Nga Kolec Traboini
Një telefonatë nga familja e komandant Telit, i cili para disa muajve u shpall nga qeveria shqiptare “Dëshmor i Atdheut” dhe familja e tij “Familje Dëshmori” më bëri të drithërohem. Po i flaknin pa mëshirë në rrugët e Tiranës nga apartamenti ku jetonin që nga marsi vitit 2003, i cili u është dhuruar nga Shtabi i UÇK-së me firmat e tre komandantëve të njohur. Por tronditja akoma më e madhe do të më vinte kur do të mësoja se ai që po i flakte në rrugë ishte deputeti i “Vetvendosjes” Florin Krasniqi. E rëndë për t`u besuar, por e vërtetë. Dhe sipari i hipokrizisë njerëzore pritet të bjerë në Tiranë me 11 korrik 2011.
Mbas disa ditësh u gjenda pranë familjes së Komandant Telit. Më vunë në dorë tërë dokumentet e një procesi gjyqësor të bërë në mungesë të kësaj familje dhe avokatit të saj.
Duke i parë këto dokumente që datojnë që në vitin 1999, kur ky apartament u ble për nevojat e UÇK-së si bazë logjistike e deri më sot, vura re se ky gjyq është një prej absurdeve të cilat po i takojmë përditë në drejtësinë shqiptare. Po kësaj radhe absurdi rëndonte mbi familjen e një dëshmori me të tillë dimensione që shumëkush, në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni e konsiderojnë hero mbarëkombëtar që meriton ti ngrihet një monument në Shkup, “atje tek Ura e Gurit ku Teli donte të ngrinte Flamurin” siç këndon populli për të.
Po çfarë dokumente ka në dorë gjykata e shkallës së parë që ngutet habitshëm ta ekzekutojë vendimin e saj? Si e pse ajo vendosi pa praninë e familjes së dëshmorit Lefter Koxhaj, që kjo familje të dilte nga apartamenti ku jetonte prej vitit 2003, për t`ia lëshuar personit të quajtur Blerim Muharrem Krasniqi që mendohet të jetë vëllai i deputetit Florin Krasniqi ose tek e fundit kushëri i afërt i tij?
Le t`i hedhim një vështrim kronologjik tërë kësaj situate dramatike për familjen e dëshmorit e cila ka mundur të mbijetojë me sakrifica të mëdha, pa të ardhura, me dy fëmijë të vegjël, e që banon në një apartament të falur nga shtabi i UÇK-së për meritat e jashtzakonëshme që ka treguar luftëtari i madh Komandant Teli nga Shqipëria në luftën e UÇK-së.
Familja e fëmijët e Komandant Telit zotërojnë dokumentin origjinal me firmat e tre komandantëve të lartë UÇK-së, ( njëri prej të cilëve, Komandant Kushtrimi, ka rënë dëshmor vitin e kaluar) në të cilin dokument në të tekstualisht thuhet:
“Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare sot me datë 10 mars 2003 pasi analizuam shumë probleme të karakterit politik dhe ushtarak, u diskutua dhe për prona të blera në Shqipëri e Maqedoni për nevojat e me paratë e UÇK-së, objekte të cilat janë përdorur gjatë luftës si baza dhe qëndra grumbullimi, armatimi, logjistike dhe strehimi për luftëtarët në ilegalitet. Ndër të tjera u vendos që:
“Apartamenti i blerë në Tiranë në emrin Blerim Krasniqi (pseudonim) të kalojë në pronësi të familjes së dëshmorit Lefter Goxhaj, i cili ra në luftë kundër forcave maqedone me 7 gusht 2001. Përpilohet ky dokument, më të cilin do të kryhet kalimi i pronësisë së këtij apartamenti pranë Zyrës së Regjistrimeve të Pasurive të Palujtshme Tiranë….
