English

Gjuha shqipe, nën inkuizicion mesjetar

Të ndalet inkuizicioni mesjetar i albanologjisë zyrtare ndaj gjuhës pellazgo-shqipe!

Fatbardha Demi

Shkenca është diçka e mrekullueshme, nëse dikush nuk duhet ta fitojë bukën e vet me të.

Albert Ajshtajn

Duke rrëmuar në skedarin e Bibliotekës së Institutit të Gjuhësisë dhe Historisë, më shkuan sytë tek një titull: «Antologjia e klasës së III-të të Shkollës së Mesme » (Botimi Ministrisë së Arsimit, Tiranë 1946 redaktor Aleksandër Xhuvani ). Ç’farë shkruhej për origjinën e gjuhës sonë, në vitin e parë të shtetit të lirë shqiptar? « Shqipja jonë, mbas studimesh të thella të bame prej gjuhëtarvet, ka dalë prej ilirishtes që flisnin Ilirjanët. Siç dihet prej Historisë, Ilirjanët kanë qenë stërgjyshërit tanë … Por shqipja jonë siç e vërtetojnë shumë dijetarë e gjuhëtare, ka elemente edhe të trakishtes… Me kohë, meqenëse Shqipërinë e kanë shkelë në kohë të vjetra popuj të ndryshëm si Romakët, Sllavët e Turqit, në shqipet kanë hymë edhe elemente prej këtyre gjuhëve, por shtresa e parë dhe karakteristikë e shqipes ashtë ilirishtja e trakishtja. Ilirishtja e vjetër nuk ka qenë shkrue prej Ilirjanëvet; deri sot të paktën nuk kanë dalë në dritë prova e dokumente të sigurta për këtë punë. . . Edhe shkrimtarët e shek. 16, 17 si Buzuku, Budi, Frangui Bardhi, etj përmendin fjalën gjuhë t'arbëneshe për të kallëxue gjuhën shqipe. Bogdani në veprën e vet "Cuneus prophetarum". . . përmend për të parën herë fjalën "shqip"; emni shqiptar përmendet se parit që nga viti 1362 (f 7, 8)

Më lindi kureshtja, se me çfarë të dhënash të reja është pasuruar teksti i gjimnazit, pas 65 viteve të studimeve albanologjike mbi origjinën e gjuhës sonë. Në faqen 14, te Historisë së maturës (Historia 4, 2010), lexoj : « Ilirët flisnin një gjuhë indo-evropiane… Deri më sot nuk është zbuluar asnjë mbishkrim i plotë i shkruar në ilirisht. … Në mbishkrimet e zbuluara ka shumë emra ilire dhe fjalë që shpjegohen me ilirishten… »

Teksti nuk i kalon as 8 rreshta e gjysmë. Nuk më besohej, që në më shumë se gjysmë shekulli, nuk kishim shtuar asgjë të re, për origjinën e gjuhës sonë. Vendosa t’i drejtohem « Biblës » së studimeve albanologjike shqiptare « Historia e Popullit Shqiptar » botim i Akademisë së Shkencave –Instituti i Historisë ( Toena, 2002) : « Ilirët flisnin një gjuhë që dallohej nga gjuhët e popujve të tjerë të kohës së lashtë të Ballkanit. Ajo ishte një gjuhë e veçantë indoevropiane, që kishte lidhje afërsie, ku më të afërt e ku më të largët, me gjuhët e tjera të gadishullit dhe jashtë tij. Janë konstatuar elemente të përbashkëta sidomos me trakishten…(Çabej) marrëdhëniet e shqipes me greqishten e vjetër dhe me latinishten tregojnë se shqipja është formuar në fqinjësi me këto dy gjuhë…nga ilirishtja e Ballkanit gjer më tani nuk është gjetur gjë e shkruar. Dëshmohet e shkruar mesapishtja e Italisë jugore që është mbajtur e mbahet përgjithësisht si një degë e ilirishtes… » (f53, 54)

Në tekstet shkollore dhe shkencore zyrtare, për origjinën e gjuhës shqipe nuk ka asgjë të re, pas 237 viteve!

