English

KQZ: Arsyet pse Basha është fitues i garës në Tiranë

Tiranë, 26 qershor 2011, NOA – Pas shpalljes së Lulzim Bashës fitues i garës për kryebashkiak të Tiranës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zbardhur arsyet e kësaj fitoreje, të ardhur pas ekzekutimit të vendimit të Kolegjit Zgjedhor dhe pas përfundimit të procesit të numërimit të votave të hedhura në kutitë e gabuara, kur KQZ vendosi miratimin e tabelave të hartuara nga grupet e numërimit në KQZ, dhe tabelën përmbledhëse të bashkisë së Tiranës.

KQZ vendosi “Të miratojë Tabelat Model 58-11 të hartuara nga Grupet e Numërimit të KQZ, bashkëlidhur këtij vendimi, sipas aneksit 1, bashkëlidhur këtij vendimi. Të miratojë tabelën përmbledhëse të rezultateve të qendrave të votimit të ZAZ nr. 49 sipas aneksit nr.2, bashkëlidhur këtij vendimi. Të miratojë Tabelën Përmbledhëse të Rezultatit për Kryetar për zonën zgjedhore Bashkia Tiranë, sipas tabelës së aneksit nr.3, bashkëlidhur këtij vendimi dhe të shpallë fitues, z. Lulzim Xhelal Basha, propozuar nga Koalicioni Aleanca për Qytetarin”, thuhet në vendimin e zbardhur në faqen zyrtare të KQZ-së.

KQZ sqaron se vendimi i Kolegjit Zgjedhor i marrë në 13 qershor e urdhëronte institucionin kryesor zgjedhor të hapte, rinumëronte dhe rivlerësonte votat e kontestuara në kutitë e pahapura të materialeve zgjedhore për Bashkinë Tiranë, në 368 Qendra Votimi, për kryetarin e Bashkisë Tiranë, Këshillin e Bashkisë Tiranë, Kryetarin e Njësisë Bashkiake dhe Këshillin e Njësisë Bashkiake, për votat që nuk janë hedhur në kutitë respektive, të së njëjtës Qendër Votimi.

Sipas KQZ-së mbi bazën e këtyre votave do të shpallej edhe tabela përmbledhëse e rezultateve për Kryetarin e Bashkisë Tiranë.

Gjithashtu, KQZ bën me dije se Partia Socialiste u lejua të merrte pjesë e kqyrte procesin e transportit dhe ruajtjes së kutive të votimit të Bashkisë Tiranë nga ambientet e KQZ-së në Lundër deri në sallën e mbledhjeve të KQZ-në në Pallatin e Kongreseve.

KQZ-së në zbatim të vendimit të Kolegjit KQZ hapi 1793 kuti votimi për Bashkinë Tiranë, duke ngritur tetë grupe numërimi në ndihmë të KQZ-së, me punonjës të administratës së saj, ndërkohë që pranë çdo grupi numërimi subjektet zgjedhore të PS dhe PD caktuan nga një vëzhgues.

“KQZ, në të gjitha rastet kur gjatë procesit të hapjes së kutisë, vlerësimit të fletëve të votimit nga anëtarët e Grupit të Numërimit, pati kontestime për procedurën ose vlerësimin e votave, i zgjidhi ato me vendim të ndërmjetëm”, sqarohet më tej.

Sikundër edhe u pa gjatë procesit, gjatë zbatimit të kësaj procedure, KQZ thekson se grupet e numërimit të KQZ-së, në disa raste, konstatuan se disa fletë votimi të hedhura gabim që ndodheshin brenda në kuti votimi, por jashtë zarfave të votave të pavlefshme dhe zarfave të votave të kontestuara.

KQZ argumenton më tej se “Pavarësisht se u kërkua që këto vota të mos vlerësoheshin, KQZ çmoi se numërimi dhe vlerësimi i këtyre votave të hedhura gabim është detyrim i drejtpërdrejtë që buron nga zbatimi i vendimit të Kolegjit Zgjedhor nr.67, i cili urdhëronte numërimin e këtyre votave pavarësisht zarfit ku gjendeshin ato, leximin me çdo kusht të vullnetit të zgjedhësve dhe jo refuzimin e tij për shkaqe apo rrethana strikt administrative”.