Komandant Hoxha( Xhezair Shaqiri), Komandant Sokoli( Sami Ukshini), Komandant Kushtrimi (Harun Aliu) - me firmat origjinale dhe vulë të Shtabit të UÇK-së.”
Familja e Komandant Telit ka qenë në proces të kalimit të pronësisë, kur pas 7 vjetëve që jetonin në atë banesë, pra në fillimin e vitit 2009, i trokitën në derë një tufë burrash nga Kosova. Menduan se kishin ardhur nga Kosova në kujtim të Komandant Telit, por jo. Fytyrëngrysur e hijerëndë ata hynë brënda në shtëpi e thanë që i kish dërguar Florin Krasniqi për t’i lajmëruar se duhej ta lëshonin sa më parë këtë shtëpi se është pronë e tij. Duke qënë se nuk kishin asnjë dokument me vete, e shoqja e Komandant Telit u ka thënë se nuk e njihte Florin Krasniqin dhe në një dokument që ajo kishte nxjerrë në noteri rezultonte emri pseudonim, sipas UÇK-së, i Blerim Muharrem Krasniqit i datëlindjes 22.2 1966. Duke mos mundur të sjellin farë argumenti, tufa e burrave kanë ikur duke turfulluar drejt Prishtinës.
Tre ditë më pas janë gjëndur në derë të apartamentit një tufë akoma më e madhe, rreth tetë burra të ardhur nga Kosova. Njëri nga ata është paraqitur si Florin Krasniqi i cili ka përsëritur kërkesën për lirimin e banesës. Kur i është paraqitur dokumenti i Shtabit të UÇK për dhurimin e pronës, ai ka thënë se nuk njihte asnjë vendim të saj (UÇK-së), sepse këtë pronë e kishte blerë vetë ai, Florin Krasniqi . Shënojmë fjalët e tij autentike “e kam blerë me para të dhuruara nga dy Shoqata Bamirëse Islamike.” Pastaj ka nxjerrë dy fatura dhe ja ka treguar shumat e parave të kaluara nga shoqatat islamike në emrin e tij. Duke hasur kundërshtinë e të shoqes së Komandant Telit, Florin Krasniqi ka thënë prerë: “Edhe sikur motrës sime ti qe vrarë burri në luftë, nuk do ta lija në këtë shtëpi. Shtëpinë do ta marr e do ta shes se më duhen paratë!”
Pas kësaj bisede të tensionuar, të bërë diku nga shkurti i 2009, familja e Komandant Telit nuk ka dëgjuar më për Florin Krasniqin dhe as për karvanin e burrave hijerëndë që i vinin nga pas në linjën Prishtin-Tiranë e kthim.
Do të kalonin shumë kohë, aq sa të mendohej se këtë familje që mezi mbijeton(e shoqja e komandant Telit nuk ka një punë të përhershme), do ta linin rehat e nuk do t`ua prishnin jetën fëmijëve. Por nuk qe e thënë. Së fundi ju kanë ardhur në shtëpi nënpunsit e përmbarimit gjyqësor shqiptar me policë dhe u kanë kërkuar të dalin jashtë në bazë të vendimit të gjyqit në favor të kosovarit Blerim Krasniqi.
Po cilit gjyq, lind pyetja? Cili qënka ai gjyq që bëhet pa patur dy palë në zgjidhjen e një konflikt-ankese apo padi civile. Por gjyqi në Tiranë qënkesh bërë se ashtu deshën gjyqtarët. Gjyq në mungesë që të kujton kohën trishtueshme të komunizmit.
Familjen e komandant Telit nuk kanë begenisur ta thërrisnin dhe ata, gjyqtarët,( që merret me mend se si e kanë zhvilluar atë gjyq) kanë nxjerrë vendimin duke u ngutur ta ekzekutonin pa asnjë lajmërim. E habitshme, e paimagjinueshme, vetëm në shtete diktatoriale e jo në një vend demokratik mund të ndodh kësisoj. Nuk e di çfarë do të mund të thoshte Kreshnik Spahiu që merret me Kuq e Zi e çështje atdhetare e që është nënkryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për ato që ndodhin në Drejtësinë e Poshtme.
