English

Tirana pushon me kryebashkiak të ri, Rama sërish ankimim

Tiranë, 26 qershor 2011, NOA- Mbyllja e procesit maratonë të numërimit të votave në Komisionin Qendror të zgjedhjeve, ka bërë që kryeqyteti pas afro dy muajsh ti rikthehet normalitetit, dhe këtë të diel të pushojë pas leximit të çdo vote të hedhur nga qytetarët.

Kryetari i ri u zgjodh, KQZ u shpreh, Lulzim Basha do të jetë drejtuesi i ri i Tiranës, pavarësisht diferencës së ngushtë ndaj rivalit të tij socialist Edi Rama.

Sipas këtij komisioni Lulzim Basha mori 125042 vota dhe Edi Rama 124949 vota, duke bërë që kryesocialisti të humbi garën në të cilën ishte futur për të katërtën herë, ndonëse me 93 vota.

Mirëpo duket se selia rozë nuk do të dorëzohet me kaq, pasi edhe dje gjatë mbledhjes së KQZ përfaqësuesit socialist krahas parregullsive të pretenduara gjatë shqyrtimit të fletëve të votimit të kontestuara, ishte nënkryetarja e këtij komisioni Dëshira Subashi ajo që tha se, “Kërkojmë të numërohet e gjithë Tirana. Mënyra si është organizuar forma e aktit nuk më duket e përshtatshme pasi në asnjë rast ajo nuk mund të marrë një vendim administrativ”.

Por menjëherë pas përfundimit të KQZ dhe shpalljes së tij si fitues, Lulzim Basha u shpreh: “Falenderoj gjithë qytetarët, që vendosën që zëri i tyre të dëgjohej dhe që pritën me durim përfundimin e procesit. Falenderoj të gjithë ata që kontribuan që këto zgjedhje të ishin transparente dhe korrekte. Gjithçka ia vlejti pasi u dëgjua zëri i çdo qytetari dhe tani unë jam i përulur që 93 qytetarë më shumë më votuan”.

Mirëpo rivali i tij, kreu i opozitës Edi Rama tashmë i ngelur pa asnjë post zyrtar nuk është shprehur, gjithsesi pas këtij vendimi, Partisë Socialiste i lind e drejta që brenda 3 ditësh të paraqesë një tjetër kërkesë ankimore dhe të parashtrojë parregullsitë e pretenduara.

a.y/NOA

KOMENTE