Sipas KQZ-së, gjetja e këtyre fletëve jashtë zarfit, por brenda kutisë së votimit nuk i bënte këto vota të pavlefshme.

KQZ pas hapjes së zarfeve numëroi të gjitha fletët e votimit të vlefshme dhe fletët e votimit të pavlefshme, nga ku rezultoi se për kandidatin Edi Kristaq Rama gjendeshin në kuti 362 ftetë, kurse për kandidatin konkurues Lulzim Xhelal Basha gjendeshin 329 fletë.

“Numri i fletëve të vlefshme për çdo subjekt brenda në kuti korrespondonte më numrin e votave për çdo subjekt të shënuar në Tabelën e Rezultatit të Grupit të Numërimit të KZAZ-së”, thuhet në arsyetimin e KQZ.

Në këtë kuptim KQZ sqaron pjesën arsyetuese të vendimit që çoi mbrëmë në shpalljen e Lulzim Bashës fitues i garës për kreun e bashkisë së kryeqytetit me 93 vota.

mit/NOA

Më tej arsyetimi i plotë i KQZ-së.

“....Në këtë kuptim hetimi administrativ nëpërmjet hapjes, këqyrjes dhe vlerësimit të të gjitha fletëve të hedhura jo në kutinë përkatëse, pavarësisht nga zarfi ku ndodhen (zarfi i fletëve të pavlefshme apo zarfi i fletëve të kontestuara), pavarësisht faktit nëse ka apo jo shënime në librat e protokollit të KZAZ-ve, që reflektojnë mosmarrëveshjet në vendimarrje në lidhje më këtë fletë, i shtrirë në 117 kuti tashmë duhet të shtrihet në diferencën e QV-ve, në zonën zgjedhore të Bashkisë Tiranë, që përfaqëson 368 QV-të, të patrajtuara më parë, ose më gjerë. Ky hetim i plotë do të kryehet në të gjitha kutitë e votimit: kutia e votimit për Kryetarin e Bashkisë, Këshillin e Bashkisë dhe do të përfshijë fletët e votimit të hedhura jo në kutinë përkatëse, të veçuara qoftë në zarfat e fletëve të kontestuara apo të pavlefshme (pavarësisht nga vend-ndodhja e tyre, zarfi i fletëve të votimit të pavlefshme apo të kontestuar). Procedurë kjo e cila është ndjekur nga vetë KQZ, për aq sa ajo ka hetuar. Rezultatet e vlerësimit të votave duhet të pasqyrohen në procesverbalet e mbledhjes së KQZ-së dhe në tabelat përkatëse...” Për ekzekutimin e plotë të pikës 3 të vendimit të lartpërmendur të Kolegjit Zgjedhor nisur dhe nga analiza e pjesës arsyetuese së tij, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konstatoi e më pas përcaktoi saktë listën e qendrave të votimit dhe kutitë përkatëse të tyre, të cilat iu nënshtruan këtij ekzekutimi dhe burimet njerëzore pë realizmin e tij. Ndërkohë, Partia Socialiste e Shqipërisë i kërkoi KQZ-së që persona të autorizuar prej saj të këqyrin procesin e transportit të kutive të votimit nga ambientet e KQZ-së në Lundër deri në sallën e mbledhjeve të KQZ-së në Pallatin e Kongreseve. Gjithashtu, Partia Socialiste e Shqipërisë kërkoi që përvec përsonave të ngarkuar nga KQZ për ruajtjen e kutive të votimit në ambientet ku mbahen kutitë votimit, të ketë të pranishëm dhe persona të autorizuar nga Partia Socialiste, për ruajtjen dhe këqyrjen e tyre 24 orë. KQZ pranoi kërkesën e Partisë Socialiste dhe përfaqësues të saj ndoqën procesin