English

Tri arsyet pse opozita duhet të jetë në Kuvend

Nga Arben Malaj

Integrimi – si prioritet kombëtar

Kriza politike po e pengon vendin në rrugën e integrimit. Maxhoranca keqpërdor shumë kohë, fokus dhe kontakte partiake ndërkombëtare për të fajësuar opozitën si e vetmja arsye pse vendi nuk ecën përpara. Ky mentalitet dhe kjo strategji e saj nuk mund të fshehë problemet reale që ka sjellë keqfunksionimi demokratik i vendit. Bojkoti i Parlamentit ndryshon thelbin e prioriteteve të vendit. Faktori ndërkombëtar fokusohet te zgjidhja e krizës me çdo lloj formule, qoftë edhe sipërfaqësore. Afati kohor kur BE do të shprehet për vendimin e saj ndaj kërkesës sonë për pranimin si vend kandidat është në limitet kritike. Tetori është shumë afër. Partia Socialiste ka detyrim ndaj vendit të saj të mbështesë me kontribute konkrete integrimin e vendit. Parlamenti shqiptar duhet të kishte miratuar një rezolutë për reformat themelore që ofronte daljen nga kriza dhe bashkonte përgjegjësitë dhe kontributet e gjithë shqiptarëve për të ecur drejt BE-së.

Ekonomia – ku varet fati i të gjithë shqiptarëve

Këto ditë, Fondi Monetar Ndërkombëtar, në mënyrë publike paraqiti vlerësimet e tij për ekonominë tonë dhe kërkoi marrjen sa më parë të masave konkrete nga qeveria për ndaljen e përkeqësimit të stabilitetit fiskal të vendit. Rritja ekonomike është përgjysmuar, rritja e të ardhurave do të jetë e vështirë. Borxhi publik po rritet ndjeshëm, kostoja e tij po bëhet më e rëndë. Për të parandaluar situata më të vështira, sugjerohet deri edhe rishikimi i taksave. Kjo formulë ndërhyrjeje për të ruajtur stabilitetin e financave të vendit përfaqëson një kurë të fortë që bëhet e detyrueshme kur pacienti (ekonomia dhe financat publike) janë në risk të madh.

Qeveria pranon nën zë se mrekullia e taksave të ulëta ka mbaruar, ndërsa vizioni i saj se do ta mbajnë stabilitetin fiskal vetëm duke shkurtuar shpenzimet, ekonomikisht dhe politikisht nuk është zgjidhje. Ekonomikisht argumentohet se aplikimi i një reforme vetëm te shkurtimet e shpenzimeve mund të dëmtojë edhe vetë rritjen ekonomike, duke i bërë më të vështira sfidat e mbledhjes së të ardhurave dhe duke rritur shpenzimet sociale. Me një rritje ekonomike të ulët, deficiti dhe borxhi publik ka mundësi të rriten shpejt. Në kushtet kur barra e reduktimit të shpenzimeve mund të godasë më shumë sektorët socialë, arsimin, shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale, këshillohet që të përdoren masa antikrizë edhe në krahun e të ardhurave. Së pari, sepse ulet masa e shkurtimeve dhe, së dyti, kalimi i barrës së paketave fiskale vetëm te shkurtimet e përfitimeve të grupeve sociale më të ekspozuara nga kriza, rrit tensionet sociale në vend. Nëse nuk ndërmerren masa konkrete sa më parë, domosdoshmëria për shkurtime do të rritet, qeveria do të detyrohet të kalojë pjesën më të madhe të shkurtimeve te investimet; kjo ekonomikisht do të sjellë pasoja negative. Një problem konkret për ne është edhe fakti që, shpesh qeveria i “tregton” për publikun shkurtimet si kursime. Në fakt, mospagesat janë mënyra të fshehta të nivelit real të deficitit ose transferimit të një pjese të tij te vitet pasardhëse. Kjo konstatohet lehtësisht në analizën e buxhetit të viteve 2009-2011.

Me sfidat e ekonomisë së vendit duhet të përballet edhe opozita. Ne duhet të jemi në Parlament për të diskutuar ndryshimet në buxhetin e vitit 2011, që qeveria do ta sjellë e detyruar nga dështimi i mbledhjes së të ardhurave. Duhet të jemi në Parlament për të diskutuar buxhetin faktik të vitit 2010 sepse ai vërtetoi analizat dhe paralajmërimet e opozitës, duhet të bëhemi gati për oponencën për buxhetin e vitit 2012, duke synuar deri edhe në një buxhet alternativ, nëpërmjet ballafaqimit të prioriteteve të vendit dhe politikave fiskale.

Diskutimi i buxhetit është mundësia më e mirë që opozita të qartësojë keqpërdorimin e tij nga qeveria dhe njëkohësisht të bëjë propozime konkrete duke bërë të qartë dallimin. Rruga më e mirë për të fituar mbështetjen e opinionit publik, sidomos për reformat jetike, është që gjatë kohës në opozitë ne duhet të rrisim diskutimet dhe debatet publike, të paraqesim vizionin, strategjinë dhe disa elemente thelbësore të programit tonë.

Dalja nga kriza nuk mund të zvarritet më

Zgjedhjet në Tiranë morën një rëndësi të veçantë jo vetëm për shkak se ishin zgjedhjet për kryebashkiakun, por sidomos sepse ushqyen një tensionim të ri dhe një situatë të tejnxehur në politikën shqiptare. Nëse nuk duam që vonesa jonë të vërë në rrezik edhe zgjedhjet parlamentare 2013, ne duhet të përgatitim dhe paraqesim në publik dhe Parlament ofertën politike të PS-së për nxjerrjen e vendit nga kriza. Kjo oferte duhet të përmbajë tri kolona kryesore: reformën kushtetuese, reformën zgjedhore dhe reformën administrative. Reformat kushtetuese, elektorale dhe administrative duhen qartësuar dhe imponuar nëpërmjet opozitës parlamentare. Çdo mbështetje e kërkesave tona edhe me aktivitete të tjera politike, brenda dhe jashtë vendit, çdo mbështetje edhe me protesta paqësore, do të rrisë efikasitetin tonë politik vetëm nëse ne jemi opozitë parlamentare. Partia Socialiste duhet të mos vonojë edhe modernizimin e vetvetes, eliminimin e barrierave reale, të cilat pengojnë rritjen e efikasitetit të saj si opozita më e madhe e vendit sot dhe si mundësia më e mirë për të mirë qeverisur nesër.

Gazeta “Panorama”

KOMENTE