English

Gjilpëra e Ramës e gjetur në kashtë

Nga Andi Bushati

Gara për Bashkinë e Tiranës me sa duket do të përfundojë sërish në dyert e drejtësisë. Pas mbarimit të numërimit nga KQZ-ja të votave të hedhura në kutitë e gabuara, socialistët, sipas të gjitha gjasave, do të ankimojnë për të tretën herë në Kolegjin Zgjedhor, duke rishtruar përpara opinionit pyetjen nëse drejtësia mund të bëjë drejtësi.

Në rastin e parë, vendimi i Kolegjit ishte në përputhje të plotë me dëshirat e Partisë Demokratike. Ai u hartua kundër të gjitha dyshimeve që kishin ngritur, jo vetëm shumë faktorë vendës, por edhe personalitete të larta të BE-së dhe raporti paraprak i OSBE –ODHIR-it.

Në rastin e dytë, ai nuk i kënaqi në maksimum kërkesat e demokratëve, për të mbyllur me arrogancë dhe shpejt e shpejt një betejë politike të koklavitur. Por ai vetëm u mundua t’i japë një kornizë disi më të pranueshme një përfundimi gjithsesi të paracaktuar.

Dhe tani koha e këtij përfundimi ka ardhur. Me gjithë kërkesën e re që pritet të bëjë opozita, atë për pavlefshmëri të zgjedhjeve, (sepse sipas saj nuk mund të jetë i pranueshëm një rezultat që ndahet me një diferencë nga 10 deri në 100 vota dhe për të nxjerrë atë janë gjendur në kuti mbi 350 fletë më shumë se njerëz që kanë votuar), pretendimet e saj kanë pak gjasa të merren parasysh. Sado të gjetura të mund të jenë argumentet e rij juridikë të socialistëve, pak kush beson se drejtësia do të arrijë të kundërshtojë një vendim që është paracaktuar në tryezat e pushtetit politik.

Pothuajse të gjithë tashmë janë të bindur se ky kalvar i gjatë do të mbyllet në dëm të kërkesave të opozitës, aq sa thirrjet: “të lëmë drejtësinë të qetë pa e paragjykuar”, duken krejtësisht qesharake.

Dhe një përfundim i tillë nuk vjen vetëm nga arsyet historike, ku, ashtu siç dihet, në të gjitha rastet kur drejtësia është vënë në provë për çështjet e mëdha, ajo ka anuar nga ana e pushtetit. Ky përfundim bazohet edhe në rastet e ditëve të fundit. Tri ngjarje të këtyre pak kohëve, që kanë kaluar nga gjykatat, na tregojnë të njëjtën gjë. Na dëshmojnë të njëjtën frikë.

Këto ditë seancat e turpshme të procesit të strërzgjatur të Gërdecit po na kujtojnë se për një nga krimet më të mëdha të 20 viteve të fundit, nuk ka në qelitë shqiptare asnjë njeri që vuan pasojat e asaj ngjarjeje të tmerrshme. Viktimat më kot kërkojnë të drejtën mes proceseve që shtyhen apo mbyllen pa u hapur ende.

Një tjetër rast është ai i dënimit me 10 milionë lekë i deputetes socialiste Ermonela Felaj, për shpifje. Natyrisht kjo grua, që si shumë të singjashme të saj në politikë, është mësuar të lexojë pa u menduar letrat që serviren nga zyrat qendrore të partisë, mund ta ketë kryer këtë akt për të cilin është dënuar. Por problemi nuk është këtu. Problemi është te dy standardet. Pak kohë më parë drejtësia shqiptare e konsideroi të pafajshëm Kryeministrin e vendit, që kishte sharë në mënyrë monstruoze një grua. E konsideroi gjithashtu të pafajshëm Sali Berishën në shpifjet e pabazuara e të pa vërtetuara bërë ndaj bizneseve të mëdha. Atëherë pyetja që shtrohet është: Pse fyerjet e Berishës qenkan të pa ndëshkueshme dhe fyerjet e një opozitareje u dënuakan? Pikërisht këtu vijmë te problemi i dy standardeve. Të cilat zbatohen vetëm në bazë të një kriteri. Ato janë të buta dhe të tolerueshme për të pushtetshmin dhe për të fortin. Ato janë ndëshkuese për më të dobëtin dhe për viktimën.

Pikërisht këtë gjë vërteton edhe një tjetër proces, i mbajtur këto ditë në Gjykatën e Tiranës. Ai nxori fajtor dhe dënoi me 1 vit burg një ditëzi plot halle, pronarin e një Mercedesi 240, H. Troksin, i cili më 21 Janar kishte gërvishtur me makinën e tij derën e zezë të Kryeministrisë. Natyrisht që rasti i këtij burri 50-vjecar mund të përbëjë një kundërvajtje penale. Natyrisht, me gjithë pretendimet e tij me zë të mekur, në proces, se Mercedesin ia kishin rrëmbyer, ai mund të jetë gjetur fajtor. Por kur mendon më gjerë, se, sipas gjykatave tona, ai është fajtori i vetëm i deritanishëm për 21 Janarin, kjo është një ironi therëse. Ne nuk kemi ende asnjë të dënuar për katër vrasje, por tashmë kemi një të dënuar për dëmtimin e një dere objekti.

