English

Fitorja dhe humbja jo plebishitare e Tiranës

Nga Ndue Dedaj

Asgjë plebishitare nuk ndodhi kësaj here në Tiranë! As fitorja nuk qe e tillë, por as humbja. Duket sikur kryeqytetasit votuan “barazimin” elektoral, si për ta fshirë nga fjalori politik këtë fjalë shpeshherë mburrëse e mashtruese. 10 vota më shumë (nga numërimi i parë) nuk i mjaftuan Kryebashkiakut në detyrë të mandatohej për të katërtën herë në atë post, pasi nëpër kutitë e gabuara flinin një dorë votash, si duket të pagabuara, ashtu siç favoritit tjetër blu nuk po i mjaftojnë ende 95 votat plus (nga rinumërimi i kutive në KQZ) për të qenë ai Kryetari i ri i kësaj Bashkie, jo se i duhen më shumë, porse besohet të ketë sërish ankimim të palës humbëse në gjyqësorin zgjedhor, çka do të thotë se do të duhen dhe ca ditë që të certifikohet kreu i qeverisjes vendore të Tiranës, kësaj here me sa shihet i një tjetër përkatësie politike nga paraardhësi.

Por nuk është qëllimi ynë në këto radhë marrja me atë se çfarë ndodhi e si ndodhi. Ka pasur kaq shumë gjykime dhe paragjykime për këtë. Problemi është se askund në qytetërimet demokratike nuk ndodh kështu, që një proces zgjedhor të stërzgjatet pa fund, duke mos qenë ky i pari me probleme (ndonëse këtë radhë vetëm për kryeqytetin), për fajin tonë, për më të madhin fajin tonë, po të perifrazonim nga librat e shenjtë, ku në një mënyrë apo në një tjetër, i është rënë në qafë demokracisë, në më të shenjtën gjë që ajo ka, votën, votimin, zgjedhjen. Përndryshe, ajo që duam të nënvizojmë është pamja që reflekton në botën shqiptare dhe më përtej një situatë e tillë pas zgjedhore e paqetë, me deklarata dhe kundërdeklarata, me precedentin e rrethimit të KQZ-së në ditët e para të rinumërimit, bojkotin e Parlamentit nga opozita etj. Është dhe ky një rast tipik për t’u përfshirë në atë që e kemi mbiquajtur si “pasqyra e thyer e tranzicionit shqiptar”. Nëse dëshiron ta shohësh atë mjafton të shkosh për pak në atë copën e vendit (bulevardit) mes Kryeministrisë dhe Komitetit Qendror, që mban një emër të madh, por vetëm emrin. Aty ndodh prej njëzet vjetësh rregullisht përplasja, herë-herë fatale, mes shqiptarëve politikë. Dhe prapë “pelegrinazhi” ynë nuk i ndahet atij vendi të martirizuar. Aq e rëndë ka qenë historia e asaj copë tokë, sa nuk ke dëshira ta kujtosh. As atëherë kur ngrihej tribuna e 1 Majit dhe udhëheqja e kohës shpërndante trëndafila në një anë dhe hithra në anën tjetër. As në këtë kohë kur çfarë nuk ka ndodhur aty!... Do të kalojnë vite dhe ai vend nuk do të fitojë qetësinë e duhur të ndërgjegjes. Edhe kur të vijë dita që nuk do të sulmohet nga disa ithtarë e të mbrohet nga të tjerë. Kuptohet që ata që kanë qenë mbrojtësit e njërës herë, kanë qenë sulmuesit e herës tjetër. Pasi te ne sjellja me institucionet e shtetit, ndryshe kuptohet kur je në pushtet dhe ndryshe kur je në opozitë. Sikur vetëm në atë copë vend (të shenjtë a të nëmur) shkruhet historia e Shqipërisë. Aty do të ngjiste dhe historia e pakryer e Piramidës që do të bëhet Parlament. Teksa aty ka pasur dhe çaste për t’u shënuar, si vendosja vite më parë nga të rinjtë e Blinishtit të Zadrimës dhe misionari i tyre italian, e kumbonës së paqes, që ngjan aq modeste në atë reliev gri, që papritur prodhon ngjarje të panevojshme e të padëshiruara. Është në të vërtetë një nga pjesët më të dashura të kryeqytetit për të gjithë ne, pasi kush nuk ka kaluar e qëndruar aty, prej vitesh e vitesh, studentët e ardhur nga larg, diplomatët e huaj që kishin rezidencën e tyre në Hotel Dajti, policët e trafikut, ushtarakët që venin e vinin te Shtëpia e Oficerëve, besimtarët e Katedrales së Shën Palit, fotografët e çdo kohe, gjer lypësit e vegjël, apo dhe ato të mjerat, punëtoret e seksit. Të gjithë ne e kemi nga një fotografi aty, të bardhë apo të zezë. Nën urë a mbi urë. Dhe pikërisht ai bulevard, sa klasik, aq modern, është kthyer në vend spektaklesh politike, brohoritjesh, protestash, përleshjesh; me oratorë patetikë të vjetruar në ide e sjellje, pavarësisht moshës, teserës partiake në xhep, ligjërues të zjarrtë politikë me fytyra të vrerosura, të ngujuar në çadra “politike” sezonale, si të mos mjaftojë për të bërë politikë Parlamenti, në anë të atij bulevardi, apo selitë politike atypari.

