Nga Mustafa Nano
Teksa në KQZ po bëheshin gati, mes kontrastit të përjetshëm midis palëve, të shpallnin rezultatin e garës elektorale për Tiranën, papritur u krijua një situatë shumë komike. Socialistët e përfaqësuesit ligjorë të tyre po ngrinin pretendimin se në mbi 40% të kutive të votimit është vënë dorë, se në 503 kuti kish probleme me kodin e pestë, se ish provuar tanimë që në disa kuti mund të futeshin vota nga jashtë edhe pse ato ishin të mbyllura, se disa kuti kanë qenë të thyera, se në disa raste kish rezultuar që fletët e votimit “kishin ngatërruar” minibashkinë, se në 25 raste ish konstatuar mungesa e zarfit të fletëve të pavlefshme, se kanë dalë rreth 870 vota më shumë sesa votues etj., etj., e mú në kulmin e përplasjes mbi argumente të tilla na ngrihet Njazi Kosovrasti, dhe na thotë se sipas llogarive të tij Lulzim Basha ka dalë 95, e jo 93, vota përpara, e për këtë arsye KQZ-ja do duhej të saktësonte avantazhin e kandidatit demokrat. Skena duhet të ketë qenë komike për shumë të tjerë. Madje, dhe për Ristanin, i cili nuk e mbajti dot veten përballë kësaj tentative idiotike për të kolauduar në mënyrë milimetrike avantazhin e vjedhur, dhe i tha zotërisë së Partisë Demokratike të ulej.
Pak kohë më pas, siç pritej, doli në një konferencë për shtypin Lulzim Basha. Procesi ende nuk ka përfunduar, por ai doli për t’na thënë, se “ky proces nuk mund të nxihet, pasi të gjithë qytetarët e kanë parë të shpaloset në ekranet e tyre”, dhe se ‘ai vetë është i prekur, i mrekulluar e i përunjur, që 95 qytetarë më shumë (jep shifrën e Njaziut e jo të KQZ-së, ndonëse ka respekt për institucionet) kanë votuar për të”. Është komike dhe kjo, ashtu siç ishte komike deklarata e mentorit të Bashës, Berishës, pas kthimit nga Brukseli, se “e gjithë Europa është mahnitur nga fakti që Tirana është bërë blu”. Ndoshta mund të shihet çdo gjë si komike në këtë proces, por kujdes: gazi e të qeshurat nuk duhet të na bëjnë të largojmë nga mendja se estrada që është luajtur para syve tanë është në të njëjtën kohë shumë e rrezikshme. Demokracia po shndërrohet në një farsë, gara elektorale po fitohet në tavolinë, rezultati po trukohet me marifete e me hile fare të trasha, institucionet po procedojnë e po vendosin me idenë se e drejta dhe drejtësia në këtë vend janë thjesht një optional. Tash e tutje, nëse Kolegji do ta njohë këtë fitore të vjedhur, nuk do të ketë më rëndësi asgjë. Nuk do të ketë rëndësi as shtypi i lirë, as manifestimet e protestës kundër qeverisë, as forca e ndonjë opozite, as balanca e forcave në elektorat, asgjë. E përse do duhet të kenë rëndësi, përderisa pushteti ka në dorë të përcaktojë rezultatin qysh përpara garës?
Apo nuk është kështu? Në fakt, procesi nuk është mbyllur. Ndoshta Kolegji Zgjedhor, në përgjigje të ankimimit më të ri të humbësve pas verdiktit të fundit të KQZ-së, do të marrë vendimin për të zhvleftësuar këtë avantazh prej 93 votash në rrethanat që janë verifikuar 870 vota më tepër sesa votues, dhe kështu mund të shpëtohet në një farë mënyre nderi i institucioneve. Një vendim i tillë nuk është se duhet të na ngushëllojë më shumë sesa duhet, pasi zgjedhjet janë prishur, gjithsesi; nuk duhet të na bëjë mendjefjetur, gjithashtu. Rreziqet mbeten aty. Më të mëdha se kurrë. Berisha ka kohën, durimin dhe pacipësinë e nevojshme për ta çuar deri në fund përpjekjen për të shtënë nën kontroll të gjitha institucionet e shtetit shqiptar. Kolegji Zgjedhor mund të rezultojë këtë herë, për një aksident, të jetë jashtë ndikimit të tij, por kjo, e përsëris, nuk do të ishte ndonjë gjë që do duhej celebruar si fitore. Përkundrazi, një vendim i Kolegjit për të përsëritur zgjedhjet në Tiranë do ta inkurajonte Berishën të digjte ca etapa dhe të ecte me galop më të madh në rrugën e dominimit të institucioneve.
Po si i bëhet, nëse Kolegji Zgjedhor i vë vulën vendimit të KQZ-së? Ka njerëz që mendojnë se një vendim i tillë nuk duhet njohur. Ka të tjerë që janë me idenë se pas kësaj është hera, që opozita të heqë dorë nga të drejtat, detyrimet, kompetencat e mandatet përfaqësuese apo qeverisëse, dhe kështu të synojë pezullimin e pjesshëm të funksionimit të institucioneve, të qeverisjes, apo të shtetit. Ka të tjerë akoma që shohin me shpresë protestat.
Personalisht, kam shumë ndërdyshje në këtë mes. Por do gjëra më sillen si të qarta. Së pari, do të ishte e pafrutshme dhe iluzive ideja e protestave të stilit perpetuum mobile. Të kuptohemi, përballë një pushteti të tillë, që pasi të plaçkit, të rreh e të vret, nuk të njeh as mundësinë për ta larguar nga pushteti me votë, ia vlen të bësh dhe një revolucion, por kjo opozitë nuk ka autoritet moral e këllqe politike për të bërë gjëra të tilla. Ne opozitarët e dimë që është kështu, e prandaj është e kotë të gënjejmë veten. Së dyti, vendimi i Kolegjit duhet njohur se s’bën. I gjithë aksioni opozitar duhet ndërtuar mbi këtë bazë. Ndryshe, futemi në një qorrsokak, ku mbrojtja e institucioneve bëhet duke mos njohur institucionet, gjë që hëm nuk do të kuptohej (jo vetëm nga Joseph Daul, Doris Pack e mascot-a të tjera të Berishës), hëm nuk do të mund të gjente një shfryrje legale si aksion. Së treti, duhet pritur fjala e ndërkombëtarëve. E di, është absurde t’u vësh veshin e t’u bindesh opinioneve të të huajve, por jemi ne që e kemi çuar punën në këtë pikë, ku opinioni i tyre ndan shapin nga sheqeri. Nëse ata do të vijojnë t’i mëshojnë faktit, që “zgjedhjet e 8 majit ishin transparente e kompetitive” (është shpikja më e re e më e ndyrë që kanë gjetur për t’u vënë me pahir një notë kaluese zgjedhjeve shqiptare), atëherë është radha për të analizuar këtë opozitë, e cila duhet të mbajë përgjegjësi në të gjitha rastet, kur e humbet garën, kur ia trukojnë rezultatin, kur nuk arrin t’u mbushë mendjen “arbitrave” ndërkombëtarë mbi faktin që kundërshtari ka bërë hile, e kur nuk ka mundur të japë një dorë në ndërtimin e një impianti rregullash të besueshme të lojës demokratike, ku përfshihen dhe institucionet e de-ristani-zuara.
Gazeta “Shqip”