Asgjë më shumë, se sa pohimet e gjuhëtarit gjerman të shek 18, Pr. Hans E. G. Truman i Universitetit Halles në Gjermani, një nga albanologët e parë, i cili në veprën e tij « Hulumtime për historinë e popujve të Evropës Lindore » (1774) arriti në përfundimin se : « shqiptarët janë vazhdues autoktonë të popullsisë së lashtë ilire, të cilët as u romanizuan e as u asimiluan nga dyndjet e mëvonshme » (f35 E. J. ) Kjo tezë u pasurua më tej nga bashkëkombësi i tij, Johan G. Han i cili në veprën « Studime shqiptare »(1854) pohon se « Burimet antike e bindën që ilirët, epirotët dhe maqedonasit( e lashtë-shënim) nuk ishin grekë, por ishin më të vjetër se ata dhe e kishin prejardhjen nga pellazgët e lashtë …se gjuha shqipe ishte vazhduese e drejtpërdrejtë e ilirishtes, kurse vetë ilirishtja rridhte nga pellazgjishtja »(f. 36 E. J. )

Në të njëjtin vit, një gjerman tjetër, Franz Bopp që dëshironte të gjente “ mëmën” e gjuhëve të folura të kohës së tij, arriti të provonte se gjuha shqipe i përkiste familjes së gjuhëve indo-evropiane.

Pra shihet qartë se, për origjinën e gjuhës shqipe shkenca zyrtare albanologjike, ka mbetur vend-numëro për 237 vjet. Për një shkencë, sipas historianit Romilly Jenkins : “Të rrijë në vend, do të thotë të shkojë mbrapa, si relativisht edhe absolutisht. Në asnjë sferë tjetër kjo e vërtetë nuk dallohej më qartë se në atë të gjuhës dhe letërsisë” (f30 R. J. ) Dëshmi e qartë e kësaj ecje mbrapa është fakti, që sot Albanologjia zyrtare në botimet e saj dhe në tekstet mësimore, nuk i njeh Pellazgët si stërgjyshër të shqiptarëve dhe vijues të gjuhës së tyre.

Kjo “ngrirje” në studimin e origjinës së gjuhës sonë, ka shkaqet e veta, sa shkencore aq edhe ideologjike. Në vitin 1967, u zhvillua një « debat » me fletë-rrufe, të ngjitura në muret e Institutit të Gjuhësisë, që kishin « për qëllim të sqarojnë disa probleme me karakter shkencor » ndërmjet studiuesve të arkeologjisë dhe Prof. Eqerem Çabej-it, mbi origjinën e shqiptarëve dhe gjuhës së tyre. Falë këtij debati, me gjithë telashet dhe pasojat për profesorin, ne sot kemi një dokument të rëndësishëm për historikun e zhvillimit të shkencës sonë Albanologjike, që pasqyron metodologjinë dhe mendësinë e kohës në këto fusha.

Në këtë « debat shkencor » u dëshmua, se në studimet arkeologjike nuk pasqyroheshin faktet gjuhësore, dhe arritjet e arkeologjisë nuk zinin vendin e duhur, në nxjerrjen e konkluzioneve gjuhësore mbi lashtësinë. Për fat të keq, edhe në ditët e sotme, studiuesit e këtyre fushave, nuk përfshijnë në formimin e tyre profesional, njohuritë e të dyja këtyre disiplinave (arkeologjisë dhe gjuhësisë). Këto kufij (për lashtësinë), vihen edhe ndaj shkencave të tjera.

Studiuesi arbëresh Xhuzepe Katapano, më 1984 pohon : « se prania e Ilirishtes në Egjipt mund të vendoset deri në kohëra shumë të hershme: rreth 12. 000 vjet më parë, duke përkuar me zhdukjen e Atlantidës së përshkruar nga Platoni në dialogjet “Timeu” dhe “Kricia” (f38 Xh. K) ».

Ky pohim u bazua mbi “ Hulumtimet skrupuloze që kam kryer me ndihmën e sistemit kritik, të krahasimit shkencor të rrënjëve të shumë gjuhëve tepër të lashta si : eskuera baske, shqipes, gjuhëve hitite, hebraike, arabe, aramaike dhe të tjerave, veçanërisht gjuhës kopte-gjuhës liturgjike të të krishterëve të Egjiptit ; si dhe studimeve shumë-vjeçare të rendit filozofik, teozofik, histori-arkeologjik, etnografik, mitologjik, matematik, kimik, fizik, natyralist”. Ky formim shkencor “ më ka çuar në përfundimin se, duhet përmbysur tradita, që e paraqet qytetërimin neolitik si një fryt kryqëzimesh »

Ky mendim hodhi poshtë, pas afro njëzet viteve, tezën e Prof. E. Çabejit se “ Ajo që quajnë “kulturë ilire”… nuk mund të vërtetohet se ka qenë etnikisht e gjuhësisht homogjene… » (B. A. ) Këto teza, me entuziazëm u brohoritën nga studiuesit fqinj serbë, për të vënë në dyshim autoktoninë dhe trashëgiminë ilire të shqiptarëve dhe gjuhës së tyre, por edhe nga disa « analistë » shqiptare të ditëve të sotme, që jo rrallë kanë treguar analfabetizmin e tyre në shkencën historike.

