Leçe, 26 qershor 2011 NOA– Është vendosur që të martën më 28 qershor 2011 në gjykatën e Leçes të zhvillohet procesi gjyqësor që nuk ka të sosur prej më shumë se 14 vjetësh, për tragjedinë detare me Katerin e Rades.
Familjarët dhe avokatët kërkojnë drejtësi për humbjen e pazëvendësueshme të dhjetëra burrave, grave dhe fëmijëve që aspironin për një jetë më të mirë. Ndaj ata kanë paditur shtetin italian dhe Marinën Ushtarake Italiane.
Ata u larguan nga Shqipëria pikërisht më 28 mars 1997 kur vendi ynë ishte pushtuar nga trazirat e frikshme pasi shteti kishte rënë dhe thuajse çdo gjë ishte jashtë kontrollit institucional dhe bandat po bënin kërdinë.
Tragjedia detare ndodhi pikërisht kur anija e Marinës Ushtarake Italiane, “Sibilla” goditi anijen “Kateri i Rades” që ishte i mbushur me shqiptarë duke shkaktuar viktimat.
Për procesin gjyqësor që do të zhvillohet në orën 09.00 të së martës, organizatat joqeveritare kanë bërë thirrje që të gjitha forcat antiraciste puljeze të shkojnë para gjykatës së Leçes.
Anija "Kater i Rades", në bordin e të cilës në 28 mars 1997 udhëtonin 120 shtetas shqiptarë kishte arritur të hynte në ujërat territoriale italiane dhe kur sapo i ishte afruar brigjeve të Otrantos në Itali, u përplas me anijen luftarake italiane, "Sibilla".
Çarja e krijuar në anijen që vinte nga Shqipëria solli mbushjen e saj me ujë. Në këto kushte, anija u përmbys dhe bashkë me të humbën jetën të paktën 84 shqiptarë kryesisht nga Vlora, mes të cilëve gra dhe fëmijë. Trupat e 24 prej tyre nuk janë gjetur as sot.
e.t/NOA