English

Qafë Botë, përkujtohet masakra çame, mijëra persona në kalvarin përkujtimor

E shtunë, 25 qershor 2011, NOA- Vetëm pak më parë nisi ceremonia në zonën e Qafë Botës, në përkujtim të masakrës së çamëve pas dëbimit nga trojet e tyre në qershor të 1944-ës.

Nën nismën e Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet dhe nën drejtimin e kreut të saj Shpëtim Idrizi, ashtu si dhe ishte lajmëruar po mbahet marshimi nën titullin “Trëndafilat e Çamërisë”, i nisur nën interpretimit e aktorit Mirush Kabashi.

Mijëra persona nga të gjitha trevat shqiptare marrin pjesë në këtë kalvar përkujtimor, ku me flamuj kombëtarë dhe kurora në duar po bëjnë homazhe në varrezat masive që gjenden në Kllogjer dhe pas kësaj do të marshojnë drejt pikës së kalimit kufitar të Qafë-Botës.

Ky marshim mbahet në kujtim të mbi 2 mijë çamëve që humbën jetën nga uria dhe lodhja, gjatë dëbimit nga grekët në fund të vitit 1944, nga trojet e tyre. Edhe pas 67 vitesh sërish viktimat e kësaj masakre kanë prekur shqiptarët dhe bashkë me gjithë përfaqësuesit e politikës, shoqërisë civile ka nderuar me praninë e tij edhe djali i Adem Jasharit.

a.y/NOA

KOMENTE