Tiranë, 26 Qershor 2011 NOA/ Ervin Tirana - Konfindustria, shpreh kundërshtimin e saj për planin e Fondit Monetar Ndërkombëtar – FMN që parasheh rritje taksash për të plotësuar rënien e të ardhurave në buxhetin e shtetit.
Propozimi i FMN ishte shprehur në takimin trepalësh të ditëve të fundit me përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe Bankës së Shqipërisë për rritjen e taksave si mënyrë për të plotësuar rënien e të ardhurave fiskale në buxhetin e shtetit në 6 mujorin e parë të vitit 2011, në kushtet e rënies së rendimentit fiskal të ekonomisë shqiptare.
Gjergj Buxhuku, Administrator i Përgjithshëm i Konfindustria, tha sot për agjencinë e lajmeve NOA se skenari i rritjes së taksave në kushtet e sotme do të thotë, që përveç pasojave të rënda sociale do të shkaktoj uljen e mëtejshme të kërkesës së brendshme dhe fuqisë blerëse edhe kështu mjaft e ulët, duke rrezikuar seriozisht, që ekonomia kombëtare të hyj në një rreth të mbyllur, që vë në dyshim mundësitë dhe shpresat për rritje në të ardhmen.
Të dhënat e 3 mujorit të pare të vitit 2011 flasin qartë për uljen e dukshme të treguesve të konsumit dhe mbështesin arsyetimin e mësipërm, - thekson Buxhuku.
Nga ana tjetër ai vlerësin se rritja e taksave, në kushtet kur nevoja për tërheqjen e investimeve është e madhe në të gjithë vendet e rajonit do të thotë drejtpërdrejt një ulje të forcës konkurruese të Shqipërisë në garën e ashpër në zhvillim e sipër ndërmjet vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor duke shtuar ketu edhe Greqinë e prekur rëndë nga kriza financiare.
Kurse lëshon një tjetër konstatim: “Ndryshimi kaq i shpejtë në pak vite me drejtim rritje të nivelit të taksave në Shqipëri i propozuar nga FMN do të ishte një sinjal negativ për investitorët e vendit dhe të huaj për qëndrueshmërinë e politikave fiskale të qeverisë shqiptare me pasoja të rënda në afatgjatë për ekonominë kombëtare.”.
e.t/NOA