Nga Nexhmedin Spahiu
U ngrit në Shkup përmendorja e madhe e Aleksandrit të Madh apo Lekës së Madh siç e quajmë ne shqiptarët. Kjo po kundërshtohet nga grekët dhe shqiptarët. Pse grekët e kundërshtojnë, kjo është e kuptueshme. Grekët duan të gjejnë vëng për konflikt me fqinjin e vet të dobët për ta mbajtur jashtë strukturave euro-atlantike. Kjo ka për qëllim që ta shfrytëzojë atë si treg duke eliminuar konkurrentet e tjerë, të cilët do t’i kishte në rast se Maqedonia do t’ishte pjesë e këtyre strukturave. Prandaj, grekët gjejnë shkase historike për të mbajtur situatë konfliktuoze që i leverdisë asaj.
Është interesante se grekët nuk kundërshtuan Shqipërinë kur ajo vendosi që valuta e saj të quhet Lek sipas emrit të Lekës (Aleksandrit) së Madh të Maqedonisë.
Mbreti shqiptar, Ahmet Zogu, këtë emër i dha djalit të tij Leka I, dhe ky i fundit djalit të vet, Leka II.
Krye-heroi shqiptar Gjergj Kastrioti e mori llagapin Skënderbe në bazë të Lekës së Madh. Skënder është versioni turk për emrin Lekë/Aleksandër. Skenderbeu në letrën e tij Alfonsit V, thotë për vetën e vet se është stërnip i Aleksandrit të Madh të Maqedonisë.
Marin Barleti përmend 3 emra për përkatësinë e Skënderbeut: arbën, maqedon dhe epirot. Në atë kohë ende nuk kishte dalë në skenë emri shqiptar dhe Skënderbeu e quante vetën maqedon. Fakti se pasardhësit e Skënderbeut dhe të bashkëluftëtarëve të tij e quajtën vetën shqiptarë ndërsa një pjesë e bullgarëve, pas Luftës së Dytë Botërore (1945), vendosën ta quajnë vetën maqedonë, është një gjë që nuk ka ndodhur vetëm në këtë pjesë të globit (Kujto himnin holandez që fillon me vargun “Ne gjermanët sundues të Spanjës”).
Pretendimi i kombeve ballkanike për Aleksandrin e Madh është i ligjshëm/Grekët i japin të drejtë vetit ta quajnë Aleksandrin e Madh grek vetëm pse gjuha e diplomacisë së tij ishte greqishtja antike. Harrojnë se Demosteni mbante mitingje për rrezikun që kanosej nga pushtimi i Filipit II, babës së Lekës së Madh. Kjo është sikur italianët ta pretendojnë Skënderbeun pse gjuha e diplomacisë së tij ishte latinishtja.
Tek e fundit, se çka ndodhur 2300-2400 vjet më parë, është një histori tepër e largët dhe kjo i jep të drejtë edhe shqiptarëve edhe grekëve edhe bullgarëve që ta pretendojnë Aleksandrin e Madh për të vetin.
Secili nga ne ka nga 1 nënë dhe një babë, 2 gjyshe dhe 2 gjyshër, 4 katragjyshe e 4 katragjyshër, 8 stërgjyshe e 8 stërgjyshër, e kështu me radhë. Nëse marrim mesatarisht 25 vjet diferencën mes prindërve dhe fëmijëve dhe llogarisim 4 breza për një shekull atëherë:
Brezi 1 = 1 (vetja jonë)
Brezi 2 = 2 (nëna + baba)
Brezi 3 = 4 (gjyshi e gjyshja nga nëna + gjyshi e gjyshja nga baba)
Brezi 4 = 8 (rreth vitit 1900)
Brezi 5 = 16
Brezi 6 = 32
Brezi 7 = 64
Brezi 8 = 128 (rreth vitit 1800)
Brezi 9 = 256
Brezi10 = 512
Brezi11 = 1.024
Brezi12 = 2.048 (rreth vitit 1700)
Brezi 13= 4.096
Brezi 14= 8.192
Brezi 15= 16.384
Brezi 16= 32.768 (rreth vitit 1600)
Brezi 17= 65.536
Brezi 18= 131.072
Brezi 19= 262.144
Brezi 20= 524.288 (rreth vitit 1500)
Brezi 17= 1.048.576
Brezi 18= 2.097.152 (koha e Skënderbeut)
Brezi 19= 4.194.204
Brezi 20= 8.388.408 (rreth vitit 1400)
Brezi 21= 16.776.816 (koha e Betejës së Kosovës)
Brezi 22= 33.553.632
Brezi 23= 67.107.264
Brezi 24=134.214.528 (rreth vitit 1300)
Imagjinoni, 24 breza përpara, secili nga ne ka rreth 70 milionë stërgjyshe e rreth 70 milion stërgjyshër me supozimin që kushërinjtë nuk janë martuar mes vete. Për të shkuar deri te koha e Aleksandrit të Madh të Maqedonisë (356 p.e.r. -323 p.e.r.) duhet të shkojmë deri në 90 breza, që bien me miliarda stërgjyshër me kushtin që kushërinjtë nuk janë martuar mes veti. Po edhe nëse kushërinjtë jo të afërm janë martuar mes veti, bien që të gjithë ballkanasit e kohës së Lekës së Madh të jenë stërgjyshër të t’gjithë shqiptarëve, të t’gjithë grekëve, të t’gjithë bullgarëve (pra edhe maqedonëve të sotëm), në mos edhe një pjese të madhe të turqve, rumunëve e sllavëve që janë martuar mes vete gjatë shekujve
Duke marrë parasysh këtë, nuk ka arsye që Aleksandri i Madh të mos konsiderohet i të gjithëve: edhe i shqiptarëve edhe i grekëve edhe i bullgarëve (si i vetmi popull jo sllav që përdorë gjuhën sllave për gjuhë të vetën).
Përmendorja e Aleksandrit të Madh në Shkup/Tani t’i kthehemi përmendores së Lekës së Madh n’Shkup. Bullgarët e Maqedonisë (maqedonët e sotëm) në emër të patriotizmit investuan në të miliona euro, ndërsa shqiptarët e Maqedonisë e kundërshtojnë këtë po në emër të patriotizmit! Përse? Sepse e bëjnë punën e Greqisë dhe nuk shohin interesin e vet. Derisa për Tiranën mund të jetë më me interes t’i ketë punët mirë me Athinën se sa më Shkupin (integrimi në BE, emigrantët shqiptarë në Greqi etj), derisa kjo gjë mund të jetë edhe për Prishtinën (interesi për t’u njohur nga Athina, futja në NATO, BE etj), shqiptarët e Maqedonisë kanë më interes t’i rregullojnë punët me bashkëvendësit e tyre bullgarë (maqedonë) se sa me fqinjët grekë. Më mire e kanë të harxhojnë energji për të avancuar pozitën e tyre në Maqedoni se sa të armiqësohen me bullgarët për Lekën e Madh. Shqiptarët e Maqedonisë s’duhet ta kundërshtojnë përmendoren e Lekës së Madh n’Shkup, por ta pretendojnë atë si stërgjysh t’përbashkët me bullgarët e Maqedonisë dhe bullgarët e Bullgarisë dhe tu bëjnë ftesë edhe grekëve që të heqin dorë nga pretendimi se një figurë aq e lashtë historike mund t’u takojë vetëm atyre.
NOA