupton, se një intelektual duhet të jetë kritik ndaj pushtetit dhe jo shërbyes ndaj tij, pasi kjo është detyra e tij si intelektual. Personalisht, nisur edhe nga përvoja personale e zhgënjimit me të dy krahët, ndjehem afër kësaj kritike, por jam i hapur ndaj idesë se nuk ekziston vetëm ky model. Intelektualë të lidhur me një parti të majtë apo të djathtë, që angazhohen jo vetëm në mbështetje, por edhe duke punuar në institucione shtetërore duke përfaqësuar këto parti, apo të propozuar nga këto parti si deputetë, ka gjithandej dhe janë të rëndësishëm. Këta janë nganjëherë edhe më publikët, thuaj po deshe edhe më me influencë në publik, ata që mbajnë edhe më shumë qëndrime në çështje të caktuara. Shtoj këtu se intelektuali nuk është vetëm një qenie me tru, por edhe me zemër, edhe me kujtesë emocionale, me ndjenja miqësie, e, po ashtu, se nuk jeton vetëm me ajër, por ka nevojë edhe ai për ato që quhen nevoja materiale, ka edhe ai familje për të mbajtur.
Thënë tërë këto, dua të vë në dukje, megjithatë, se protagonistët e debatit, si shkrimtarë, studiues, përkthyes, kritikë letrarë, gazetarë, bëjnë pjesë në një kategori, si të thuash, më speciale se ata që quhen militantë. Nëse këta të fundit e mbështesin një parti duke venë në lojë më shumë entuziazmin dhe zemrën, jo rrallë edhe interesat materiale, intelektualët presupozohet të vënë shumë më tepër në shërbim besueshmërinë e një mendjeje të kultivuar, që ka më të zhvilluar mendimin kritik, që ka më shumë dije etj., etj., e që, prandaj, mendohet se janë edhe shumë më të gatshëm sesa militantët të ndeshen me pushtetarët për hir të interesit publik, emrit të tyre, veprës së tyre, largpamësisë etj., apo në respekt të asaj thënies së Raymond Aronit, sipas së cilës: “Kompromise për interesa mund të bëhen, por jo për vizionin e botës”.
E këtu më duhet të them se ajo që më duket tejet shqetësuese në kategorinë e intelektualëve tanë që mbështesin partitë – e këtu po kaloj përtej tre emrave të debatit në fjalë – është mungesa e qëndrimeve kritike ndaj partive që mbështesin. Personalisht nuk kujtoj në dymbëdhjetë vjetët që Edi Rama është në pushtet një kritikë të vetme publike që të ketë bërë një kategori intelektualësh si Ardian Klosi ndaj tij, qoftë përsa u përket dëmeve të pakthyeshme që ai ka bërë në Tiranë me monumentet e kulturës, me Tiranën historike, me hapësirat publike e të gjelbra – edhe pse ndonjë si Klosi është një aktivist i mbrojtjes së këtyre, – qoftë për personalizimin e institucioneve që ka drejtuar, qoftë për bashkëpunimin me oligarkët e dyshimtë, qoftë për shumë dështime si kryetar i Partisë Socialiste. Kam parë vetëm një mbështetje totale, dhe jo rrallë mbrojtje totale sa herë që ky është kritikuar për ndonjë gjë. Po ashtu, nuk di që në këta gjashtë-shtatë vjet që Berisha është në pushtet, të kem lexuar apo dëgjuar qoftë edhe një kritikë të Tufës apo Markut (ky i fundit që kur është bërë deputet), ndaj qoftë edhe ndonjë aspekti të politikave të Berishës, ndaj qëndrimit të tij kapës ndaj institucioneve të tjera (boll të shikosh TVSH-në), ndaj projekteve të tij për të sjellë fabrika çimentoje e hidrocentrale bërthamore, ndaj shumë premtimeve të pambajtura, ndër të cilat ai mbi luftën ndaj sistemit të korrupsionit (apo edhe ai për dëmshpërblimin e ish-të burgosurve politikë, meqë kjo polemikë nisi rreth kësaj teme), për bashkëpunime pa princip me cilindo që deri dje e ka akuzuar për korrupsion, për Gërdecin etj. Po përmend këtu kritika që ua kam