Tiranë, 26 qershor 2011, NOA – Një shqiptar nga Kosova i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik të qenieve njerëzore është arrestuar në pikën kufitare të Kapshticës.
Policia e Shtetit bën me dije se oficerët e Interpol Tiranës zbuluan dhe kapën 38-vjeçarin Haki Alimi lindur në Preshevë.
Alimi u arrestua në 25 qershor gjatë kontrollit të pasaportave në pikën kufitare të Kapshticës nga punonjësit e Policisë Kufitare dhe Migracionit.
Policët ranë në gjurmët e tij pasi në sistemin e kërkimit të Interpol-it, Haki Alimi rezultoi si i kërkuar në nivel ndërkombëtar nga UNMIK, në Kosovë.
Haki Alimi kërkohej prej 9 vitesh, qëkur në 11.10.2002, Gjykata e Gjilanit në Kosovë e kishte dënuar me 4 vjet burg për veprën penale të trafikimit të qenieve njerëzore.
Ai do të ekstradohet për në Kosovë ku do të procedohet për akuzat.
mit/NOA