Sarandë, 26 qershor 2011, NOA – Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë pyllin me pisha pranë manastirit qindravjeçar të Kostarit në qytetin e Sarandës.
Flakët e zjarrit kanë pushtuar zonën me pisha përreth manastirit të mrekullive duke kërcënuar edhe banesat e tjera të fshatit Kostar.
Flakët e zjarrit të rënë në orët e mbrëmjes kanë djegur një numër të madh pishash në pyllin pranë manastirit, por pa mundur ende të përhapen në manastirin e Kostarit.
Burime nga vendngjarja bëjnë të ditur për agjencinë NOA se autoritetet lokale kanë kërkuar ndihmë nga Greqia për shuarjen e flakëve, pasi janë të pamundur të shuajnë vatrën e madhe të zjarrit që është përhapur në tërë zonën.
Fshati Kostar ndodhet pak kilometra mbi fshatin Mesopotam, në rrugën tej Bistricës që të çon në qytetin e Sarandës.
Manastiri i Kostarit që e ka marrë emrin nga fshati është i vendosur buzë rrugës automobilistike Sarandë-Gjirokastër dhe daton në shekullin XIII.
I ndërtuar në shpatin e malit ai njihet si vend i shenjtë nga besimtarët ortodoksë edhe për ngjarjet e rralla që e kanë shoqëruar historinë e krijimit të tij.
Sipas besimtarëve ortodoksë të zonës manastiri i Kostarit ka fuqi të mbinatyrshme.
Ata besojnë se shumë njerëz janë shëruar dhe kanë zgjidhur problemet e tyre pasi kanë vizituar këtë vend të shenjtë.
Zjarri i rënë sonte është i pari i shënuar gjatë nisjes së këtij sezoni turistik në Sarandë.
mit/NOA