Tiranë, 25 qershor 2011, NOA – Afro gjashtë javë nga mbajtja e zgjedhjeve vendore të 8 majit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të shpallë sot pasdite në orën 18.00 rezultatin e zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës.
Ky rezultat shpallet pas përfundimit të hapjes së 1793 kutive në Tiranë, nga 1940 gjithsej, që i përkuan 368 qendrave të votimit të 11 njësive bashkiake të Tiranës.
Gjatë hetimit administrativ të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u numëruan për gjashtë ditë të tëra votat e hedhura gabim në kutitë e votimit të 11 bashkive të kryeqytetit si dhe u kqyrë, votat e pavlefshme.
Nga numërimi i votave të hedhura gabim kandidati demokrat Lulzim Basha rriti avantazhin e tij me 95 vota, kundrejt kandidatit socialist Edi Rama.
Hapja e këtyre kutive u vendos nga Kolegji Zgjedhor në mesnatën e 13 qershorit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka gati akt-vendimin për mbledhjen e votave të hedhura në kutitë e gabuara, vota të numëruara në uadër të vendimit të Kolegjit Zgjedhor, dhe tabulimin e tyre në tabelën përmbledhëse të Tiranës, nga ku sot pritet të dalë rezultati për zgjedhjet për kryetarin e bashkisë së Tiranës.
Më tej Kodi Zgjedhor parashikon edhe afatet për ankimimin e rezultatit nga Partia Socialiste.
Vendimi i Kolegjit për hapjen e të tëra kutive të bashkisë së Tiranës erdhi pas ankimimit të Partisë Socialiste të rezultatit të mëparshëm të publikuar nga KQZ, që doli pas numërimit të votave të kontestuara për tre njësi në kryeqytet.
Në procesin e parë të numërimit të votave të kontestuara, apo votave të hedhura nga zgjedhësit në kutitë e gabuara, vota të cilat dolën nga hapja e 117 kutive të tri njësive në Tiranë, kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” Lulzim Basha doli fitues me 81 vota, kundrejt rivalit të tij të koalicionit “Aleanca për të Ardhmen” Edi Rama.
Gjatë këtij procesi KQZ funksionoi si një KZAZ e madhe e Tiranës, duke vendosur të lexojë të gjitha votat e zgjedhësve, të cilat aksidentalisht ishin hedhur prej tyre në kutitë e gabuara.
Votat e hedhura gabim rezultuan fillimisht në njësitë 5, 7 dhe 9 në kryeqytet, të shtunën e 21 majit, pas përmbylljes së numërimit të votave për kryetarin e bashkisë së Tiranës në KZAZ-në nr. 49, që i përket minibashkisë nr. 5 në kryeqytet.
KQZ vendosi t’i numërojë këto vota duke e argumentuar me faktin se është e drejtë legjitime e çdo zgjedhësi që ka hedhur votën në kuti.
Rezultati i dalë nga numërimi i votave të kontestuara përmbysi atë të dalë në 21 maj nga përfundimi i numërimit të votave në të 11 KZAZ-të e Tiranës, ku Edi Rama doli fitues me 10 vota.
Ky numërim votash u kontestua nga Partia Socialiste, duke e ankimuar rezultatin e KQZ-së.
mit/NOA