English

Qendra e djathtë fitore plebishitare në Europë, Berisha: Angazhim për bashkëpunim me opozitën

Tiranë, 27 qershor 2011, NOA – Pas kthimit nga samiti i Partive Popullore Europiane shefi i mazhorancës qeverisëse Sali Berisha ripërsëriti premtimin e tij se qeveria do të vazhdojë reformat dhe se angazhohet të bashkëpunojë me opozitën për arritjen e dialogut politik në respekt të ligjeve.

Shefi i ekzekutivit deklaroi se vizita e tij në samitin e PPE-ve ishte një moment i shkëlqyer për t’i informuar deputetët europianë dhe pjesëmarrësit në samit për fitoren e Partisë Demokratike në zgjedhjet lokale të 8 majit.

“Ishte një moment i shkëlqyer për t’i informuar për zhvillimet, zgjedhjet në Shqipëri dhe rezultatet e tyre. Përgëzimet ishin të përzemërta. I premtova se qeveria do të vijojë reformat, dhe se është e angazhuar të bashkëpunojë me opozitën për të arritur dialogun si lajtmotiv për ecjen përpara”, theksoi kryeministri para deputetëve demokratë.

Shefi i ekzekutivit i informoi deputetët e tij për samitin e PPE-ve dhe festimin e 35-vjetorit të themelimit të lokomotivës së Europës si dhe 20-vjetorin e drejtimit të kësaj partie nga presidenti i saj Vilfrid Martens.

“Këto ishin tri ngjarjet e mëdha të javës që shkoi në Bruksel. Samiti u mblodh duke patur në tavolinë 17 kryeministra nga vende anëtare të BE-së, gjë e cila përbën një nga zhvillimet më të rëndësishme”, tha kryeministri.

Ai evidentoi fitoret e njëpasnjëshme të partive të qendrës së djathtë evropiane duke nënvizuar se “Faktikisht qytetarët e Europës në mënyrë plebishitare po mbështesin qendrën e djathtë me besimin më të madh se kjo platformë i jep përgjigjen më të shkëlqyer problemeve të tyre”.

“Në samit kryeministri i Portugalisë Koelho në fundin e fushatës kishte firmosur marrëveshjen me BE-në për të gjithë kuadrin e reformave për të nxjerrë Portugalinë nga kriza financiare, kryeministri i Finlandës edhe ai një arkitekt i përsosur mik i Shqipërisë. Por aty u raportuan fitore të tjera të shumta, si ajo e zgjedhjeve lokale në Spanjë, 10 përqind më shumë, duke përfshirë edhe Madridin ku fitoi Partia Popullore e Spanjës. Partia simotër fitoi zgjedhjet parlamentare në Qipro, në Moldavi. Pra nuk kishte moment më besimplotë që të mund të festohet 35-vjetori i PPE-ve sesa ky moment kur fitoret e PPE-ve ndjekin njëra tjetrën”, kujtoi lideri i demokratëve.

Ai përmendi këtu se personalitetit të shquar që udhëheq PPE-të, Vilfrid Martens iu kushtuan fjalimet më të bukura të kancelares gjermane Angela Mergel, Presidentit të KE-së Jose Manuel Barrosos, kryeministrit hungarez Viktor Orban.

“Një gjë ishte e përbashkët në këto fjalime, pa drejtimin e Martens, PPE-të nuk do të ishin këtu”, tha kryeministri Berisha.

Këtu Berisha shprehu mirënjohjen për kontributin e jashtëzakonshëm të presidentit të PPE-ve për zhvillimet në Shqipëri.

“Presidenti Vilfrid Martens dhe bashkëpunëtorët e tij kanë qenë mbështetësit tanë më të pakursyer, dhe unë i shpreha mirënjohjen për mbështetjen e tij të madhe ndaj PD-së”, u shpreh zoti Berisha.

Ai bëri me dije se këtu konsistonte edhe festa, kremtimi, i 35-vjetorit të PPE-ve. Kryeministri informoi se në samitin e PPE-ve temë qendrore ishte kriza ekonomike në zonën e euros, krizë e cila ka përmasa shumë të thella, dhe është shoqëruar me një papunësi në vlerat nga 20-43 përqind e thelluar nga kriza e borxhit në zonën e Euros.

“U bë një analizë e thellë e situatës për të bërë çdo ndërhyrje për të ndihmuar tre vendet më të prekura, Greqinë, Portugalinë dhe Irlandën”.

Ai theksoi se jetike dhe vendimtare nuk janë paketat e ndihmës që ofrohen, porse “falimentimi do jetë i pashmangshëm nëse nuk ndërmerren reformat më të thella, privatizimet më të plota, reduktimi i shpenzimeve”.

“Kriza është jashtëzakonisht e thellë, përtej nga sa imagjinohet. U shpreh vlerësimi për seriozitetin me të cilin qeveritë e këtyre vendeve kanë marrë për reformat, paketa që synojnë parandalimin e falimentimit, rigjenerimin e të ardhurave, që do të mundësojnë që këto vende të dalin nga spiralja e krizës”, tha kryeministri Berisha duke shtuar se këto borxhe janë të tëra borxhe ndaj bankave.

mit/NOA

KOMENTE
  • Alban Memushi14:17 - 27 Qershor 2011
    Ha ha ha foli berisha ole, ole!?.