e transportit dhe ruajtjes së kutive të votimit të Bashkisë Tiranë nga ambientet e KQZ-së në Lundër deri në sallën e mbledhjeve të KQZ-në në Pallatin e Kongreseve. Në zbatim të vendimit të kolegjit zgjedhor nr. 67, datë 13.03.2011, KQZ hapi 1793 kuti votimi për Bashkinë Tiranë, duke ngritur tetë grupe numërimi në ndihmë të KQZ-së, me punonjës së administratës së saj. Pranë çdo grupi numërimi subjektet zgjedhore PS dhe PD caktuan nga një vëzhgues. KQZ, në të gjitha rastet kur gjatë procesit të hapjes së kutisë, vlerësimit të fletëve të votimit nga anëtrët e Grupit të Numërimit, pati kontestime për procedurën ose vlerësimin e votave, i zgjidhi ato me vendim të ndërmjetëm. Gjatë zbatimit të kësaj procedure, grupet e numërimit të KQZ-së, në disa raste, konstatuan se disa fletë votimi të hedhura gabim ndodheshin brenda në kuti votimi, por jashtë zarfave të votave të pavlefshme dhe zarfave të votave të kontestuara. Pavarësisht se u kërkua që këto vota të mos vlerësoheshin, KQZ çmoi se numërimi dhe vlerësimi i këtyre votave të hedhura gabim është detyrim i drejtpërdrejtë që buron nga zbatimi i vendimit të Kolegjit Zgjedhor nr.67, i cili urdhëronte numërimin e këtyre votave pavarësisht zarfit ku gjendeshin ato, leximin me çdo kusht te vullnetit të zgjedhësve dhe jo refuzimin e tij për shkaqe apo rrethana strikt administrative. Së pari, gjetja e këtyre fletëve jashtë zarfit, por brenda kutisë së votimit nuk i bën dot këto vota të pavlefshme. Së dyti, këto vota u gjetën në kuti, siguria dhe integriteti i të cilave nuk mund të vihej dhe nuk u vu në dyshim nga asnjëra nga palët pjesëmarrëse. Kodet e sigurisë ishin të dokumentuara jashtë çdo dyshimi dhe aksesi në kuti mund të bëhej vetëm duke i thyer këto kode sigurie. Së treti, fakti që këto fletë nuk u gjetën brenda zarfit me votat e pavlefshme apo zarfit me votat e kontestuara provon vetëm efektin që ka sjellë mungesa e udhëzimeve dhe rregullave të posacme në manualet e punës së GNV-ve dhe KZAZ-ve për këtë cështje, dhe veprimin në në mënyra alternative nga ana e tyre. Në të gjitha këto raste KQZ verifikoi zarfin e fletëve të pavlefshme dhe zarfin e fletëve të kontestuara dhe konstatoi se në këto zarfe GNV-të nuk kishin futur asnjë fletë votimi të kësaj kategorie. Përfundimi është i qartë jashtë çdo lloj dyshimi: këto fletë votimi nuk ishin hedhur më pas. Ato janë mbajtur jashtë zarfeve respektivë nga GNV-të me arsyetimin se nuk i përkisnin kutisë përkatëse të votimit dhe për pasojë nuk mund të administroheshin si pjesa tjëtër e fletëve të votimit që i përkasin kësaj kutie. Gjatë zbatimit të kësaj procedure grupet e numërimit të KQZ-së, në disa raste konstatuan se në procesverbalet e hartuara nga ana e GNV-ve të KZAZ-ve respektive, në momentin e mbylljes se numërimit nuk kishin shënuar në tabelën e rezultateve të Grupit të Numërimit Model 56-11 kodin e pestë të kutisë së votimit (124 raste).

