SHBA, 26 qershor 2011 NOA/ VOA- Kriza në horizont tregon se çmimet mund të dyfishohen gjatë 20 vjetëve të ardhshme, çka mund të rrisë numrin e njerëzve që vuajnë nga uria. Alarmi jepet nga organizata ndërkombëtare Oxfam, ekspertë të së cilës apelojnë për fillimin e një fushata ndërgjegjësimi.
Organizata Oxfam thotë se 925 milionë njerëz vuajnë nga uria në të gjithë botën. Në Afrikën lindore, thotë ajo, 8 milionë njerëz përballen me mungesa kronike ushqimi.
Gauejn Kripke, drejtor i politikave dhe studimeve pranë degës së organizatës Oxfam për Amerikën, i tha Zërit të Amerikës, se nëse gjërat vazhdojnë siç janë tani, problemi do të thellohet.
Popullsia e botës po rritet. Ekspertët parashikojnë se deri në vitin 2050 numri i popullsisë do të arrijë në 9 miliard. Për më tepër, ndërkohë që njerëzit nëpër botë pasurohen, dieta e tyre po ndryshon.
Është rritur kërkesa për mish dhe bulmet, prodhimi i të cilave kërkon më shumë tokë bujqësore dhe burime të tjera.
Sipas organizatës Oxfam, kërkesat për prodhimin e ushqimit do të rriten me 70 për qind gjatë katër dekadave të ardhshme.
Por ajo thotë se kapaciteti i botës për të prodhuar ushqim po bie. Ritmi i rritjes në prodhime bujqësore, thotë kjo organizatë, thuajse është përgjysmuar që nga viti 1990 dhe ajo që po e rëndon situatën është fakti se shumë prej të korrave po përdoren për prodhimin e biokarbureve.
Situata është e keqe, por jo pa zgjidhje. Ekspertët thonë se tani vetëm disa biznese të mëdha e kontrollojnë tregun ushqimor dhe një prirje e re drejt bizneseve më të vogla do të zgjidhte shumë probleme.
Sipas organizatës Oxfam, ekzistojnë rreth 500 milionë ferma të vogla në vendet në zhvillim. Grupi thotë se investimet e ardhshme duhet të bëhen pikërisht në këto biznese.
a.q/NOA