Letër e hapur drejtuar mediave shqiptare, institucioneve qeveritare, organizatave të huaja. Numërohen votat, por nuk dalin llogaritë: Koha për zgjedhje të reja
MA Mark Kosmo
Ndërsa rinumërimit të votave të kontestuara në zgjedhjet vendore për Bashkinë e Tiranës u vjen fundi, të paktën një gjë është e qartë – besueshmëria e zgjedhjeve në Shqipëri dhe politikanëve shqiptarë është edhe më e ulet se sa ishte dy muaj më parë. Si dikush që jetoi në Shqipëri përgjatë viteve 1996-1999 (duke përfshire dhe Marsin e 1997), e kam të vështirë të imagjinoj një rezultat më të keq në muajt e fundit për sa i përket besueshmërisë së demokracisë në Shqipëri.
Në rinumërimin e fundit të 500 votave të kontestuara, të bërë javën e kaluar, raporti i ndarjes së votave ishte 256-244 në favor të Lulzim Bashës, ose 51.2%-48.8%. Siç edhe u argumentua një muaj më parë në një tjetër letër të hapur, statistikisht ky rezultat do të ishte ai që pritej, nëse marrim në konsideratë një total prej 250 000 votash, të cilat u ndanë në një raport 50-50 për secilin kandidat. E gjithë kjo ngre për diskutim disa pyetje interesante. Si ka mundësi që 500 votat e numëruara javën e kaluar përputhen pothuajse tërësisht me shpërndarjen e barabartë ku secili kandidat mori gjysmat e votave, ndërkohë që nga rinumërimi i 255 votave të tjera muajin e kaluar rezultoi një raport shpërndarjeje 2-1 (173-82) në favor të njërit kandidat – ngjarje e cila ka një probabilitet 1 në 200 milion që të ndodhë? A kishte KQZ-ja ndonjë arsye të fortë për të konsideruar fillimisht vetëm ato 255 vota, apo kishte anshmëri në të menduar se ato vota do të mbështetnin dukshëm njërin kandidat përpos tjetrit?? Askush nuk mund të përgjigjet me siguri të plotë, por ama, rinumërimi i atyre 255 votave, vihet edhe më shumë në pikëpyetje tani që pasi Kolegji Zgjedhor urdhëroi numërimin e 500 votave të tjera, këto të fundit u shpërndanë në një raport 51-49, pra, ashtu siç statistikisht pritej. Ndërkohë që 255 votat e numëruara muajin e kaluar nuk mund të mbështeten nga asnjë rezultat real statistikor. Si ka mundësi që rinumërimi i 255 votave në Maj rezultoi në një shpërndarje statistikore kaq unike dhe kaq të pabesueshme? Edhe sikur të konsiderojmë totalin prej 755 votash të rinumëruara muajin e fundit si një grup të vetëm, atëherë shanset që njëri kandidat të marrë 429 vota, ose 57% është 1 në 40 000, rezultat që lehtësisht kontrollohet në faqen e internetit:http://stattrek.com/Tables/Binomial.aspx.
Në fund të fundit, nuk ka rëndësi nëse dikush mbështet Sali Berishën, Edi Ramën, Lulzim Bashën, Hysni Milloshin apo Nastradinin. Secili prej nesh, ose duhet të besojë që votuesit, vota e të cilëve u konsiderua e pavlefshme në Maj, kishin dy herë më shumë shance për të mbështetur Lulzim Bashën në raport më votuesit, vota e të cilëve u rinumërua në Qershor, apo edhe me gjithë votuesit në total ku shpërndarja e votave ishte thuajse e barabartë. Ose, shpjegimi tjetër është që 255 votat e rinumëruara në Maj u manipuluan. Njerëzit janë të lirë të besojnë atë që duan të besojnë, por imagjinoni për një çast të shihni një mace që ngjitet vetë deri në tarracën e Hotel Tirana. Ju do të nisnit të mendonit qindra shpjegime në dukje të pabesueshëm për të shpjeguar këtë dukuri, që ka pak gjasa të ndodhë. Por në fund, do t’ju duhet të besoni të paktën njërin prej këtyre 100 shpjegimeve duke qenë se është fakt tashmë që macja ndodhet atje lart. Në mënyrë të ngjashme mund të arsyetojmë në lidhje me rinumërimin e 255 votave të kontestuara në muajin Maj. Patjetër që ka një shpjegim për këtë dukuri dhe manipulimi i rezultatit është një shpjegim i besueshëm i kësaj dukurie – të paktën po aq i besueshëm sa argumenti që ata votues kishin dy herë më shumë shanse për të mbështetur njërin kandidat. Duke pasur parasysh njohuritë tona në lidhje me analizat statistikore; me proçesin e votimit në Shqipëri; me rezultatin e zgjedhjeve në Tiranë para se të rinumërimit; me rezultatin e rinumërimit në këtë javë të Qershorit; dhe me rekordin e Shqipërisë për të mos mbajtur kurrë zgjedhje që plotësojnë standardet ndërkombëtare, atëherë legjitimiteti i votave të rinumëruara në Maj është i dyshimtë në rastin më të mirë dhe i korruptuar e i pandershëm në rastin më të keq.