E megjithë se thonë se ka drejtësi në këtë botë, gjyqtari shqiptar ka marrë vendimin për nxjerrjen në rrugë të madhe në mes të Tiranës, të fëmijëve të një luftëtari që konsiderohet si kryeheroi i shqiptarëve në betejat e vitit 2001, i cili as më pak e as më shumë, por u masakrua barbarisht në gjumë bashkë me 4 shokë prej forcave maqedone, por të informuar nga tradhtarët.
Nuk dimë si mund të shjegohet ai gjyqtar e ajo trupë gjykuese e Tiranës. Ne do ta ndjekim këtë çështje sepse kjo jo vetëm që është një akt antihuman por bie erë korrupsion, si një vendim me porosi e i nxjerrë shpejt e shpejt e në fshehtësi. Aq më tepër që jo vetëm është bërë në mungesë të pjesëtarëve të kësaj familjeje apo përfaqesuesit te saj ligjor, por edhe sepse vendimi që ka nxjerrë gjykata mbështetet mbi një dokument që mund të konsiderohet i pavlefshëm sepse ka pasaktësi që rrëzon çdo besushmeri ndaj saj.
Si mund ta konsideronte Gjykata e Tiranës të rregullt një dokument kontrate shitje ku shkruhet: “Sot me datë 17.05.1999 në Dhomën e Noterisë në Tiranë, në mbështetje të neneve 83 dhe 246 të Kodit Civil, redaktohet kjo kontrate shitje….”
Dhe më poshtë në fund të dokumentit noterial shkruhet “ Shoqëria ( Teknoprojekt-shënimi im KT), ia shet apartamentin bashkë me një garazh Z. Blerim Krasniqi me një shumë 50,000(Pesdhjetmijë) USD, të cilat janë likujduar me mandat arkëtimi të xhiruara në llogarinë përkatëse të llogarisë me Nr.145 datë 18.05.1999, të cilat i a ka paguar shoqërisë “Teknoprojekt” para nënshkrimit të kësaj kontrate.”.
Në vështrim të parë të bie ne sy se ky dokument është i dyshimtë sepse ka pasaktësi të tilla si, data e hartimit të këtij dokumenti është 17 maj, ndërsa brenda dokumentit thuhet se paratë janë paguar para se të hartohej ky dokument çfarë supozohet para datës 17 maj, por çudia është se trajta e kryer e plotë “I ka paguar para nënshkrimit të kësaj kontrate” shoqërohet me datën e derdhjes se parave 18 maj 1999, pra çfarë tregon se paratë nuk janë paguar para datës 17 maj kur është nënshkruar ky dokument. Kjo mospërputhje në mënyrë të padyshimtë do të bënte që të mos merrej shumë në konsideratë për të dhënë një vendim gjyqësor të mbeshtetur mbi të sepse në drejtësi një gënjeshtër sado e vogël e rrëzon dhe e bën të pavlefshëm një dokument sado i rëndësishëm të jetë. Vetëm për ngatrrimin e një germe në dokumenta të indentitetit detyrohesh të bësh kerkësë për ndryshim e madje edhe gjyq.