Edhe në këtë rast subjekti elektoral Partia Socialiste e Shqipërisë kërkoi që këto kuti të mos hapeshin për shkak se mungesa në tabelën e rezultatit e të dhënave për kodin e pestë (kodi që mbyll dhe izolon hapësirën në të cilën futet fleta e votimit), cënonte integritetin e kutisë së votimit. Komisioni Qendor i Zgjedhjeve konstatoi dhe provoi se në të gjitha këto raste nuk bëhej fjalë për mungesë fizike të kodit të pestë të sigurise. Hapësira në fjalë ishte e mbyllur dhe izoluar sipas kërkesave të Kodit Zgjedhor me kod sigurie të pacënuar. Numri identifikues i këtij kodi, përveçse në tabelën e rezultatit Model 56-11 që hartohet dhe firmoset nga GNV-ja e KZAZ-së përkatëse, shënohet sipas Kodit Zgjedhor edhe në procesverbalin e mbylljes së kutisë së votimit nga Komisioni i Qendrës së Votimit dhe në Librin e protokollit të mbledhjeve të KQV-së. Ky numër identifikues shënohet gjithashtu edhe në procesverbalin Model PV-KZAZ-13, procesverbal i dorëzimit të kutive të votimit nga KZAZ-ja në KQZ. Kodi i pestë i sigurisë vendoset nga KQV-ja menjëherë pas mbylljes së procesit të votimit dhe mbetet i pandryshuar gjatë gjithë fazave të mëtejshme të procesit. Pra, saktësia e numrit identifikues të këtij kodi provohet nëpërmjet verifikimit të tij në: - librin e protokollit të mbledhjeve të KQV-së, - në procesverbalin e mbylljes së votimit, i cili fillimisht nga KQV-ja futet në kutinë e materialeve zgjedhore dhe më pas grupi i numërimit në përfundim të procesit të numërimit, e fut në kutinë e fletëve të votimit, - në procesverbalin e marrjes në dorëzimit të kutive në KZAZ nga KQV-ja (PV. Model PV KZAZ 09), i cili depozitohet në KZAZ, - ose në procesverbalin e dorëzimit nga KZAZ-ja të kutive të votimit (Pv. Model PV-13), në KQZ (i cili gjendet pranë KQZ-së). Saktësia e numrit identifikues të kodit të pestë vërtetohet nga njëri prej këtyre procesverbaleve dhe kështu pretendimi i ngritur nga subjekti në fjalë u rrëzua, sepse mungesa e shënimit për kodin e pestë në tabelën e rezultatit të qendrës së votimit nuk shfuqizon shënimin lidhur me numrin identifikues të kodit të pestë në dokumentat e tjera zgjedhore të listuara më sipër. Kopje të këtyre dokumentave zgjedhorë disponojnë, si anëtarë të KQV-së dhe vëzhguesve të partive parlamentare në KQV, ashtu dhe kryetari, zv.kryetarit i KQV-së dhe punonjësi i policisë që shoqëron kutitë për në VNV, si dhe kryetari, zv. kryetari dhe sekretari i KZAZ-së në momentin që dorëzon kutitë e votimit në KQZ. Gjatë hetimit administrativ, në zbatim të vendimit të gjykatës KQZ-ja, sa herë u konfrontua nga subjekti zgjedhor Partia Socialiste me kontestimin për mungesën e shënimit të numrit të kodit të pestë të sigurisë në tabelën e rezultateve të Grupit të Numërimit Model 56-11, ndërmorri verifikimin, kryesisht të numrit të këtij kodi sigurie me procesverbalin Model PV-KZAZ-13, procesverbal i dorëzimit në KQZ nga KZAZ-ja të kutive të votimit dhe në proceseverbalin e mbylljes së kutisë së votimit.

Nga ky verifikim, për të gjitha kutitë e cituara në këtë pikë, KQZ-ja konkludoi jashtë çdo lloj dyshimi, se kodet e pesta të sigurisë ishin të pacënuara, ishin po ato kode që ishin vendosur nga Komisionet e Qendrave të Votimit, në momentin e mbylljes së votimit. Nga analiza ligjore e rastit dhe e fakteve dhe rrethanave të pretenduara KQZ-ja konstatoi se pretendimi i paraqitur nga subjekti zgjedhor për ndërrim të kodeve, vetëm për shkak se në njërin nga dokumentat zgjedhorë nuk ishte reflektuar numri i kodit të pestë të sigurisë, ishte i pambështetur në fakte dhe në prova.

Si subjekt zgjedhor, Partia Socialiste disponon të gjithë dokumentacionin e nevojshëm provues që mbështët apo rrëzon një pretendim të tillë. Fakti që subjekti zgjedhor Partia Socialiste nuk e shoqëroi pretendimin me dokumentacionin provues që disponon do të thotë se në fakt dokumentacioni provues rrëzon pretendim dhe për këtë arsye ai nuk u paraqit gjatë procesit të hetimit administrativ.