Po çfarë ka bërë kjo fitore - humbja e Tiranës? Përtej Tiranës... Ka lënë pa konstituar këshillat bashkiakë në jo pak njësi vendore, ka bërë që hileqarët të shtojnë gardhet nëpër plazhe, si në Gjirin e Lalzit, në bregdet e gjithandej ku njerëzit, në vend që t’i heqin, po i shtojnë gardhiqet, kioskat, muret e paligjshme. Kaq shumë gardhe në një vend të gardhuar fund e krye nga politika. S’ka si të ndodhë ndryshe. Ky është përkthimi i parë i politikës së keqe si amulli. Po të zgjasë dhe pak, kushedi deri ku do t’i zgjasin gardhet ata që dinë të përfitojnë nga situata, kur nuk ka kryetarë bashkie në punë, pasi ca janë në ikje, e ca janë në ardhje. Të vjen hidhur nga kjo gjendje sociale dhe psikologji urbane e rurale, ku duket se i vetmi bari i një vendi është kryetari, sikur aty nuk ka të tjerë që përgjigjen për të mbajtur rregullin dhe ligjin në veprim. Pra, fitore-humbja e Tiranës i ka nxjerrë mbas krahësh gjithë fitimtarët dhe humbësit e tjerë në mbarë vendin, sikur nuk ka pasur zgjedhje askund tjetër, as në Durrës, as në Shkodër, as në Elbasan, as në Përmet. Po nuk kemi fituar Tiranën, zëre s’e nuk kemi fituar asgjë, duket se thonë me heshtjen dhe protestën e tyre socialistët. Po fituam Tiranën, zëre se nuk kemi humbur ndonjë gjë të madhe me ato të tjerat, duket se thonë demokratët, si ngaherë të vetëkënaqur me arritjet e qena e të paqena. Por në të vërtetë ka një realitet shqiptar që nuk përfillet, vetëm se Tirana ka tërhequr gjithë sytë dhe veshët e një populli. Jo se populli e ka këtë mërzi sak, porse kështu i thonë etërit e politikës atje lart, ata që e mbajnë të tendosur situatën politike në favor të tyre.

Edhe përtej Tiranës, Shqipërisë, sigurisht që janë ca të tjerë që shohin e dëgjojnë se ç’bëhet këndej. Ndërkombëtarët, që nuk po ua vëmë veshin. E megjithatë ata vetëm sa i shtojnë kritikat ndaj nesh, e zhveshin dhe më gjuhën diplomatike, duke na thënë: “O gjeni gjuhën mes jush, ose faluni me Europën tani për tani. Kushedi se kur i plotësoni afatet, kushtet, standardet”. Ndërkohë që ndryshe ndodh me vendet e tjera të rajonit, me fqinjët dhe jo fqinjët tanë ballkanikë. Qortimet ndaj politikës së Tiranës njëri i artikulon në një mënyrë e tjetri në një tjetër, por ama të gjithë të njëjtën gjë thonë: Jeni duke humbur shumë kohë. Për të dalë nga ngërçi politik (sa togfjalësh i brishtë për të dhënë gjithë kuptimin e konfliktualizmit partiak shqiptar!) nisni dialogun dhe kjo do t’iu vlerësohet nga ne. Merruni vesh qeveri e opozitë, bashkëpunoni me shoqërinë civile dhe bëni reformën elektorale etj. Kështu vihen punët për fije. Nga ju të gjithë, vullnetet tuaja të munguara. Njëri pas tjetrit, ministrat e Jashtëm të BE-së, ambasadorët, komisionerët për integrimin, zënë foltoren dhe na drejtohen me shqetësim për situatën ku gjendemi, na thonë këto e të tjera këshilla, rekomandime. Zoti Fratini. Zoti Zhypè. Zoti Lajçak. Zonja Ashton. Zoti Fyle... Po, tek e fundit, çfarë na thonë të gjithë? Vetëm një (krye)fjalë: Dialog. Bisedim. Që më tej në shqip-shqip do të “përkthehej” në bashkëbisedim, mirëkuptim, marrëveshje, vendimmarrje, qytetari politike. Ky është mësimi i parë i demokracisë qysh nga fillesa, ky është dhe krye-neni i kanuneve shqiptare (fjala e gojës) të vjetra e të vona. Ky është teksti unik i çdo doktrine moderne: edukimi, sociale, politike, filozofike, juridike, morale etj. Është kjo gjë e para, si në librat e fillores, si në Kushtetutën e vendit. Dialogim. Bisedim. Mes meje dhe teje. Mes teje dhe atij. Mes mazhorancës e opozitës. Mes së majtës dhe së djathtës. Mes Berishës dhe Ramës... Kaq thjeshtë dhe kaq vështirë! Por ka një logjikë (alogjike) të mosfunksionimit të këtij kodi komunikimi, dialogut, në nivel institucional partnerësh politikë; nuk dialogohet më së pari në forumet partiake, më saktë nuk dëgjohen zërat ndryshe as në PD, as në PS. Nëse do të kishte dialog në forumet partiake kombëtare, siç janë kryesitë, asambletë, këshillat, grupet parlamentare, ndryshe do të ishte punë dhe në bisedimet politike mes partive...

Pas të gjitha këtyre, nuk ka si të mos thuash, mirë që nuk ka më as fitore, as humbje plebishitare. Tirana e 8 majit ishte dëshmia e fundit e kësaj.

Gazeta "Shqip"

KOMENTE