English

Fondet, ndihma e BE-së: Shqipëria të bëhet një “menaxhere” e mirë

Tiranë, 27 qershor 2011 NOA- Bashkimi Europian ndihmon qeverinë shqiptare të përthithë siç duhet fondet. Projekti me vlerë 1.35 milion euro synon menaxhimin e decentralizuar të fondeve të BE-së, në mënyrë që autoritetet shqiptare të jenë përgjegjëse për programimin, prokurimin, nënshkrimin e kontratave, bërjen e pagesave, dhe për kontrollet financiare mbi paratë e taksapaguesve të BE-së që jepen për zhvillimin e Shqipërisë. Projekti synon veçanërisht rritjen e kapaciteteve të autoriteteve shqiptare për të menaxhuar fondet në kuadër të Instrumentit për Para-aderimit, prej të cilit janë dhënë €275 milion për periudhën 2007-2010. Përgatitja për menaxhim të decentralizuar të fondeve IPA e mundëson Shqipërinë të përgatitet për të mbajtur me sukses një nga përgjegjësitë kryesore të anëtarësimit, menaxhimin e të ashtuquajturve Fonde Strukturore dhe të Kohezionit, fonde që vendet anëtare të BE-së marrin për të integruar më mirë rajonet e tyre më të varfra dhe për të zhvilluar infrastrukturën.

Gjatë ceremonisë së prezantimit, z. Luigi Brusa i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri theksoi se Shqipëria do të jetë në gjendje të përfitojë dhe më në fund edhe të menaxhojë fondet e të pesë komponentevë të Programit IPA vetëm pasi të ketë marrë statusin e vendit kandidat, dhe siç dihet shumë mirë nga Opinioni i Komisionit Evropian, duhet shumë punë që Shqipëria ta fitojë këtë status.

Shqipëria do të jetë në gjendje të menaxhojë vetë fondet e BE-së, kur ngritja e strukturave përkatëse për menaxhimin e decentralizuar të jetë e plotë dhe ato të jenë funksionale. Vlerësimi i përgatitjes së Shqipërisë është i detajuar dhe i plotë, përfshin aktorë të ndryshëm, dhe fillon konkretisht me Raportin e Vlerësimit të Përputhshmërisë që pritet të kryhet shumë shpejt. Në fund, auditorët e Komisionit Evropian do të përcaktojnë nëse menaxhimi i fondeve të BE mund t'i besohet autoriteteve të vendit.

a.q/NOA

KOMENTE