Pavarësisht se cili shpallet fitues i zgjedhjeve bashkiake në Tiranë, asnjëri prej tyre nuk do të ketë besueshmërinë dhe autoritetin për të qeverisur, duke pasur parasysh rezultatin e ngushtë, kontestimet e shumta në proçesin e rinumërimit dhe tensionin e lartë politik që vetëm është përshkallëzuar në muajt e fundit. E vetmja zgjidhje praktike, në rastin kur nuk ka një fitues të dukshëm e legjitim, është që të mos shpallet asnjë fitues dhe që të zhvillohen zgjedhje të veçanta në Shtator me mbështetjen e Presidentit të Republikës dhe Komunitetit Ndërkombëtar. Nëse shqiptarët do të mundin që (më në fund) t’i tregojnë botës se ata mund të zhvillojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme, atëherë ndoshta fituesi i këtyre zgjedhjeve mund të qeverisë me efektivitet qytetin e Tiranës, duke zbutur kësisoj edhe tensionin politik. Përndryshe, ky bllokim do të vazhdojë duke qenë se rezultati i zgjedhjeve të 8 Majit, kurrsesi nuk mund të jetë i besueshëm, si brenda, ashtu edhe jashtë Shqipërisë. Do të ishte një tregues force për drejtuesit e politikës shqiptare që të bien dakord në mbajtjen e zgjedhjeve të reja, në vend që t’i mëshojnë të njëjtës politikë konflikti. Njerëzit më karakter të dobët janë ata që e ndajnë çdo gjë si më thikë në bardhë e zi, në e drejtë apo e gabuar; në e mirë dhe e keqe. Nga ana tjetër, njerëzit më karakter të fortë janë të gatshëm për të bërë kompromise të mëdha dhe shohin mundësi në çdo hije të ngjyrës gri.
Nëse këto zgjedhje nuk do të zhvillohen sërish, shqiptarët brenda dhe jashtë Shqipërisë do të vazhdojnë të shohin me dyshim politikën shqiptare dhe institucionet e saj. Të paktën derisa të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme ne 2013 apo më herët akoma, asnjë gjë nuk do të ndryshojë, pavarësisht se cili do të jetë Kryebashkiak i Tiranës, President, apo Kryeministër. Pushtetarët nuk janë aq të rëndësishëm sa institucionet qeveritare dhe proçeset demokratike – njerëzit dhe politikanët shkojnë e vijnë, ndërsa institucionet jo. E vetmja mënyrë për të përmirësuar imazhin e keq të Shqipërisë në Perëndim, është që të gjithë drejtuesit politikë të marrin pjesë në parlament dhe në institucionet e tjera qeveritare në nivel qendror, ashtu si edhe në nivel lokal.
Së fundmi, disa mund të argumentojnë se edhe nëse nuk e përfshijmë rinumërimin e bërë në Maj të 255 votave të kontestuara, përsëri Lulzim Basha do të kishte në total një avantazh prej dy votash dhe do të bëhej kësisoj kryebashkiaku i ri i Tiranës. Edhe pse është e vërtetë, që në këtë mënyrë z. Basha do të fitonte me dy vota, përsëri procesi i numërimit të votave dhe mosmarrëveshjet e shumta të shkaktuara në muajt e fundit kanë hedhur një hije të fortë dyshimi mbi gjithë procesin, pavarësisht rezultatit apo preferencës së gjithsecilit.
A do të donit që fituesi në finalen e Kupës se Botës, të vendosej nga hedhja e një monedhe, pasi të kenë përfunduar 120 minutat e rregullta? Apo është ndoshta më mirë që ndeshja të luhet edhe njëherë?
** Qëndrimet janë personale të artikullshkruesit