Kukës, 27 qershor, NOA – Një aksident tragjik ka ndodhur gjatë mëngjesit të sotëm më aksin rrugor Kukës-Krumë. Korrespodenti i Agjencisë NOA raporton se dy persona kanë mbetur të vdekur si pasojë e daljes nga rruga të automjetit me të cilin udhëtonin.
Personat që kanë humbur jetën janë; Shaqir Matmuja 40 vjeç dhe Ilir Muça 43 vjeç. Aksidenti ka ndodhur në vendin e quajtur Qafa e Plobit në rrugën Kukës-Krumë, rreth orës 07:30. Sipas dëshmive dy personat punonin në rikonstruksionin e rrugës Kukës-Krumë dhe ishin duke udhëtuar me makinën me targa TR 2516 I.
Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje, pas sinjalizimi dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave. Nga dëshmitë e para mësohet se ngjarja ka ndodhur pasi makina ka dalë nga rruga, por ende të gjitha shkaqet që cuan në aksident nuk janë zbuluar. Sipas forcave të rendit, paraprakisht, mendohet se drejtuesi i mjetit mund të ketë humbur kontrollin për shkak të pagjumësisë. Gjithsesi do të jetë raporti i final i ekspertizës ai që do të përcaktojë shkakun final të aksidentit.
a.k/NOA