Në këto rrethana, KQZ vendosi të rrëzonte kërkesën për mos-hapjen e këtyre kutive, sepse subjekti zgjedhor pretendues nuk paraqiti asnjë provë në mbështetje të pretendimit të vet për ndërrim të kodit të pestë të sigurisë, sepse u provua gjatë hetimit administrativ se kodet e pesta të sigurisë në të gjitha rastet e sipërcituara nuk ishin cënuar apo ndërruar dhe sepse integriteti i këtyre kutive, për këtë shkak, nuk mund të vihej në dyshim. Gjatë zbatimit të kësaj procedure, në vijim, grupet e numërimit të KQZ-së, në dy raste konstatuan se në dy kuti votimi mungonte kodi i pestë i sigurisë, në në kutinë e votimit për Kryetar Bashkie të QV-së nr. 1714, KZAZ nr. 46, dhe kutinë e votimit për Këshillin e Bashkisë të QV-së nr. 19801. Subjektit zgjedhor Partia Socialiste kërkoi që të mos hapeshin këto kuti për shkak se mungesa e kodit të pestë cënonte integritetin e tyre. Në të dy rastet KQZ, përpara se të procedonte me zbatimin e urdhërimeve të Kolegjit Zgjedhor, vendosi të bëjë hetim të thelluar për të parë nëse ishte de facto cënuar integriteti i këtyre kutive. Nga hetimi i thelluar rezultoi:

Së pari se, zarfet me fletët e votimit të cilat ishin që të gjitha të mbyllura dhe me firmat e personave përgjegjës nuk mund të futeshin nga e çara e kutisë së votimit që mbyllet dhe izolohet me kodin e pestë të sigurisë. Së dyti, nga hetimi i thelluar rezultoi se jashtë zarfave të fletëve të votimit nuk kishte asnjë fletë votimi. Së treti, zarfat në kuti ishin të gjithë mbyllur, të nënshkruar nga numëruesi i parë dhe sekretari i Grupit të Numërimit. KQZ hapi zarfat dhe numëroi të gjitha fletët e votimit të vlefshme dhe fletët e votimit të pavlefshme. Nga ky numërim rezultoi se për kandidatin Edi Kristaq Rama gjendeshin në kuti 362 ftetë, kurse për kandidatin konkurues Lulzim Xhelal Basha gjendeshin 329 fletë. Numri i fletëve të vlefshme për çdo subjekt brenda në kuti korrespondonte më numrin e votave për cdo subjekt të shënuar në Tabelën e Rezultatit të Grupit të Numërimit të KZAZ-së.

Fletët e Votimit të pavlefshme, brenda në zarfin e fletëve të votimit të pavlefshme, korrenspodonin me numrin e votave të pavlefshme të shënuara në Tabelën e rezultatit të Grupit të Numërimit të KZAZ-së. Në këto kuti nuk kishtë asnjë fletë votimi, të cilat nuk i përkisnin kutisë përkatëse. Të gjitha fletët e votimit kishin ngjyrë madhësi dhe formë me fletët e votimit të miratuara dhe të prodhuara nga KQZ dhe në pjesën e pasme të tyre kishin vulat e kryetarit dhe të sekretarit të qendrës së votimit përkatësë. Hetimi i thelluar administrativ provoi se integriteti i këtyre dy kutive ishte de facto i pacënuar. Në këto rrethana KQZ vendosi të procedonte me zbatimin e urdhërimeve të Kolegjit Zgjedhor për numërimin e votave të hedhura gabim. Grupi i numërimit të KQZ-së konstatoi se në zarfin e votave të pavlefshme dhe në zarfin e votave të kontestuara nuk kishtë asnjë fletë votmi të hedhur gabim, që nuk i përkiste asaj kutie. Në këto rrethana kërkesa e subjektit zgjedhor Partia Socialiste e Shqipërisë u rrëzua për shkak se u vërtetua se, integriteti i këtyre dy kutive nuk ishte i cënuar dhe se këto kuti nuk sillnin efekt në zbatimin e vendimit të Kolegjit Zgjedhor.

