Tiranë, 25 Qershor 2011 NOA/ Albana Qehajaj – Lulzim Basha ka dalë sonte menjëherë pasi KQZ shpalli vendimin që e nxjerr edhe një herë fitues të postit të kryetarit të Bashkisë Tiranë. Për herë të parë pas një serie deklaratash të buta, z.Basha sonte ka hedhur kritika të forta ndaj rivalit të tij Edi Rama.
“Unë besoj se zëri i çdo qytetari duhet dëgjuar, ndryshe mendon z.Rama. Ne nuk mund të biem dakord për çdo gjë, por të gjithë ne duhet të pranojmë vendimet e institucioneve të pavarura, dhe Kolegji Zgjedhor foli qartë kur tha se çdo votë duhet numëruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Por tanimë, në vend që të pranojë se donte të ndrynte zërat e qytetarëve, z. Rama ka zgjedhur të lëshojë akuzat më absurde dhe false, në një rrekje të fundit për të nxirë një proces që të gjithë qytetarët e panë të shpalosej drejtpërsëdrejti në ekranet e tyre”, - deklaroi z.Basha.
Ai tha më tej se “në të vërtetë është të ndjekësh një rrugë të vjetër, madje shumë të vjetër. Një rrugë pa rrugëdalje, një rrugë pa krye… një përbaltje e qëllimshme që përmban në thelb një alibi politike ku interesat e qytetarit radhiten të fundit”.
Më poshtë vijon fjala e plotë e z.Basha:
Së pari, dua të falënderoj edhe një herë të gjithë qytetarët e Tiranës që vendosën që zëri i tyre të dëgjohej në këto zgjedhje dhe që pritën me qetësi funksionimin e procesit tonë zgjedhor. Gjithashtu, dua të falenderoj të gjithë ata që kontribuuan që këto zgjedhje të ishin të drejta, të lira, transparente dhe korrekte.
Çdo votë u numërua, dhe pritja për rezultatin final ia vlejti, sepse u garantua dëgjimi i zërit të çdo qytetari. Dhe tani që zëri juaj u dëgjua, jam i prekur dhe i përunjur që 95 qytetarë më shumë votuan që unë të jem Kryebashkiaku juaj i ardhshëm.
Gjatë gjithë këtij procesi, komuniteti ndërkombëtar ka qenë i pranishëm dhe ka folur me një zë të vetëm, duke i kërkuar palëve të mbështesin procesin ligjor, sundimin e ligjit, dhe të pranojnë rezultatin. Unë e kam thënë që në fillim, se pavarësisht se cili do të jetë verdikti i qytetarëve, unë do ta pranoj atë. Unë besoj se zëri i çdo qytetari duhet dëgjuar, ndryshe mendon z.Rama. Ne nuk mund të biem dakord për çdo gjë, por të gjithë ne duhet të pranojmë vendimet e institucioneve të pavarura, dhe Kolegji Zgjedhor foli qartë kur tha se çdo votë duhet numëruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Por tanimë, në vend që të pranojë se donte të ndrynte zërat e qytetarëve, z. Rama ka zgjedhur të lëshojë akuzat më absurde dhe false, në një rrekje të fundit për të nxirë një proces që të gjithë qytetarët e panë të shpalosej drejtpërsëdrejti në ekranet e tyre.
Kjo në të vërtetë është të ndjekësh një rrugë të vjetër, madje shumë të vjetër. Një rrugë pa rrugëdalje, një rrugë pa krye… një përbaltje e qëllimshme që përmban në thelb një alibi politike ku interesat e qytetarit radhiten të fundit.
Ne e dimë tashmë, ju e dini mirë tashmë se sa më shumë luftë politike të provokohet, aq më pak zgjidhje do të ketë për ju.
Ju të dashur qytetarë, na mësuat shumë në këtë fushatë dhe na folët qartë me votën tuaj se në vend të betejave politike shterpë, keni zgjedhur të keni më shumë gjelbërim, më shumë parqe për fëmijët tanë, më shumë rrugë të gjera dhe të ndriçuara, më shumë oksigjen dhe më pak smog.
Qytetarët e Tiranës pra, e kanë thënë tashmë fjalën e tyre, se ka dhe besojnë në një rrugë ndryshe, në një rrugë më të mirë dhe më qytetare.
Së shpejti, procesi zgjedhor do të mbarojë dhe sakaq do të nisë menjëherë koha dhe beteja e vërtetë, për qeverisjen e qytetit.
Ky do të jetë angazhimi im i vetëm. Të përvesh mëngët dhe të nis së bashku me ju punën e madhe që na pret, sepse “Ju jeni të parët, Tirana është e para”, nuk ishte dhe nuk është një slogan, por një bindje dhe një program i madh pune dhe djerse.
Sepse ju, nuk votuat për mua që të luftoj beteja politike, ju më votuat për të luftuar betejat tuaja të përditshme.
Ju më votuat që të punoj për të hapur vende të reja pune,
për të ndërtuar një Tiranë europiane, moderne,
dhe që të mundësoj për ju një ndryshim rrënjësor, në të mirë të qytetit dhe qytetarëve, ashtu si ju realisht e meritoni.
Ju votuat për mua jo që të rreshtohem përkrah ndasive të së shkuarës, por për të rindërtuar së bashku një të ardhme më të denjë, jo vetëm për mbështetësit e mi, por për çdo qytetar. Sepse ka ardhur tashmë koha që politikanët të heqin dorë nga fajësimi i njëri-tjetrit, dhe të marrin mbi shpatulla përgjegjësitë e tyre ndaj qytetarëve. Ju votuat në shumicë për këtë dhe kjo është pikërisht çfarë unë kam ndërmend të bëj.
Dhe mbi të gjitha, unë do të vazhdoj të dëgjoj zërin tuaj, sepse askush nuk mund të drejtojë nëse më parë nuk dëgjon!
Në themel të përpjekjeve të mia kam patur pikërisht këtë qëllim që unë e vlerësoj si madhor: që zëri juaj të dëgjohet!
Këto ishin zgjedhje me diferencë të ngushtë dhe procesi mund të zgjasë edhe pak. Unë jam i vendosur të pres me durim dhe qetësi deri në përfundimin e tij, dhe pastaj do të jetë detyra ime që të punoj për tu bashkuar të gjithë së bashku, si ata që votuan dhe ata që nuk votuan për mua, për të punuar për zgjidhjen e problemeve tona të përbashkëta.
Sot jam i prekur dhe i mrekulluar nga mbështetja juaj, por edhe më optimist se kurrë për të ardhmen e qytetit tonë”.
e.t/NOA