English

Fitorja e Lulzim Bashës, shpresë për paqësimin e politikës shqiptare

Nga Gani Qarri

Maratona për zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës përveç fitores së Lulzim Bashës, ajo i solli edhe demokracisë shqiptare një fitore të madhe, me ç`rast Basha u promovua si fitues i zgjedhjeve por edhe u dëshmua si realizues i suksesshëm i një metodë të re dhe tërësisht paqësore, për zhvillimin e fushatave zgjedhore, e cila ishte e pa sprovuar dhe gati e pa njohur deri më tani,për votuesit në Shqipëri.

Kandidati demokrat, arriti që për herë të parë të fus një frymë të re në fushatat zgjedhore, pas kaq votimesh të mbajtura në demokraci të cilat ku më shumë e ku më pak, pothuajse gjithmonë ishin të përcjella me probleme të shumta parazgjedhore dhe konflikte të stërzgjatura paszgjedhore në vend.

Basha mundi ta bindë votuesin tiranas dhe atë shqiptar në përgjithësi se kandidat serioz dhe fitues i adhuruar i një fushate zgjedhore, është ai i cili nuk përdor dhunë, kërcënim as sharje, siç ishte "zakon" deri më tani, por në vend të tyre ofron paqe, miqësi dhe bashkëpunim dashamirës me të gjithë.

Fushata e tij e bazuar në arsyen e shëndosh të paraqitjes evropiane,u karakterizua me cilësi të veçanta gjatë gjithë kohës,sepse ai në vend të fyerjeve,ofronte përshëndetje, në vend të kërcënimeve rrezatonte paqe dhe në vend të armiqësive ofronte bashkëpunim dhe miqësi, gjeste këto të cilat na bëjnë të gjithëve pa dallim, që të kemi besim të pa lëkundur tek Lulëzim Basha, për mënyrën e re të zhvillimit të një politike të avancuar dhe paqësore nga ana e tij edhe në të ardhmen.

Lulzim Basha, për herë të parë pas kaq vitesh, ndërtoi një mënyrë të re paraqitjeje në fushatat zgjedhore, në Tiranë dhe Shqipëri, ndaj kandidati demokrat mori edhe miratimin e elektoratit kryeqytetas, duke e shpërblyer atë dhe paraqitjen e tij të moderuar e njerëzore, me votat e tyre për të udhëhequr me Tiranën në katër vjetët e ardhshme.

Fushata e zhvilluar nga ai, ishte realiste e ndershme e butë dhe humane me premtime të realizueshme, për plotësimin e nevojave primare të qytetarit shqiptar në Kryeqytet. Ai ofroi frymë pozitive me devotshmërinë dhe mentalitetin e një politikani të ri evropian duke nderuar edhe mentalitetin e përparuar të kryeqytetasve shqiptar,të cilët janë ngopur nga fushatat plot sharje e ofendime nga më të ndryshmet, për dekada me radhë.

Kandidati demokrat, në këto zgjedhje, u dëshmua si politikan me vizion për të ardhmen evropiane të shqiptarëve, ndaj edhe fushata e tij paqësore zgjedhore u pëlqye dhe votua nga dhjetëra mijëra qytetarë të nderuar të Tiranës të cilët me verdiktin e tyre duan që Basha si udhëheqës i ri të vazhdojë zhvillimin e politikës shqiptare mbi këtë parim në rrugëtimet e integrimeve të mëtejme euroatlantike të vendit.

Lulzim Basha, dha edhe një mesazh të qartë tek zgjedhësit kryeqytetas dhe ata shqiptar se ai mbetet faktor premtues në orientimin e shqiptarëve për ndryshimin dhe paqësimin e metodave "luftarake" gjatë zhvillimit të fushatave zgjedhore në Shqipëri dhe shqiptarët kudo, duke u bërë shembull me sinqeritetin e treguar, gjakftohtësinë e pashembullt, sjelljen e matur, durimin e pa fund paqësor dhe vizionin e tij për reformime në gjithë hapësirën shqiptare.

Ndaj bashkë me përgëzimet e përzemërta të shqiptarëve për fitoren e Lulzim Bashës, ata urojnë nga zemra, moderimin dhe paqësimin edhe të politikanëve tjerë shqiptar, në fushatat e ardhshme politike në Shqipëri dhe më gjerë, kudo jetojnë shqiptarët.

KOMENTE
  • Alban Memushi16:09 - 26 Qershor 2011
    O gani po nuk fitoi basha por e vodhi sala se po te ishte per bashen me tere mundimin duke zgjeruar listat zgjedhore me katunar duke hedh vota teper duke paguar millon te mirte 1500 vota e pan si shqiptaret dhe te jashtmit se ne fund ai humbi me 10 vota. Ket mendimin tend ne shkrim e shikoj aq bosh sa dhe trupin tend dhe koken tende . Ore po mjaft ti lepieni pushtetit jeni bere si ato kurvat qe si vin keq per dinjitetin por e kane mendjen si te bejn me shume para!.