English

SHBA: Nju Jorku i thotë “Po” martesave gay

Nju Jork, 25 qershor 20112, NOA – Senati i shtetit të Nju Jorkut i ka çelur dritën jeshile martesave mes personave të të njëjtit seks, duke u renditur i gjashti shtet i SHBA-ve që i jep të drejtën çifteve homoseksualë të lidhen në martesë.

“Marriage Equality Act” quhej propozimi i guvernatorit të Nju Jorkut, Andrew Cuomo, i cili u miratua natën e shkuar nga senati i Nju Jorkut, duke u njohur kështu çifteve homoseksualë të drejtën për t’u martuar si çdo çifti tjetër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Propozimi u miratua me 33 vota pro, mes të cilave edhe katër vota të katër deputetëve republikanë dhe 29 vota kundër, mes të cilave u regjistrua vota e një demokrati.

Ky propozim i miratuar tashmë nga dhoma e senatit u firmos menjëherë nga guvernatori Cuomo e do të hyjë në fuqi pas plot një muaji.

Kjo do të thotë se në fillim të muajit gusht do të nisin edhe kurorëzimet me martesë të çifteve homoseksuale amerikane në Nju Jork.

Sipas analistëve miratimi i martesave gay është një fitore historike për lëvizjen e homoseksualëve amerikanë, për faktin se Nju Jorku është shteti më i populluar e më i rëndësishëm mes gjashtë shteteve të tjera në Shtetet e Bashkuara që kanë njohur martesat mes çifteve gay.

Martesat mes homoseksualëve në SHBA-të janë ligjëruar tashmë në Massachusetts, Vermont, Nju Hampshire, Iowa, Connecticut, si dhe në distriktin e Kolumbia.

Sipas mediave amerikane gjatë votimit të propozimit në senatin e Nju Jorkut autoritetet kishin mbyllur dyert, ndërkohë që jashtë godinës dhjetëra persona po manifestonin më shumë në favor të miratimit se kundër propozimit.

Miratimi i propozimit cilësohet nga analistët edhe si një fitore e rëndësishme për guvernatorin demokrat Andrew Cuomo, i cili ligjërimin e martesave gay e kishte në krye të premtimeve të tij.

Edhe vetë presidenti amerikan Barack Obama, në Nju Jork disa ditë më parë u kishte premtuar disa eksponentëve të një grupi homoseksual në këtë shtet, se çiftet homoseksuale meritojnë të kenë të njëjtat të drejta si të gjitha çiftet e tjera amerikane.

mit/NOA

KOMENTE