Tiranë, 27 qershor 2011, NOA - Europa do të pasurohej me kapitalin historik dhe human të Shqipërisë. Kështu u shpreh sekretari i shtetit të Selisë së Shenjtë, arqipeshkvi Dominique Mamberti në takimin me Kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli.
“Aspirata e integrimit të Shqipërisë në Europë është një aspiratë legjitime”, theksoi sekretari i Vatikanit.
Arqipeshkvi Mamberti tha se “është kënaqësi që në 20 vjet kemi ndërtuar marrëdhënie shumë të forta e intensive dhe tashmë mund të shohim frytet e këtij bashkëpunimi”. Kryetarja e Kuvendit e cilësoi vizitën e tij si një tregues të nivelit shumë të mirë dhe të konsoliduar të bashkëpunimit me Selinë e Shenjtë, që këtë vit shënon plot 20 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike.
“Kjo vizitë, është një dëshmi e rëndësisë që ka për dy shtetet tona bashkëpunimi i ngushtë, njerëzor dhe institucional. Është një inkurajim për shqiptarët e të gjitha besimeve në ruajtjen dhe pasurimin e mëtejshëm të traditës së marrëdhënieve të shkëlqyera ndërfetare në vend”, nënvizoi zonja Topalli.
Kryeparlamentarja e vlerësoi si moment me rëndësi për vendin dhe me vlera e domethënie të jashtëzakonshme personale, takimin me Papa Benediktin XVI në maj të këtij viti, në ceremoninë e shenjtërimit të Papës Gjon Pali II.
Kryetarja e Kuvendit dhe Sekretari i shtetit të Selisë së Shenjtë biseduan mbi vlerën unike të shqiptarëve, bashkëjetesën fetare.
Për zonjën Topalli kjo vlerë e rrallë është dëshmi e një vizioni perëndimor të shqiptarëve, një mesazh që duhet përcjellë kudo në botë.
Promovimi i këtij aseti si vlerë e jashtëzakonshme e shqiptarëve u pohua edhe nga arqipeshkvi Mamberti.
Në takim, Kryetarja e Kuvendit kërkoi mbështetjen e Vatikanit për njohjen e pavarësisë së Kosovës, në shërbim të paqes dhe stabilitetit rajonal.
mit/NOA