Tashmë, teza e një gjuhë fillestare është pranuar përgjithësisht. I pari që e ka shprehur qe Sër William Jones (1746-1794), orientalist i famshëm që njihte 28 gjuhë. Sipas albanologut Arif Mati, por edhe shumë studiuesve të huaj dhe shqiptarë “Pellazgjishtja e lashtë, nga e cila rrjedh shqipja e sotme, ka qenë gjuhë zanafillore e folur në Evropë, Egje dhe Azi të Vogël qysh të paktën prej viteve 6500 para Krishtit” (f 477 A. M. )

Pajisja me njohuri nga shumë fusha shkencore, edhe në historiografinë botërore zotërohet nga një numër i pakët studiuesish, gjë që i ka çuar shpesh në udhëkryq (sidomos për lashtësinë) apo në gjykime të pjesshme. Pr. Colin Renfrew i Universitetit të Kembrixhit, në botimin e tij “Arkeologjia dhe Gjuhësia” (1989) shkruan: “Arsyeja kryesore e botimit të këtij studimi, është që të vë në dukje, se arkeologët e këtyre viteve të fundit, për të rindërtuar të kaluarën, nuk kanë marrë parasysh në masën e duhur dëshminë e gjuhësisë” (Wikipedia “pellazgët”).

Mangësi vërehen në shumicën e botimeve të studiuesve të huaj për periudhën pellazge, greko-romake apo atë bizantine, sepse nuk e njohin, apo e anashkalojnë : gjuhën, historinë, besimet dhe kulturën e traditës së kombit shqiptar, faktorit shumë të rëndësishëm të këtyre periudhave historike.

Nuk mund të shprehemi për origjinën e gjuhës shqipe sepse nuk kemi shkrime ilire nga lashtësia

Kështu pohojnë edhe sot gjuhëtarët e institucioneve zyrtare të Albanologjisë. Një shprehje popullore thotë : « Nuk shikon syri, por mëndja ». Si vallë, studiuesit tanë, do të gjejnë shkrime ilire, kur në mendësinë e tyre, shqiptarët nuk janë pasardhës të Pellazgëve që më vonë u emërtuan Ilirë, apo më saktë Thrako-Ilirë ?

Prof. E. Çabeji, me ironi theksonte se: “Nuk do të mund të kënaqim ata, që ende sot kanë një besim të plotë mbi origjinën pellazgjike të gjuhës sonë. Përkundrazi, ka ardhur koha që, së paku nëpër shkolla, mos t’ia mbushin kokën fëmijëve me hipoteza të tymosura që i përkasin mesit të shekullit të kaluar! “ (f 23 N. V. )

Koha tregoi se Prof. Çabeji nuk kishte të drejtë: „Në Muzeun Arkeologjik të Athinës hasim me një shtyllë shumë të lashtë, me një mbishkrim bustofedik të shkruar me alfabetin pellazgjik dhe me përmbajtje vajtimi, zbuluar në ishullin Lemnos…deri më sot, nuk është lexuar…( me duket se është lexuar nga zoti Mati, ka shkruar një artikull për të-shënim i imi B. S).

Forma e shprehjes është primitive, megjithatë, është për t’u habitur se si mund të zgjidhet e të kuptohet ky mbishkrim, mbas më se 3000 vjetëve me anën e shqipes së sotme“ (f31, N. V. F. )

Nuk mund të besohet se, i arsimuar në Perëndim, Profesori nuk kishte njohuri mbi studimet shkencore të gjuhëtarëve të huaj, që theksuan origjinën ilire dhe pellazge të gjuhës shqipe.

Dua të sjell vetëm një fakt të dhënë nga studiuesi francez Eduard Shnaider në fund të shek. 19. Duke studiuar fjalët një-rrokeshe të shqipes, që dëshmojnë lashtësinë e një gjuhe, e që ruhen edhe sot, në fondin e saj bazë leksikor (785 të tilla, ndërkohë që në gjuhët e tjera evropiane gjenden jo më tepër se katër-pesë rrënje, në greqishte 9 rrënje, e në latinisht vetëm një) pohon se “i vetmi popull që mund të mburret se trashëgon vetitë, zakonet, traditat, tiparet dhe gjuhën e Pellazgëve, është populli shqiptar” (f. 11 E. S. )

