English

Gjykata e Lartë shtyn në 11 korrik gjyqin ndaj Ilir Metës

Tiranë, 27 qershor 2011, NOA – Gjykata e Lartë shtyu për në 11 korrik seancën gjyqësore në ngarkim të ish-numrit 2 të qeverisë, Ilir Meta, i akuzuar për korrupsion aktiv pas video-përgjimit të publikuar Meta-Prifti.

Trupi gjyqësor suprem vendosi ta shtyjë procesin gjyqësor ndaj kreut të LSI-së duke e arsyetuar me faktin se kërkon kohë për të shqyrtuar kërkesat e avokatëve mbrojtës dhe kundërargumentet e paraqitura nga prokurori i çështjes.

Në seancën e sotme Gjykata e Lartë dëgjoi argumentet e avokatëve mbrojtës të Ilir Metës, Petrit Serjanit dhe Gëzim Veleshnjës, që përfaqësuan ish-zëvendëskryeministrin Ilir Meta, i cili mungoi në seancë.

Ata rikërkuan pavlefshmëri të hetimeve të prokurorisë për shkak se janë shkelur afatet ligjore duke i bërë ato të paligjshme.

Avokati Serjani bëri me dije se organi i akuzës nisi hetimet pa dijeninë e Ilir Metës, i cili gjatë kohës së nisjes së tyre gëzonte mandatin e deputetit dhe imunitetin.

Por, prokurori i çështjes Bujar Sheshi kundërshtoi pretendimet e avokatëve të Ilir Metës duke nënvizuar se “kërkesat e avokatëve mbrojtës janë të pabazuara në ligj”.

Sheshi bëri me dije se hetimet e prokurorisë janë kryer brenda afateve ligjore.

Po kështu ai theksoi se edhe ekspertizat e video-skandalit vërejtën se në videot e publikuara nuk ka ndërhyrje.

Sheshi i kërkoi trupit gjyqësor suprem të mos marrë për bazë pretendimet e Dritan Priftit, duke theksuar se ai dhe Ilir Meta duhen gjykuar për të njëjtën çështje.

Hetimet e prokurorisë për afera korruptive me liçencat koncesionare të HEC-ve nisën pas skandalit të video-përgjimit Meta-Prifti i regjistruar nga Dritan Prifti në kohën kur ishte ministër i Ekonomisë.

Në videon e publikuar, shefi i LSI-së dhe zëvendëskryeministri Ilir Meta shfaqej në një bisedë me ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti, në zyrën e këtij të fundit, ku lajtmotiv i bisedës ishin dhënia e koncesioneve në mënyrë korruptive kompanive të parapëlqyera.

mit/NOA

KOMENTE