Si ka mundësi që Blerim Krasniqit nuk i tregohet vendbanimi, shtetësia siç (në vitin 1999) kërkohej në çdo dokument që hartohej për ata që nuk kanë patur nënshtetësi shqiptare. Shkruhet një nr. Pasaporte 524494, por jo e shtetit që i ka lëshuar atë pasaportë Blerim Krasniqit. Shkruhet se është banor i Tiranës, por vendbanimi tregohet pikërisht adresa e shtëpisë të cilën ai ende nuk e ka marrë në pronësi dhe nuk i pa paguar ende paratë. Po cila është adresa e këtij njeriu në momentin që e blinte një pronë Shqipëri? Çudia më e madhe që e bën këtë dokument krejt të dyshimtë është se tregon një llogari rrjedhese ku janë derdhur 50,000( pesëdhjetë mijë dollarë) por nuk thuhet se në cilën bankë është kjo llogari rrjedhëse e shoqërisë “Teknoprojekt”. Sepse po të shënohej se cila bankë, shumë lehtë gjyqtari mund ta verifikonte se në çfarë rruge kanë ardhur ato dollarë tek llogaria rrjedhëse e “Teknoprojekt”. Mos vallë dollarët kanë rrjedhur nga llogaritë e shoqatave bamirëse( shpesh herë ndër thonjëza) islamike apo mbase nga ndonjë bankë amerikane nga llogaria rrjedhse e Florin Krasniqit ku kanë kaluar jo pak por diç më shumë se 30 milion dollarë ndihma të shqiptaro-amerikanëve, duke përfshirë edhe kontributin modest të autorit të këtij shkrimi.
Si mund një gjykatë me të tilla pasaktësira të marrë një vendim pa marrë fare në konsideratë faktin e pretenduar besueshëm se është pronë e UÇK-së, blerë me paratë e shqiptarëve dhënë fondit të luftës “Vendlindja thërret”. Si t`ia kalojë pra me aq lehtësi vëllait të pretenduar (ose real) të Florin Krasniqi pa patur asnjë dokumet tjetër plotësues veç aktit noterial me gabime që e bëjnë të pavlefshëm e që të bëhet i vlefshëm duhet të paktën një gjyq tjetër i veçantë.
E gjithë kjo tregon se Florin Krasniqi ka ditur të merret vesh me gjyqtarët të cilët në Shqipëri kanë një emër e nam tmerrësisht të keq. Ne nuk i dimë prapaskenat, por ajo çfarë kemi në dorë me këtë dokument na bind se edhe një njeri dritëshkurtër në rreze shikimi, do të mund të dallonte këto pasaktësi që e bëjnë çdo dokument të dyshimtë për një séancë gjyqësore. Ndoshta ky ka qënë shkaku që gjyqi është bërë në fshehtësi e pa lajmëruar familjen e dëshmorit të UÇK-së, të cilës i është falur kjo pronë, por nuk e ka kthyer mbi vete me kohë, vetëm me shkakun se donte aq para sa ajo nuk ishte në gjëndje ta paguante për shkak të një gjendje ekonomike katastrofike.
Me t`i shkuar Përmbarimi në derë, familja e komandant Telit ka vënë kujën tek shokët e miqte e dëshmorit, të cilët disa i janë gjëndur duke e ndihmuar për të bërë gjyqin për anullimin e Përmbarimit, apo shtyrjen për të fituar kështu kohë e mundësi që të bëjë një gjyq tjetër ku familja banuesë në apartament prej 7 vjetësh, të paraqesë pretendimet e saj e ku Komandantët e UÇK-së nga Kosova e Maqedonia të thonë fjalën e tyre për këtë aktdhurim.