Duhej, gjithashtu të kishte dijeni edhe për studimet e bashkëkombësve të tij si : Dhimitër Kamarda, i cili në librin e tij « Një esse e gramatikës krahasuese rreth gjuhës shqipe” (1864) vërtetoi se gjuha e popullit shqiptar ishte ndër më të vjetrat e të gjithë popujve të Evropës “ (f37 E. J. )

Në mohimin e origjinës pellazge, të gjuhës dhe shqiptarëve, bashkoheshin edhe historianët Stefanaq Pollo dhe A. Puto të cilët « në Historinë e Shqipërisë, janë shprehur se :”Nuk ekzistojnë elemente identifikimi të pellazgëve me shqiptarët” (f11 A. K. ) A janë këto pohime si rrjedhojë e studimeve të tyre shkencore, apo të qëndrimeve të diktuara nga politika? Për këtë do të flasim më vonë.

Në « debatin shkencor » të flet-rrufeve Prof. E. Çabeji shkon edhe më tej : « Në lidhje me autoktoninë, do të shtojmë ndërkaq edhe këtë që, gjuhësinë e intereson më fort puna e autoktonisë së popullit shqiptar, sesa ajo e autoktonisë së Ilirëve. » (B. A. ) Por, a nuk janë shqiptarët bijtë e Ilirëve ? Duke i ndarë prej tyre, ku do t’ua gjejë autoktoninë, albanologjia zyrtare? Meqenëse origjina dhe autoktonia pellazgo-ilire e shqiptarëve nuk është objekt i shkrimit, nuk po zgjatem në këtë pikë.

Po ku “fshihet” gjuha e ilirëve?

Ajo gjendet kudo në Evropë, Afrikën Veriore, Azinë e Vogël dhe të Largët, ku ka shkelur këmba e popullit të parë evropian: Pellazgëve.

“Në Shqipëri ka dokumente epigrafie të shumta, nga ato më të lashtat pellazgjike, deri ato të periudhës ilire dhe të kohëve më të vonshme…Por nuk shpjegohet se përse duke pasur në dispozicion një pasuri aq të madhe dokumentesh epigrafie brenda kufijve të Shqipërisë, ai (Mahir Domi) nuk i është vënë edhe studimeve të tyre. (f48 N. V. ) Një “biblioteke” e pasur për albanologjinë janë edhe shkrimet e fiseve etruske (Itali, etruskët gjithashtu janë fise ilire) por edhe te fiseve te tjera pellazge në Portugali, Greqi, Kroaci, Serbi, Rumani, Turqi e në shumë vende të tjera.

Francezi Zacharia Mayani, në vitin 1970 botoi tre vëllime me këto dëshmi “Etruskët filluan të flasin”, “Etruskët Flasin” dhe “Fundi i misterit Etrusk”. Vërtet Etruskët folën shqip, por a i dëgjuan albanologët tanë zyrtarë, zërin e tyre?

Folën shqip, jo vetëm gurët e Etruskëve të lashtë, të zbuluar prej arkeologëve. Emërtimet e disa maleve, lumenjve, fshatrave dhe qyteteve, gjireve, ishujve, deteve në vende të ndryshme të Evropës e më gjerë, gjithashtu flasin me gjuhën tonë. Edhe emrat e Perëndive të Olimpit, që e gjithë Historiografia botërore zyrtare i ka pagëzuar me ujin e shenjtë “grek”, nuk kanë asnjë kuptim me greqishten, por shpjegohen vetëm nëpërmjet gjuhës së Albanëve, prandaj edhe studiuesit e emërtuan si ”gjuhën e perëndive”.

« Në se Pellazgët krijuan këtë fe dhe u dhanë emra perëndive, ashtu siç thonë shkrimtarët e vjetër, atëherë kam në dispozicionin tim një fjalor interesant pellazgjik » shkruan i entuziazmuar studiuesi arvanitas, Aristidh Kola (f. 11A. K)

Do të ishte gabim, të mendohet se mangësia e formimit shumë-disiplinor i albanologëve zyrtarë shqiptar, është faktori kryesor i « ngrirjes» 237 vjeçare në studimet mbi origjinën dhe gjuhën e shqiptarëve.

Që në krijimin e shtetit Shqiptar, mbas Luftës së Dytë Botërore, studiuesit u veshën me uniformën e ushtarit të Partisë.

Më kot priti Spiro Konda që kishte ardhur nga Italia në Konferencën e parë Albanologjike (Tiranë 1962) kur paraqiti tezën e tij mbi paraardhësit e shqiptarëve (“Shqiptarët dhe problemi pellazgjik”), të zhvillohej një debat shkencor.