Gjatë zbatimit të kësaj procedure KQZ, konstatoi se 8 kuti në momentin e transportit të tyre për në KQZ, në zbatim të vendimit të Kolegjit Zgjedhor, ishin dëmtuar fizikisht në përmasa të ndryshme. Kutitë e dëmtuara ishin, kutia për kryetar bashkie e qv. Nr. 1963/2, kutia e këshillit të njësisë bashkiake e QV. Nr.1696, kutia e këshillit të njësisë bashkiake e QV. Nr. 1789, kutia për kryetar të njësisë bashkiakë e QV. Nr. 1807, kutia për këshillin e njësisë bashkiake për QV. Nr. 1861/1 e KZAZ nr.50, kutia për kryetarin e Bashkisë Tiranë dhe këshillin e Bashkisë Tiranë për qv. Nr. 1959, kutia për këshillin e njësisë bashkiake për qv. Nr. 1960.

Nga ana e subjektit zgjedhor Partia Socialiste e Shqipërisë u kërkua që të mos hapeshin këto kuti për shkak se ishte cënuar integritetin i tyre.

KQZ me vendim të ndërmjetëm, në mbështetje të nenit 138 të Kodit Zgjedhor, vendosi të bëjë hetim të plotë administrativ për këto kuti, lidhur me këqyrjen nga jashte të kutisë dhe verifikimin nëse ky dëmtim e bën të mundur ndërhyrjen në materialin zgjedhor, verifikimin nëse kishte pasur de facto ndërhyrje në materialin zgjedhor. KQZ kreu rast pas rasti eksperimentin nëse, pa e dëmtuar më tej kutinë, bëhej e mundur nxjerrja e materialit zgjedhor apo futja në kuti e materialeve të tjera zgjedhore. Nga eksperimenti rezultoi se në kutinë për Këshillin e njësisë Bashkiake të QV-së nr. 1861/1 KZAZ 50, në Kutinë e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Këshillit të Bashkisë Tiranë të QV-së nr. 1959, në Kutinë e Këshillit të Njësisë Bashkiake të QV-së nr. 1960, mund të ndërhyej në materialin zgjedhor. Në kutinë e votimit të Këshillit të Njësisë Bashkiake të QV-së nr. 1696, në kutinë e votimit për Kryetar Bashkie të QV-së 1963/2, në kutinë për këshillin e njësisë bashkiake të QV-së 1789 dhe në kutinë për kryetar të njësisë bashkiake të QV-së nr. 1807, dëmtimet ishin të tilla, të cilat nuk lejonin ndërhyrjen në materialin zgjedhor. Pas këtij vefikimi KQZ thelloi hetimin në përmbajtjen ë materialit zgjedhor për secilën nga këto kuti.

U konstatua fakti se, në Kutinë për Këshillin e njësisë Bashkiake të QV-së nr. 1861/1, KZAZ 50, në Kutinë e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Këshillit të Bashkisë Tiranë të QV-së nr. 1959, në Kutinë e Këshillit të Njësisë Bashkiake të QV-së nr. 1960, nuk kishte fletë votimi jashtë zarfave të përcaktur në nenin 116 të Kodit Zgjedhor. Zarfat në kuti ishin të gjithë të mbyllur, të nënshkruar nga numëruesi i parë dhe sekretari i Grupit të Numërimit. U hapën zarfat dhe u numëruan të gjitha fletët e votimit të vlefshme të fletët e votimit të pavlefshme. Të gjitha fletët e votimit kishin ngjyrë madhësi dhe formë më fletët e votimit të miratuara dhe të prodhuara nga KQZ. Në pjesën e pasme të fletëve të votimit ishin në cdo rast vulat e kryetarit dhe sekretarit të Qendrës së Votimit përkatësë. Numri i fletëve të vlefshme për çdo subjekt brenda në kuti korrenspodonte me numrin e votave për çdo subjekt të shënuar në Tabelën e Rezultatit të Grupit të Numërimit të KZAZ-së. Fletët e Votimit të pavlefshme, brenda në zarfin e fletëve të votimit të pavlefshme korrenspodonin me numrin e votave të pavlefshme, të shënuar në Tabelën e rezultatit të Grupit të Numërimit të KZAZ-së. Në kutinë për Këshillin e Njësisë Bashkiake të QV-së nr. 1696, në fund të kutisë, poshtë të gjitha zarfave kishte fletë votimi jashte zarfave. Nga eksperimenti i kryer rezultoi se, të arrihej të futej një letër nga jashtë në kuti, ajo letër dëmtohej rëndë.