Këto raste të përmendura i takojnë vetëm kronikave të dhjetë ditëve të fundit, por po t’ua mbivësh ato dhjetëra të tjerave, kur drejtësia shqiptare ka favorizuar më të fortin dhe ka ndëshkuar viktimën, pasqyra bëhet edhe më e plotë. Dhe është kjo pasqyrë që na tregon se pse gjithnjë qytetarët shqiptarë, në të gjitha sondazhet e bëra, shprehen në shumicë se nuk kanë besim te sistemi ynë i së drejtës. Tek i njëjti sistem që liron një biznesmen që vret dhe që s’i jep të drejtë një vajze që vdes. Që nxjerr nga burgu një badigard dhe që detyron me heshtje të qëlluarin prej tij. Që refuzon të gjykojë një politikan, duke djegur me procedura paditë kundër tij.

Për të kuptuar sesa larg jemi, është mirë të sillet një shembull nga ShBA. Kur policia e Nju-Jorkut çoi me pranga në duar së sallën e gjykatës një nga njerëzit më të fuqishëm të financave botërore, njeriun që kishte një plan për shërimin e krizës greke dhe që shihej nga sondazhet si Presidenti i ardhshëm i Francës, e gjithë bota u shokua. Ish-drejtori i përgjithshëm i FMN-së, Domenik Stros-Kan, akuzohej se kish përdhunuar një kameriere hoteli. Dhe një pjesë e mirë e komenteve të opinionistëve që e njohin sistemin e drejtësisë të përtej Atlantikut, bashkoheshin në një pikë, në atë se sa vështirë do ta kishte ky burrë i fuqishëm që të dilte i pafajshëm. Sepse në thelb, thoshin ata, për drejtësinë e SHBA-ve, klisheja e njeriut të pasur, të pushtetshëm dhe të bardhë, që akuzohet, nuk mund të fitojë lehtësisht mbi klishenë e një akuzueseje të varfër, me ngjyrë dhe emigrante.

Pra, në thelb ata nënvizonin një “padrejtësi” që është në thelbin e vendosjes së drejtësisë, mbrojtjen e më të dobëtit, më të pafuqishmit atij që ka më pak mjete për t’i dalë zot vetes.

Për fatin tonë të ndryshëm, sistemi shqiptar i së drejtës vepron në mënyrë krejt tjetër. Ato pak raste që u përmendën, janë të mjafta që ta tregojnë këtë tendencë të provuar edhe historikisht.

Për t’u rikthyer te zgjedhjet, a nuk kanë vepruar në të njëjtën mënyrë gjykatat shqiptare kur i rrëmbenin opozitës (atëherë asaj demokrate) mandatet e vitit 2001 në tavolinë? A nuk kanë vepruar kështu sa herë që vullneti i pushtetit ka qenë i qartë për t’i dhunuar ato?

Ndoshta këto pyetje dalin e teprojnë për të treguar se ç’do ndodhë edhe këtë radhë, kur vullneti i partisë në pushtet është i qartë, për zgjedhjet e Tiranës. Vështirë se mund të ketë gjykatës që ta ndalojnë atë. Të njëjtët gjyqtarë që dje sanksionuan parimin që çdo votë e popullit duhet numëruar, nuk është çudi që nesër, pa u vënë fare në siklet, të marrin vendim që çdo votë e “rënë nga qielli” duhet harruar. Dhe kështu afro 350 votat tepër, të prodhuara nga nuk dihet se çfarë votuesi, të bëhet sikur nuk janë.

Nuk ka rëndësi nëse, në gjykimin e ardhshëm në Kolegj, debati ligjor do të jetë ky apo një tjetër. Rëndësi ka pikëpyetja se a do arrijë drejtësia jonë të mos aplikojë, si gjithnjë, sistemin e dy standardeve?

Deri më tani thelbi i gjykimit të asaj çka ndodhi në garën politike të Tiranës ka qenë ky: që një rezultat i ngushtë (ai i 14 majit, që nxori Ramën fitues me 10 vota) kërkon shqyrtimin e çdo artifici që mund ta ndryshojë atë. Çdokush që mund të pretendonte të gjente gjilpërën në kashtë, duhej dëgjuar dhe duhej respektuar, sepse rezultati ishte lehtësisht i këmbyeshëm. Instalimi i këtij parimi e nxori liderin e opozitës humbës me 95 vota. Tani i takon atij të kërkojë një artific. I takon atij të gjejë gjilpërën në mullarët e kutive, me mbi 350 vota që s’dihet se nga vijnë. A do të merret parasysh kjo kërkesë? A do përdoret edhe në këtë rast i njëjti standard? Pak kush beson se po. Sepse në gjykatat tona vazhdon të funksionojë e njëjta peshore. Jo ajo e argumenteve ligjore. Jo ajo e standardeve të njëjta. Por ajo e krahasimit mes të fuqishmit ose jo. Mes atij që është në pushtet dhe atij që është në opozitë.

Gazeta "Mapo"

KOMENTE