Tiranë, 25 qershor 2011 NOA- Një fundjavë ndryshe në selinë e Kuvendit ka sjellë ekspozimin e veshjeve tradicionale të gruas shqiptare në Shqipëri.
Ambasadorja e Britanisë së Madhe, Fiona Mcwllham theksoi se ky aktivitet nderon kulturën dhe historinë shqiptare.
“Janë veshje të mrekullueshme. Ky aktivitet është një mundësi shumë e mirë për t’i parë të gjitha bashkë këto veshje. Kam parë disa prej tyre në vende të ndryshme nëpër Shqipëri, por ky është një aktivitet i mrekullueshëm për të nderuar kulturën dhe historinë shqiptare”, tha Mcwllham ndërsa provonte një xhubletë.
Studiuesja e trashëgimisë kulturore, Prof. Dr. Afërdita Onuzi tha se “ ne kemi filluar të angazhohemi në mënyrë që të arrijmë riprodhimin sa më të saktë të këtyre veshjeve. Sa më saktë, sepse çdo krahinë ka identitetin e vet në veshjet popullore. Për këtë arsye që të kuptojmë që po del një grua nga Malësia e Madhe ajo duhet të vijë me xhubletën e saj, të riprodhuar në një mënyrë që ruan vlerat e kësaj xhublete”.
Për drejtorin e Teatrit të Operas dhe Baletit, Zhani Ciko veshjet shqiptare tregojnë se cila ka qenë aspirata e shqiptarit në shekuj për veshjen e tij, për paraqitjen, për marrëdhëniet shoqërore, për ditët e festës.
Ndërsa aktorja, aktualisht deputete në Kuvendin e Shqipërise, Rajmonda Bulku, krijime të tilla popullore janë vepra arti të çmuara që duhen ruajtur.
a.q/NOA