Sipas dëshmive të flet-rrufeve (1967-8), drejtuesit e Albanologjisë (komisarët e Partisë), udhëzonin “që shkencat tona albanologjike duhet të bazohen mbi shkencën marksiste-leniniste”(E. Hoxha në mbledhjen e Byrosë Politike të K. Q. PPSH 3. 11. 1969) “që të shikojmë çdo gjë me syrin politik » për të shpëtuar nga « presioni i shkencës borgjeze ». Duhet « të shkarkohemi nga të huajt» në mënyrë që « ndjenja e inferioritetit të zhduket. Enver » (Fjalët e pjerrëta janë nga shënimet e Prof. E. Çabejit, nga mbledhjet me drejtuesit) (B. A. )

I vetmi studiues që doli hapur në “debatet shkencore” të flet-rrufeve (1967), kundër këtyre udhëzimeve, qe gjuhëtari Selman Riza, i cili u shpreh se filozofia marksiste nuk mund të zbatohej në gjuhësi. Për këtë problem të metodikës, Prof. Riza u akuzua për shfaqje të huaja e armiqësore dhe u syrgjynos në Berat.

Si « presione borgjeze » u cilësuan jo vetëm studimet e autorëve me kombësi të huaj, por edhe të atyre me gjak shqiptar, por që jetonin jashtë kufijve të 1913-ës. Veprat e tyre, që i çuan më tej, pohimet e albanologëve të shek 18 dhe 19, u shpallën si « herezi » dhe nuk u lejuan të botoheshin. Nuk u përfillën as studimet e arbëresheve te Italisë si : G. De Rada, Angelo Masci, Vincenzo Dorsa, Bernardo Bilota, Marchano etj. Studimet e tyre u përcaktuan si «Hipoteza romantike, pa baza shkencore, të frymëzuara nga motive politike » (Myzafer Korkuti, « Parailirët-ilirët-arbërit » Internet).

Katedrat gjuhësore në universitetet më të njohura si në Angli, Portugali, Sh B. A, Kinë, Kolumbi, Çekosllovaki, Spanjë, Itali, dhe Kosove etj. e pritën me një interesim shkencor studiuesen shqiptare Nermin Vlora Falaskin, që zbërtheu shumë shkrime të lashta me anën e gjuhës shqipe, por nuk u pranua në vendin ku kjo gjuhë ishte e popullit dhe e shtetit, në Shqipëri.

Kështu edhe një studiues i shkollës vjeneze, siç ishte Prof. Çabeji, megjithëse pohon se « Autoktonia e popullit shqiptar në viset e sotme, (është) vërtetuar me anë të vazhdimësisë të emrave të vendeve në trajtën e tyre antike e në të sotmen » në të njëjtën kohë nxjerr përfundimin se : « shqipja është e vetmja që është në gjendje të shpjegojë emrat e dy vargmaleve me rëndësi të Evropës qendrore-lindore, Karpatet e Beskidet… Kjo për prehistorinë e popullit shqiptar do të thotë se pellgu i Karpateve, në mos një djep relativ i të parëve të tij, ka qenë pakmos një stacion në shtegtimin e tyre për në Evropën jugore… (kështu thotë edhe Kapllan Resuli- shënimi i imi- B. S. ) Veçse koha e këtij shtegtimi dhe e vendosjes së tyre në Gadishull nuk mund të caktohet më qartë as historikisht as me mjetet e arkeologjisë » (B. A. )

Ky përfundim i Prof. E. Çabejit, u bë shkak që emri i tij është bërë nga më të preferuarit për pseudo-historianët serb.

“Kërkimet, studimet … të organizuara në trojet shqiptare që nga Jovan Cvijiqi, Selishqevi, Atanasie Urosheviqi, Milica Gërkoviqi, Jovan Ristiqi etj. , tubimet shkencore si “Iliri i Albanci”, “Serbia i albanci kraj XIX veka”, të organizuara nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Serbisë” – së fundmi edhe në simpoziumin shkencor - “Sllovensko porijekla stanovnishtvo u Albaniji”, mbajtur në Cetinë më 1990, këmbëngulet tek “ prejardhja jo ilire e shqiptarëve dhe jo autoktonia e tyre në trojet e sotme etnike dhe shtetërore” (Begzat Balliu, “Antroponimia identitare e Kosovës”).

Sot, megjithëse veshi « xhinset » perëndimore, Albanologjia zyrtare vazhdon « ngrirjen » 237 vjeçare, për origjinën e gjuhës sonë.

Pa e lodhur veten, për të na bindur me rrugë shkencore dhe pa pranuar të bëjë asnjë debat, Albanologjia zyrtare mohon çdo studim, të kohëve të kaluara dhe të ditëve të sotme, për origjinën pellazgo-ilire (emërtim qe nuk duhet ndarë) të gjuhës sonë, duke u fshehur prapa teksteve shkollore të historiografisë evropiane, që heshtin për këtë fakt.

