English

Bienalja e Venecias, aty ku Pavioni Shqiptar flet përmes artit

Romë, 27 qershor, NOA – Tema e integrimit të emigrantëve në Itali, po përfshin gjithmonë e më shumë diskutime nga më të ndryshmet.

Ajo vihet gjithashtu, në qendër të mjaft aktiviteteve kulturore apo sociale, që e kanë atë si kryefjalë të parë.

Një i tillë pikërisht ka qenë edhe Bienalja e Venecias për Artet Vizuale 2011, brenda së cilës ka qenë i përfshirë i ashtuquajturi “Pavioni Shqiptar”, me punime interesante të artistëve shqiptarë.

Në një raportim të posaçëm që mediat italiane kanë bërë lidhur me këtë aktivitet, tregojnë sesi këtë vit, Shqipëria ka pasur një pavion të kuruar nga profesor Richard Caldura.

Me mjaft vlerësim për cilësinë e punimeve që kanë ofruar artistët shqiptarë, ato kanë theksuar se që të gjitha synojnë të tregojnë se integrimi në një shoqëri të huaj, përmban sfidat e veta dhe se është mjaft i rëndësishëm.

Në këtë Bienale, bëhet me dije se artistët shqiptarë të ftuar janë: Anila Rubiku, Orion Shima, Gentian Shkurti, Eltjon Valle dhe Dritan Zeneli.

Ata jetojnë si në Itali dhe jashtë saj, duke ruajtur lidhje të ngushta me vendin e tyre të origjinës.

Ekspozita e tyre quhet “Geopatie”, fjalë e përbërë nga dy fjalë greke: Gea (toka) dhe patos (pasion - dashuri).

Vetë titulli i kësaj ekspozite thekson marrëdhëniet e ngushta midis artit dhe kontekstit gjeografik, diversitetit social dhe historik, si edhe tregon gjendjen e atyre që janë në kërkim për një identitet të ri.

Por artistja shqiptare, për të cilën mediat italiane kanë folur në veçanti, është Anila Rubiku, e njohur ndërkombëtarisht për punën e saj mbi temat bashkëkohore, përmes vizatimesh dhe instalimesh nga më të ndryshmet.

Anila Rubiku në këtë Bienale, ka trajtuar përmes punimeve të saj temën aktuale dhe shumë interesante, sesa i komplikuar është në vetvete procesi i integrimit kulturor.

Emri i punës sa saj është "Hats Protect Ideas", e cila është e përbërë nga 60 kapele të emigrantëve në Itali që kanë jetuar këtu për një kohë shumë të gjatë.

Qëndisja e tyre përbëhet nga frazat emblematike apo vizatime, nëpërmjet të cilave gratë e huaja rinumërojnë vështirësitë që hasin gjatë futjes në një kompani të re, apo marrjes së një shtetësie të re.

Edhe pse ka 60 histori të ndryshme, së bashku ato formojnë një temë korale mbi tregimin e identitetit.

"Nëse ne kuptojmë dhe dimë të pranojmë dallimet, ndoshta ne mund të jetojmë më mirë dhe ky është një hap drejt integrimit”, shprehet artistja Rubiku për mediat italiane.

Kush është Anila Rubiku?

Anila Rubiku ka lindur në vitin 1970, në Durrës.

Në vitin 1994, ajo u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë dhe më pas, ajo shkoi në Itali për të studiuar në Accademia di Brera në Milano, ku u diplomua në vitin 2000.

Në vitin 1998, ajo mori pjesë në kurs të avancuar në Arteve Pamore në Como.

Gjatë 10 viteve të fundit ka jetuar për periudha të gjata në qytete të ndryshme jashtë vendit (Nju York, Los Angeles, Londër dhe Pragë).

Tani ajo aktualisht jeton dhe punon mes Milanos dhe Tiranës.

n.e/NOA

KOMENTE