English

PS: Nuk e njohim rezultatin, do kërkojmë pavlefshmëri të votimeve në Tiranë

Tiranë, 27 qershor 2011, NOA – Selia rozë ripërsëriti se nuk e njeh rezultatin e zgjedhjeve lokale në Tiranë ku KQZ shpalli fitues të garës për kryetar bashkie Lulzim Bashën me 93 vota më shumë se kandidati socialist Edi Rama.

Deputetja e Partisë Socialiste Eglantina Gjermeni deklaroi se Partia Socialiste posedon prova të krimit elektoral të kryer në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke përmendur si argument, fletët e votimit që udhëtuan kilometra të tëra për të hyrë në kutinë e një qendre tjetër, mospërputhjen e shifrave me votuesit, apo edhe kodet e ndryshuara të sigurisë.

“KQZ-ja e Ristanit shpalli një rezultat të bazuar mbi shkelje të ligjit dhe abuzimin. Zarfet e zhdukura, fletët e shtuara, fletët që kanë udhëtuar me kilometra nga një qendër në tjetrën janë prova të qarta për atë çfarë ka ndodhur”, tha deputetja e PS-së.

Ajo theksoi se Partia Socialiste do të ndjekë rrugën ligjore e bindur në drejtësinë e kauzës së saj, duke argumentuar se faktet për manipulime janë të pakundërshtueshme.

Gjermeni theksoi se PS do të kërkojë pavlefshmëri të votimeve të 8 majit në Tiranë, pasi u faktua cënimi i integritetit të kutive, dhe mospërputhja e votave me numrin e votuesve.

“Të gjitha këto janë prova të krimit elektoral që e kanë zhytur Shqipërinë në një krizë me pasoja të rënda për shqiptarët. Gjurmët e manipulimit i kanë parë shqiptarët e ndërkombëtarët, ndaj ne nuk e njohim këtë rezultat. Gjithçka tjetër është manipulim dhe përpjekje e Berishës për të fshehur disfatën elektorale në mbarë Shqipërinë,” përkufizoi deputetja socialiste.

mit/NOA

KOMENTE