Ky solidaritet, tregon se problemi i origjinës së gjuhës sonë, nuk është thjesht i shkencës dhe politikës zyrtare shqiptare, por edhe i shkencës zyrtare dhe i interesave politike ndërkombëtare. Kur flasim për origjinën dhe rolin tek gjuhët evropiane dhe më gjerë, të gjuhës pellazgo-shqipe, rrjedhimisht vërtetojmë origjinën, shtrirjen territoriale dhe rolin e kombit shqiptar në Kontinentin Evropian e më gjere, një e vërtetë historike që “fitimtaret” dhe “të ardhurit e vonuar”, luftuan ta varrosin.

“Duke mos u ndrojtur nga një përgënjeshtrim prej historisë dhe duke qenë i sigurte se nuk do të akuzohem se kam dëshirën për ta zmadhuar, meqë nga pikëpamja e kombësisë i takoj të njëjtit popull, mund të them se populli shqiptar dikur ishte një popull i madh që banonte ne dy kontinente, të Azisë e të Evropës, nga Triestja deri në Sivas. . . (f242 S. F. v2)

Problemi i origjinës, autoktonisë dhe meritave historike të një popullsie, është shfrytëzuar historikisht për qëllime dominimi psikologjik, ekonomik dhe politik.

Çështja e origjinës, autoktonisë dhe ngjarjeve të lavdishme të të parëve, krijon ndjenjën e përkatësisë, të bashkimit dhe arsyen për të qenë krenar, ndjenja që të jepnin forcë në luftëra, sa të drejta, aq edhe pushtuese. Ja përse kapitalizmi evropian i shek 18 e më vonë, filluan garën për të zbuluar lashtësinë dhe “të ndërtojnë gjuhët e popullit” të shteteve të tyre. Çdo shtet kërkonte “madhështinë” e origjinës dhe historisë së tij, për të ruajtur psikologjikisht perandoritë koloniale dhe supremacinë në kontinentin evropian. Të mos harrojmë, se me këtë “madhështi” u ushqye politika më famëkeqe e njerëzimit: Racizmi, që zbatoi gjenocidin më të egër në historinë njerëzore.

Shembulli më i freskët është lufta në Kosovë, në emër të “djepit” të serbëve, që synoi krahas zhdukjes së popullsisë shqiptare, zhdukjen edhe të çdo dokumentacionit dhe të objekteve historike. Historiani Walter Barberis, thekson se këto veprime kryen nga shkaku se: “Një shoqëri pa rrënje të përbashkëta, popuj pa histori apo kujtime të familjes, kanë një sjellje të veçantë të diktuar nga një tendencë drejt individualizmit dhe in-tolerancës. ” (f4 W. B. )

Kur flasim për “zbulimin e rrënjëve” për interesa politike në Evropën e shek 18-19, nuk duhen ngatërruar këtu, folkloristët dhe gjuhëtarët e Rilindjes evropiane, që hodhën bazat e Gjuhësisë krahasuese dhe historike dhe frymëzuan ndjenjën kombëtare. Interesat politike ndaj së kaluarës, janë shfaqur që në lashtësi. “ Ramsesi i III-të ua kaloi gjithë paraardhësve, duke përvetësuar monumentet e tyre: i gërreu gjithë emrat e tyre dhe gdhendi emrin e vet në vend të tyre” (f18 F. N. )

Shumë histori të popujve dhe origjina e vërtetë e figurave te lashta u “varrosën”, për të rishkruar histori të plotësuara me ngjarje, dhe me emra të deformuar apo të rinj, të heronjve të kohës (“Etruskishte-Toskërishte” Niko Stillo).

“Legjendat dhe mitet historike greke janë të mbushura me këto lloj treguesish të rremë” (f42 A. Mati). Zhdukja e arritjeve të brezave të mëparshëm, për të ligjëruar ata që erdhën më vonë, vijoi gjatë të gjithë historisë njerëzore. “Në se do të lexonim Platonin, do të mësonim se ata (priftërinjtë ortodoks) gjatë të gjithë kohës përkthenin veprat pellazge në gjuhën artificiale dhe zhduknin origjinalet. Në këtë mënyrë mbas shumë shekujsh arritën të krijojnë kulturën që nuk ishte aspak e tyre, por ajo e pellazgëve hyjnorë”(Ali Eltari « Republika » 7. 01. 2010)