Fletët e votimit të gjetura në Kutinë për Këshillin e Njësisë Bashkiake të QV-së nr.1696, fletët e votimit të gjetura jashtë kutisë ishin të padëmtura dhe për më tepër ishin në fund të kutisë, gjë që tregon së për futjen e tyre duhej të dilnin zarfat e tjerë nga kutia të futeshin fletet e votimit dhe më pas të vendoseshin sipër tyre përsëri zarfat me fletët e votimit për çdo subjket. Nga hetimi i plotë i kryer rezultoi se për të gjitha kutitë të cilat kishin dëmtime, në materilin zgjedhor nuk kishte ndërhyrje nga jashte. Integriti i materialit zgjedhor brenda në këto kuti ishte i pacënuar dhe konkluzionet e hetimit administrativ provuan se dëmtimet e tyre nuk kishin ndikuar në materilain zgjedhor. Si të tilla këto kuti u konstatuan si të rregullta nga KQZ për t’ju nënshtruar procedurës së rinumërimit dhe rivlerësimit të votave të cilat nuk i përkasin këtyre kutive. Pas përfundimit të hetimit të thelluar administrativ u procedua me zbatimin e vendimit të Kolegjit Zgjedhor, rezultati i të cilit është i pasqyruar në tabelat përaktëse bashkëlidhur këtij vendimi.

Gjithashtu, gjatë zbatimit të kësaj procedure grupet e numërimit të KQZ-së, konstatuan në dy raste Fletë Votimi të cilat ishin hedhur në kutinë e gabuar por i nuk i përkisnin qendrës së votimit në të cilën u gjendën, por një qendre tjetër votimi, konkretisht: - në kutinë për kryetarin e njësisë bashkiake të QV-së nr. 1741/1- tre fletë votimi për kryetarin e Bshkisë Tiranë që i përkisnin QV-së nr. 1734- të hedhura për kandidatin Edi Kristaq Rama. - në kutinë për këshillin e njësisë bashkiake të QV-së nr. 1861/1 dy fletë votimi për këshillin e Bashkisë Tiranë, që i përkisnin QV-së nr. 1858, njëra për subjektin Partia Demokratike e Shqipërisë dhe tjetra për subjektin Partia Socialiste e Shqipërisë. Subjekti zgjedhor Partia Demokratike kërkoi kryerjen e hetimit të thelluar lidhur me faktin e gjetjes së këtyre fletëve të votimit në kutitë e qendrës së gabuar.

Nga verifikimi paraprak, KQZ konstatoi se tre fletë votimi të gjendura në kutinë e QV-së nr. 1741/1 i përkisnin QV-së nr. 1734, çka u vërtetua nga verifikimi i vulës së QV-së në pjesën e pasme të tyre. Gjithashtu rezultoi se dy fletë votimi të gjendura në kutinë e QV-së nr. 18611, nga verifikimi i vulës së QV-së në pjesën e pasme të tyre, i përkisnin QV-së nr. 1858. Nga shqyrtimi i dokumentacionit përkatës, tabelat e Grupit të Numërimit të KZAZ-së për këto QV, KQZ konstatoi se i njëjti grup numërimi kishte numëruar kutitë e votimit të QV-së nr. 1741/1 dhe të QV-së nr. 1734. U provua gjithashtu se, i njëjti grup numërimi kishte numëruar kutitë e votimit të QV-së nr. 1861/1 dhe 1858. Verifikimi u krye duke administruar tabelat e rezultateve për këto qendra votimi, në të cilat është shënuar numri përkatës i grupit të numërimit, emrat e anëtarëve të grupit të numërimit si edhe firmat përkatëse. Neni 116, pika 2 e Kodit Zgjedhor përcakton se Anëtarët e Grupeve të Numërimit me radhë dhe vetëm sipas numrit rendor ritës të QV-së, zhvillojnë procedurën e numërimit të votave. Kjo logjikë e ligjit konfirmohet në këtë rast për faktin se, fletët e votimit të QV-së nr. 1734 me numër rendor më të vogel u gjendën në kutitë e QV-së nr. 1741/1 me numër rendor më të madh apo fletëtet e votimit të QV-së nr.1858 u gjendën në kutitë e QV-së nr. 1860/1.