Çështja e pezullimit të përmbarimit derisa procesi të zgjidhet prej organevë më të larta të drejtësisë po zvarritet. Gjyqtarja që ka marrë përsipër këtë ankimim deklarohet se as nuk do të dijë për vendimin e shtabit dhe komandantëve të UÇK-së, çfarë të bën çudi se janë fjalë krejt të ngjashme me ato që i ka thënë Florin Krasniqi familjes së komandant Telit në vitin 1999, e për më tepër ajo, ashtu si dhe gjyqtari i mëparshëm as që nuk po vè re se dokumenti i blerjes me emrin Blerim Muharrem Krasniqi, është me aq parregullsi e pasaktësi sa e bën të pavlefshëm për pretendimet që paraqesin të dërguarit e Florin Krasniqit, tashmë deputet i “Vetvendosjes” në parlamentin e Kosovës. Gjykata as po e merr mundimin të kërkojë tek firma “Teknoprojekt”( nëse ende ekziston) apo tek përfaqësuesi i saj Edmond Pinguli për të sjellë dokumenta e të dhëna se më çfarë është blerë apartamenti, nga cila llogari rrjedhëse kanë ardhur dhe në cilën bankë është derdhur shuma në fjalë. Të spjegojë se si kjo firmë nuk deklaron bankën ku kalojnë shuma të tilla të mëdha në një akt shitje që paraqitet krejt i dyshimtë. Të shpjegojë se çfarë kriteresh janë ndjekur apo ndiqen kur një pronë i shitet një personi që nuk e ka shtetësinë shqiptare dhe as vendbanimin në Shqipëri. Të kërkojë dokumenta apo fatura pagese apo taksa, që shtetasit i një vendi tjetër ka qënë i detyruar, konformë ligjeve, të paguajë kur blen prona në Shqipëri, dhe a janë paguar taksa për këtë blerje. Nese jo a nuk ka të drejtë shteti të ndërhyjë?
Duke parë një dokument krejt të parregullt nga pikëpamja juridike, nga ana e gjyqit ishte dashur të thirrej noterja Hatixhe me mbiemër krejt të palexueshëm( po e paraqesim dokumentin origjinal bashkë me shkrimin) të jepte shpjegime se pse ky akt shitje është në këtë gjendje konfuze.
Por asnjë nga këto nuk është bërë e as nuk po bëhet sepse….kush e di, deputeti i “Vetëvendosjes” Florin Krasniqi di si t`i rregullojë punët e veta. Por megjithatë, meqënëse është deputet i Parlamentit të Kosovës, disa pyetje publike duhet t`ia bëjmë.
1- Me cilat para e keni blerë shtëpinë në rrugën “Anton Zako Çajupi” pallati teknoprojekt në Tiranë, në maj të vitit 1999, i nderuar zoti deputet i Kosovës Florin Krasniqi?
2- Në një emision televiziv amerikan( transmetuar edhe në Shqipëri, ku mund të verifikohet) keni deklaruar se keni marrë ndihma për UÇK-në edhe nga disa burime që ligjërisht mund të duket si shkelje por që nevoja na bënte t`i merrnim. A mund ta konkretizoni këtë me dokumenta hyrëse në fondin “Vendlindja thërret” në Neë York.
3-Mos vallë ndër këto ndihma janë edhe dy dokumentat të Shoqatave Bamirëse Islamike Arabe me 50 mijë dollarë që ja ke treguar në shtëpinë e saj familjes së Komandat Telit, ku shprehimisht keni thënë pa t’u dridhur qërpiku se “Apartamentin e kam blerë me paratë e shoqatave bamirëse.”.
4- Meqë keni qënë mbledhësi i dollarëve ndër shqiptaro-amerikanë( mbi 30 milion të deklaruara për të blerë armatime), a i keni deklaruar në instancat përkatëse në Amerikë paratë që keni marrë nga “Fondacionet Bamirëse Islamike” dhe a i keni derdhur ata në ndonjë bankë? A keni dokumenta për këtë?
5- A keni blerë me paratë e Fondacionit “Vendlindja thërret” prona të patundshme duke përfshirë apartamente banimi në Shqipëri apo vende të tjera në Europë dhe çfarë është bërë me këto prona të UÇK-së. Kjo pyetje bëhet për faktin se në Tiranë ka dalë emri i Xhavit Halitit, epror i lartë i UÇK-së i cili rezulton që në Tiranë të ketë ( a të fshehur apo të hapur) një kat pallati me tre apartamente, jo shumë larg shtëpisë që keni blerë ju Florian Krasniqi, tek shkolla “11 Janari” Tiranë. Të dyja këto prona, sipas dyshimeve( që mbetet të vertetohen apo përgënjeshtrohen prej jush), të blera me paratë e UÇK-së dhe të vëna nën emra miqëve të afërt apo të pjestarëve të familjeve tuaja.