Sidomos gjatë mesjetës, u shkatërruan arkivat unike të objekteve fetare. “Ekzistonin dokumente të çmuara në manastirin e Shën Naumit … Murgu Serafim, autor i këtij vandalizmi, i thoshte më 1856 peshkopit Popov…Patriarku më ka urdhëruar tre herë radhazi… Nëse në këtë kohë nuk janë djegur të gjitha arkivat, ti do të zëvendësohesh, dhe atë që nuk do ta bësh ti, do ta bëjnë të tjerët. Vetëm atëherë arrita në përfundimin që të bëja një pirg me to, para manastirit dhe tu vija flakën. Por sa keq më vinte ! » (f334 Zh. F. )

Por edhe Albanologjia zyrtare shqiptare, nuk mbeti prapa në këtë punë :”Po të krahasojmë dy botimet e Iliadës, të 1965 dhe të 1979, do të dallojmë se (në vargun 328 – 332)…është zëvendësuar emërtimi i fisit të akejve me emërtimin e fisit të danajve, kur dihet se akejtë vinin nga ishujt e Egjeut dhe danajt nga veriu kontinental. ” (Genc Hoti, albanovaonline. com). Për “madhështinë” e kujt u bë kjo padrejtësi Homerit?

Megjithëse në rrethet shkencore, njihet ky barbarizëm mbi dokumentet e lashta, si dhe pasojat shkatërruese nga ngjarjet historike, albanologët tanë zyrtarë, ngulmojnë se : “Për të përcaktuar origjinën dhe lashtësinë e gjuhës, kriteri i vetëm është dokumenti i shkruar !”. Përfundimisht, në tekstet shkollore (si shqiptare dhe të huaja) gjuha “mëmë” e evropianëve të sotëm si dhe prejardhja e gjuhës shqipe mbeten “pa përgjigje”.

Tekstet tona mësimore luftojnë të na bindin, se sa shumë ka marrë gjuha jonë nga grekët, dhe latinët në lashtësi, dhe nga sllavët e ardhur veçse në shek VI – X të erës sonë. Studimet shkencore gjuhësore tregojnë se greqishtja është një gjuhë më e vonë, sikurse edhe sanskritishtja, latinishtja apo gjuhët ballkanike sllave, të cilat kanë marrë (dhe jo dhënë, siç vlerësohet në tekstet mësimore) nga fondi gjuhësor i pellazgo-shqipes. “Ndikimin e shqipes në gjuhën serbo-kroate, e vënë në dukje pa kursim linguistët serbokroatë, se ajo është një gjë që nuk mbulohet (Dr Ivan Popoviç-Historia e gjuhës serbe)” (f110 V. S. )

Huazimet nga gjuhët e tjera, të pellazgo-shqipes, kanë qenë të kufizuara, për faktin se fiset pellazge ishin në një nivel më të lartë zhvillimi shoqëror, kulturor dhe gjuhësor. „Iliria fillonte nga Danubi dhe shtrihej deri në Azinë e Vogël, por pjesa më e zhvilluar e saj ishte Iliria e jugut, që mund të themi se përfshinte trojet nga Kosova deri në Çamëri“ (f. 272N. V. F)

“Meqenëse helenët në kohën e dyndjes së tyre në Evropë ndodheshin në gjendjen e barbarisë, pranuan besimin e pellazgëve dhe morën shumë gjëra nga gjuha e këtyre. („Duke provuar të vërtetën“ 1878, gazeta “Terxhuman-i Shark nr. 86 S. F. v1. )

Studiuesi S. Kulishiç në vitin 1954 pohon se: “Sllavët ishin nevojtar për të gjitha: sëpatën, draprin, thikën, briskun, grepat e peshkimit, gjilpërën për të arnuar, rrjetat, ngojcat e kuajve, zilet e këmborëve të bagëtive të cilat s’kanë ndryshuar që nga koha e bronzit deri më sot, dhe i kemi ashtu siç na i dhanë ilirët”” (f. 125 V. S. )

As“Iliada”(Zëmrimi i Akilit), dhe as emrat e heronjve të saj, nuk mund të kuptohen nëpërmjet gjuhës greke. Filozofi dhe gjuhëtari Sami Frashri më 1886, vëren se “Po t’i lexohet grekut vetëm një gjysmë-varg i Homerit, që është shkruar para tetë shekujsh, ai ose do te mohoje se Homeri ka qenë grek, ose do të refuzojë se vetë është grek (f. 71 S. Fr. )