KQZ vlerëson se, fakti që kutitë respektive të qendrës së votimit të cilës i përkisnin fletët e votimit dhe kutitë në të cilat ato fletë votimi u gjendën janë numëruar nga i njëjti grup numërimi është me rëndësi vendimtare për gjykimin e rastit. E thënë në mëyrë figurative, ky fakt provon jashtë çdo lloj dyshimi se kutia e QV nr. 1741/1, dhe kutia e QV nr. 1734 janë “takuar” me njëra-tjetrën në tavolinën e grupit të numërimit nr. 1 të VNV e ZAZ-së nr. 46, ndërkohë që edhe kutia e QV, 1861/1 dhe kutia e QV-nr. 1858 janë “takuar” me njëra-tjetrën në tavolinën e grupit të numërimit nr. 4 të VNV së KZAZ-së nr 50. Ky fakt , krijon bindjen e arsyeshme se zhvendosja e fletëve të votimit nga një kuti në tjetrën ka ndodhur pikërisht në këtë tavolinë gjatë këtij momenti “takimi”. Asnjë prej subjekteve pjesëmarrëse në hetimin administrativ nuk solli indicie apo prova në dobi të ndonjë skenari tjetër alternativ apo të kundërt, i cili të lidhej me procesin e votimit, apo me momente të tjera përpara numërimit. Asnjë prej subjekteve pjesëmarrëse në hetimin administrativ nuk paraqiti kërkesa specifike për të marrë prova të tjera dokumentare, në këto ose në kuti të tjera të këtyre qendrave votimi, të cilat të ishin në dobi të ndonjerit nga këta skenarë.

Në këto rrethana, KQZ çmoi se duhet të ndërpriste hetimin e mëtejshëm, sepse: Së pari, hetimi i mëtejshëm mund të bëhej logjikisht dhe ligjërisht vetëm për vërtetimin e dyshimeve të bazuara në indicie dhe prova. Dyshime të tilla nuk u paraqitën nga asnjëra nga palët në proces. Kodi i procedurave Administrative dhe Kodi Zgjedhor i Republikë së Shqipërisë, nuk e lejojnë një konsum të paarsyeshëm resursesh dhe energjish për të provuar apo përgënjeshtruar hipoteza të pafundme teorike.

Fakti që këto kuti janë numëruar nga i njëjti grup numërimi në të njëjtën tavolinë numërimi është provë e mjaftueshme për të vërtetuar hipotezën (dyshimin) se këto vota janë ngatërruar gjatë numërimit.

Së dyti, në këtë moment procedurial ky institucion është në zbatim të urdhërimit të Kolegjit Zgjedhor, dhe me hetimin e tij nuk mund të dalë jashtë objektit të këtij urdhërimi. Prandaj KQZ, me vendim të ndërmjetëm, këto fletë votimi i vlerësoi të pavlefshme, vetëm për faktin se nuk i përkisnin qendrës së votimit, e cila po numërohej në atë moment.

Pikërisht, bazuar në të gjitha procedurat, faktetet dhe provat e parashtruar më sipër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, mbështetur në nenin 21, pika 1 të Ligjit nr.10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, vendimin nr. 67, datë 13.06.2011 të Kolegjit Zgjedhor, vendimi i KQZ-së nr. 1094, datë 18.06.2011 “Për ekzekutimin e vendimit te Kolegjit Zgjedhor nr. 67, datë 13.06.2011”, vendosi:

1- Të miratojë Tabelat Model 58-11 të hartuar nga Grupet e Numërimit të KQZ, bashkëlidhur këtij vendimi, sipas aneksit 1, bashkëlidhur këtij vendimi.

2- Të miratojë tabelën përmbledhëse të rezultateve të qendrave të votimit të ZAZ nr. 49 sipas aneksit nr.2, bashkëlidhur këtij vendimi.

3- Të miratojë Tabelën Përmbledhëse të Rezultatit për Kryetar për zonën zgjedhore Bashkia Tiranë, sipas tabelës së aneksit nr.3, bashkëlidhur këtij vendimi dhe të shpallë fitues, z. Lulzim Xhelal Basha, propozuar nga Koalicioni Aleanca për Qytetarin.

KOMENTE