Tiranë, 27 qershor 2011, NOA – Kreu i diplomacisë shqiptare Edmond Haxhinasto deklaroi se duhet të ketë një kardinal shqiptar në Vatikan.
Zëvendëskryeministri bëri me dije se ai i ka paraqitur një ftesë Atit të Shenjtë dhe pritet që vitin e ardhshëm të shihet mundësia për një vizitë të Papa Benediktit të 16-të në Shqipëri.
Këto pohime ministri i Punëve të Jashtme i bëri gjatë konferencës së përbashkët me sekretarin e shtetit të Selisë së Shenjtë, arqipeshkvin Domenique François Mamberti. Referuar 20 viteve të bashkëpunimit të ngushtë me Selinë e Shenjtë të Vatikanit, Haxhinasto deklaroi se duhet që në selinë qendrore të kishës katolike të ketë edhe një ipeshkv shqiptar.
Ministri Haxhinasto vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve, duke evidentuar edhe nënshkrimin me Vatikanin të disa marrëveshjeve në turizëm, në shëndetësi dhe në përdorimin e arkivave.
Po kështu kryediplomati shqiptar vlerësoi rolin e kishës katolike në Shqipëri për promovimin e vlerave të tolerancës fetare dhe të respektit të besimeve të ndryshme fetare, një vlerë kyç kjo për Shqipërinë.
mit/NOA