Të kapur me fanatizëm pas një metode të vjetruar, në studimin e origjinës së gjuhës dhe të popullit shqiptar, gjuhësia zyrtare në vend të fakteve shkencore, bën vlerësime “objektive” antikombëtare. Studiuesja e gjuhës dhe komunikimit në Universitetin e Illinoisit U-C USA, Eda Derhemi shkruan se: “Si shumë të tjerë nëpër Ballkan, kemi bindjen qesharake dhe provinciale (që buron pikërisht nga të jetuarit nën trysni të vazhdueshme fanatizmi) se, po qe se ne nuk kemi gjuhën më të vjetër, rrënjët më të lashta, e nuk i kemi të gjithë heronjtë e gadishullit me gjak krejt a pjesshëm prej tonit, atëherë s’kemi pse jetojmë më: s’na ngelet “nder”, as vlerë, as vend në këtë planet. ” ( "Medalja e lashtësisë”, Forumi “Zëri yt” Media Sociale Shqiptare 3. 03. 2011)

Në rast se edhe figurat më të shquara të gjuhësisë evropiane të shek. 19 dhe 20, që pohuan lashtësinë e gjuhës pellazgo- shqipe dhe ndikimin e saj mbi gjuhët e tjera, janë“qesharakë” dhe “provincialë”, atëherë edhe ne shqiptarët, e meritojmë këtë “medalje”.

Çfarë të rejash, kanë sjellë studimet mbi origjinën e gjuhës shqipe?

« Studiues dhe institucione shkencore të huaja që u angazhuan me shqipen, konkluduan se vetëm nëpërmjet shqipes së sotme mund të arrihet tek trungu Indo-Evropian i 225 gjuhëve dhe dialekteve që fliten sot në hapësirën Euro-Aziatike (f9 S. Tepelena « Iliriana » Athinë, 2005) (Duhet të kemi parasysh se gjuhën pellazgo-shqipe e flisnin shumë fise pellazge. Shqiptarët i përkasin degës thrako-ilire dhe sot janë të vetmit, që e flasin këtë gjuhë).

Studiuesi Eduad Shnaidër në veprën e tij “Pellazgët dhe pasardhësit e tyre” tregon se si lindi gjuha e kombit tonë, në kohën kur njeriu filloi të shkëputej nga bota shtazore: “sa për gjuhën që ato popullsi primitive flisnin, ne e kemi shpjeguar se ajo është akoma gjallë. Ajo është ruajtur pothuaj e paprekur në malet e vendit të Shqiptarëve, me atë thjeshtësi fillestare, harmoninë e saj imituese, kuptimin silabik të plotë të saj, si dhe lakonizmin, të tillë siç e kishte krijuar njeriu i parë nga admirimi i natyrës” (f44 E. S. )

E vërteta shkencore, dëshmon se Arbrit-Shqiptarë, si një popull autokton, ka të drejtën e ligjshme të krenohet, si pasardhës i drejtpërdrejt i njeriut të parë evropian, Pellazgëve hyjnorë, dhe jemi populli i vetëm, që flasim gjuhën e trashëguar prej tyre. Gjuha dhe Kombi, kanë qenë përherë për Arbrit jo vetëm burim krenarie, por edhe një DETYRIM për t’u përcjell brez pas brezi (dhe jo racizëm apo “nacionalizëm shqiptaro-madh”, ndaj popujve të tjerë, siç përflitet) dhe vazhdimisht është derdhur gjak për mbrojtjen e tyre.

Në shek 21, për Kombin Shqiptar është i papranueshëm inkuizicioni 237 vjeçar ndaj origjinës dhe rolit të gjuhës shqipe. Përse duhet te flijohet një e vërtetë historike, vetëm e vetëm se cenohen pretendimet pa baza shkencore, të disa shteteve të tjera ? Emri i Pr. E. Çabejit do të mbetet gjithmonë i nderuar për kontributin e tij të madh në gjuhësinë shqiptare, por nuk mund të “lidhemi me zinxhir” mbas atyre tezave të tij, që faktet shkencore i kanë hedhur poshtë. Rruga e “dogmatizmit mesjetar”, refuzimi i debatit, pengon zhvillimin e shkencës albanologjike. Çdo brez i shqiptarëve, ka të drejtë (jo me tetë rreshta) por me një pasqyrim të plotë: Të mësojë origjinën dhe rolin historik të gjuhës që flet!

Gjuha pellazgo-shqipe, është Muzeu i vetëm dhe më i lashti në historinë evropiane, që padrejtësisht nuk emërtohet si pasuri e kulturës botërore dhe nuk gëzon përkujdesjen e UNESCO-s, për fajin tonë në radhë të parë, dhe të historiografisë zyrtare ndërkombëtare që kërkon flijimit të saj, për interesa politike.

KOMENTE