Nga Skënder Minxhozi
Në harkun e 48 orëve mes pozitës dhe opozitës janë shkëmbyer papritur dy oferta, të cilat kanë arritur të krijojnë iluzionin optik të mundësisë së një kompromisi, edhe në zjarrin e madh që ka ndezur beteja elektorale e Tiranës. Propozimi i Berishës për ta joshur PS-në, përmes ofrimit të kandidaturave të të gjitha institucioneve që votohen me 3/5 e votave (që në fakt rezulton të jetë vetëm Avokati i popullit), si dhe ideja e vagullt e të drejtës së propozimit edhe për kandidaturat e tjera, ka krijuar përshtypjen se, edhe në mes të uraganit me emrin “Bashkia e Tiranës”, loja e hipnozës mes kundërshtarëve po vazhdon.
Si për t’iu përgjigjur këtij karremi të parë politik, opozita ka deklaruar një ditë më pas se do ishte parimisht e gatshme të votonte të gjitha ligjet që prekin procesin e integrimit europian (janë rreth 16 të tilla, që kërkojnë shumicë të kualifikuar), me kusht që Berisha të heqë dorë nga bashkia e kryeqytetit. Ky propozim i dytë, siç shihet, fut në lojë jo vetëm të ardhmen (votimin për institucionet me 3/5), por edhe të tashmen e krizës politikës shqiptare: sherrin për Tiranën. Çka i jep ofertës socialiste pamjen e një pazari të pamundur. Të paktën për momentin, kur afera e votave të Tiranës ndodhet në proces rivlerësimi e ankimimi.
Megjithatë, po shihet se edhe pas konfliktit të ethshëm që ka sjellë votimi i 8 Majit mes Berishës dhe Ramës, ka përpjekje, sado infantile, që të ketë një ndryshim kursi, ka premisa për një reflektim politik dhe një riformatim të të gjithë mllefit e urrejtjes që ka derdhur mbi supet e klasës politike tuneli elektoral prej nga s’po dalim ende. Në vetvete edhe lajmi i përhapur nga mediat, lidhur me ofertën e Kryeministrit për kreun e shtetit, hyn në logjikën e çtensionimit dhe të uljes së gjakrave, që aktualisht përbën një nevojë urgjente për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Ky lajm, megjithëse i përgënjeshtruar formalisht nga qeveria, përbën një ide parimisht racionale, nga ato që zakonisht italianët i cilësojnë me shprehjen “se non e vero, e ben trovato” (nëse s’është e vërtetë, është e gjetur mirë). Dhe kjo për shkak se treni shqiptar ndodhet momentalisht i bllokuar në të dy binarët e tij kryesorë: në atë të funksionimit të sistemit demokratik dhe atë të progresit të axhendës europiane. Ai ka nevojë urgjente që të rinisë rrugën e tij, e për këtë duhen lëvizje konkrete.
Zgjedhjet e majit krijuan një impas politik e institucional, i cili mund ta çojë drejt një rivotimi Tiranën, duke e futur kësisoj në një sfidë të vështirë të gjithë sistemin demokratik në Shqipëri. Pas një krize të tejzgjatur thuajse dyvjeçare, kjo e votimeve administrative ishte një kokëçarje e tepërt për demokracinë e brishtë shqiptare. Normalizimi i klimës së brendshme afishohet në këto kushte si një nevojë urgjente, me qëllim që të ndërpriten sa më parë pasojat negative që gjeneron situata aktuale.
Edhe binari tjetër, ai i integrimit europian, do të influencohej drejtpërdrejt pozitivisht nga një kompromis i mundshëm mes palëve. Spektakli i shëmtuar i pak ditëve më parë, kur Komisioni Europian zbuloi thelbin tejet kritik të raportit të progresit të 12 tetorit për Shqipërinë, i ka ulur në minimumin historik marrëdhëniet e vendit me Bashkimin Europian.
Pa i hequr asnjë presje përgjegjësisë politike e institucionale qeverisë, për mosangazhimin e saj në funksion të përmbushjes së prioriteteve të Planit të Aksionit, një normalitet politik i brendshëm mes PD-së e PS-së do të kontribuonte në mënyrë esenciale që axhenda jonë europiane të zhbllokohej sërish.
Aktualisht dy forcat politike kryesore ndodhen në mes të një dueli votash për Tiranën. Ndoshta kjo do të ishte pikënisja dhe origjina e çdo kompromisi të mundshëm për të ardhmen. Këmbëngulja e qeverisë për të marrë në tryezë bashkinë e kryeqytetit, është rrethana më e dëmshme që saboton një sezon eventual marrëveshjesh mes dy palëve. Kjo këmbëngulje po bën që, për shkak të një mandati bashkiak, qoftë ky edhe i Tiranës, standardet e zgjedhjeve të 8 Majit të marrin një pikëpyetje të madhe mbi vete. Për sa kohë që ky kontest do të vijojë të helmojë klimën politike mes dy partive të mëdha, edhe ofertat e palëve do të kenë, për fat të keq, më shumë formën e lëvizjeve sugjestionuese, sesa atë të propozimeve konkrete e serioze. Të cilat i duhen aq shumë këtij vendi në këtë moment kaq delikat e potencialisht të rrezikshëm.
Gazeta “Mapo”