6- A keni obligim si deputet i Kosovës,z. Florin Krasniqi, që të bëni kujdes për familjet ë dëshmorëve të UÇK-së në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri, për fëmijët e mbetur jetimë që nuk arrijnë të mbijetojnë prej varfërisë, kur prindët e tyre kanë derdhur gjakun për këtë liri që ty të jep mundësinë për të qënë deputet.
7- A ju lejohet ju z. Florian Krasniqi të shkoni në një shtëpi ku jeton gruaja e komandantit heroik Lefter Koxhaj me dy fëmijë të vegjël, i pasuar nga 6 -7 burra që i mbaje pas e duke u sjellë një presion psikologjik dhe tronditje të jashzakonshme, sepse e ndjenin veten pa mbrojtje dhe viktimë të egoizmit tuaj për para. A nuk konsiderohet kjo e dënueshme në çdo vend të qytetruar të botës, aq më tepër kur ju vinit nga Amerika dhe nuk duhet të keni të tilla koncepte patriarkale e imponuese që të pakten mendohet se i kemi lënë pas në shekullin e kaluar?
8- A e dini ju, z. Florin Krasniqi se fëmijëve të komandant Telit në moshën fëmijënore ju po u ushqeni urrejtje. A e dini se tashmë ju që kërkoni t`i flakni në rrugë urreheni me po atë forcë sa ata që e tradhtuan dhe vranë babain e tyre në Masakrën e Gazi Babës. E gjithë kjo kur prej jush pritej dashuri e përkujdesje njerzore si respekt për djemtë e baballarët që dhanë gjakun e tyre për liri dhe idealet e larta kombëtare?
9- A e ndjen veten mirë në grupin e deputetëve të Albin Kurtit, zoti Florin Krasniqi, në atë grup deputetësh rinorë, të zjarrtë, ku flitet për ideale të larta mbarkombëtare, ndërkohë që pikerisht ju, personalisht, vini njerëzit e tu dhe të klanit tuaj për të flakur në rrugë fëmijët e dëshmorëve?
10- Dhe e fundit, po të ngjallej për një çast Komandant Teli, para të cilit dridheshin e iknin në panik mijtë armiqtë e shqiptarëve, si do ta ndjeje, i nderuar deputet Florian Krasniqi dhe a do ta përballoje shikimin e tij?
Për Albin Kurtin, kryetarin e lëvizjes ( tashmë parti), “Vetvendosja” që ka nxjerrë deputet Florin Krasniqin do të thosha veç një fjalë: “Në mos qofsh i zoti me e bind Florin Krasniqin që të mos flakë në rrugë të madhe fëmijët e komandant Telit, por të veprojë siç ka vendosur Shtabi i UÇK-së, atëherë distancohu prej bëmave të turpshmë të deputetit tënd, përndryshe prano se idealet tuaja partiake janë një mënyrë tjetër e re për të bërë politikë të vjetër, për të mashtruar popullin e për të mbushur xhepat e deputetëve. Eshtë koha e të vërtetës përtej fjalëve të bukura në parlament e në metingje populiste.
Cilësia më e poshtër e çdo individi në këtë botë është mosmirënjohja, por kur kjo bëhet në mënyrë institucionale, atëherë kemi një zvetënim të idealeve kombëtare dhe ashtu siç me të drejtë shkruante poeti, shkrimtari dhe analisti i njohur anglez Samuel Johnson: “Patriotism is the last refuge of the scoundrel.”- Nacionalizmi është streha me e fundit e maskarenjve.
*Qëndrimet e shprehura në këtë artikull nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht vijën editoriale të agjencisë NOA