bërë vetë të dyja palëve, me të cilat një pjesë e tyre mund të mos jenë dakord, por nuk besoj, kurrsesi, që ata të mos kenë asnjë mendim kritik për liderin dhe partinë që mbështesin. Jam plotësisht i bindur se me veten e tyre apo me miqtë e tyre të ngushtë kanë qëndrime kritike. Po ashtu, nuk se kërkoj që këto kritika t’i bëjnë nga pozitat e një gazetari të pavarur, i cili mund të jetë edhe shumë i ashpër deri edhe provokator e denonciator. Përkundrazi, i mendoj më të moderuara, me frymë pozitive e mirëdashëse, por publike dhe me dinjitetin e intelektualit që nuk ka komplekse inferioriteti ndaj pushtetarit e që i imponohet këtij me forcën e argumentit. Fatkeqësisht kjo nuk ndodh me këtë kategori. Sigurisht, shkakun duhet ta gjejmë më së pari te liderët politikë, të cilët nuk e honepsin kritikën, që marrëdhëniet me intelektualët i ndërtojnë në raporte vertikale epror – vartës dhe jo në raporte horizontale midis të barabartësh. Vetëm në prag zgjedhjesh apo daljeje në opozitë ky vertikalitet ka prirjen të lëvizë. Atëherë mund të shohësh politikanë të ulur nëpër kafene, në biseda të barabartësh me intelektualët, por, kur hyjnë në zyrën e pushtetit këta sikur tjetërsohen menjëherë. Por, nga ana tjetër, s’mund të mos bjerë në sy se intelektualët e kësaj kategorie e pranojnë këtë tjetërsim dhe rolin që u caktojnë liderët në pushtet me shumë lehtësi. Duket sikur frika se mos humbasin dashurinë e besimin e liderit apo të grupit me të cilin identifikohen, e bashkë me të edhe punën apo privilegjet e përfitimet, i bën këta të heshtin ndaj të metave që shohin te lideri apo te grupi që ai drejton. Kësisoj, ndoshta edhe pse nuk janë asnjëherë të sigurt se e gëzojnë deri në fund këtë besim e dashuri, në më të shpeshtën i shohim ta venë aftësinë e tyre intelektuale në funksion të sulmeve ndaj kundërshtarit duke e nxitur edhe më konfliktualitetin shkatërrues në vend që të jenë zëri i ftohtë kritik e ndërtues i dialogut.
Nuk është nevoja ta them se sa e dobishme do të kishte qenë për vetë këta liderë apo për vetë këto parti sikur intelektualët që njihen si mbështetës të tyre të kishin mbajtur në kohën e duhur qëndrim kritik për një, dy, tri çështje të caktuara. Sigurisht, edhe mund ta kishin parë veten të flakur tej, apo të mënjanuar, apo në situatën e të papunit. Ka shembuj në të dyja partitë të kësaj. Por, ama, nga sa di, edhe këta (fatkeqësisht të pakët) nuk kanë mbetur pa bukën e gojës dhe as janë futur në burg si në kohën e komunizmit. Në polemikën në fjalë u shkrua shumë për përgjegjësitë e intelektualëve, nënshtrimin i tyre, shërbimin ndaj regjimit të kaluar. Por, le të mos harrojmë se në atë kohë mundësia e zgjedhjes, që është në një masë të madhe sinonim i lirisë, dhe liria, nga ana e saj, matëse e përgjegjësisë, ka qenë shumë herë më e vogël sesa sot. E megjithatë, shoqëria jonë e ashtuquajtur “e lirë”, ka njëzet vjet që po kalon një periudhë të mbushur me korrupsion, me padrejtësi, me kriminalitet, me pasiguri jete, me varfëri, me shkatërrim territori, me ikje truri. Në momentin politik që po kalojmë po kemi një polarizim të tejskajshëm, një konfliktualitet që e ka bllokuar, madje po e dëmton rëndë jetën tonë shoqërore, politike, ekonomike, kulturore, imazhin tonë, të ardhmen tonë europiane. Cila është përgjegjësia e intelektualëve për këto? Cili është roli i intelektualëve pranë partive e liderëve në këtë konflikt? Po preferoj ta mbyll këtë shkrim nëpërmjet këtyre pyetjeve, duke e lënë kësisoj të hapur.