Pasi që aq shumë jam gëzuar, më duket se ka ardhur koha pak për të pushuar. Sepse, nuk po zhgënjehem shumë me disa miq ndërkombëtarë por me disa miq kosovarë. Intelektualë me tituj alamet, por pa kurriz, fytyrë dhe dinjitet. Politikisht të profilizuar, kombëtarisht dhe moralisht të degjeneruar. Prandaj, më duhet të shkruaj për këta minj të nëntokës dhe llaskucë të mbitokës
Nga Behxhet Sh. Shala
“Bisedimet”, qëndrimet dhe kalkulimet: A do të ndahet Mitrovica dhe a do të bashkohet me Serbinë së bashku me komunat e tjera me shumicë serbe në Kosovë, të decentralizuara, të padecentralizuara dhe ato që do të decentralizohen ? A do të bashkohet Lugina e Preshevës me Kosovën, si çmim për “heqjen “dorë nga Mitrovica dhe territori i Kosovës që administrohet nga Serbia dhe Lamberto Zanier? A do të ndahet Sanxhaku nga Serbia dhe a do të bëhet Serbia Pashallëku i Beogradit ? A do të bëhet Serbia e Vogël dhe Shqipëria e Madhe ? Çka do të bëhet me Maqedoninë dhe a do të rrëzohet nga kali Leka i Madh, në qendër të Shkupit? Ulqini dhe Tivari, Hoti dhe Gruda a do të mbesin në Mal të Zi apo do të bashkëjetojnë me Tiranën? Mos është çasti që Çamëria të bashkohet me Shqipërinë në kohën kur Sali Berisha dhe Edvin Rama po e luajnë “lojën e korbave “duke bërë përpjekje t’i nxjerrin sytë njëri – tjetrit ? A do të na mpihen dhëmbët “te molla e kuqe “duke hëngër dardha kakiqke dhe duke mbledhur “qershi të pëshurrta “? Këto janë vetëm disa persiatje të analistëve politikë në Prishtinë, Tiranë, Shkup etj., si dhe disa politikanëve të lahutës dhe çiftelisë që po mrizojnë për vite të tëra duke ridizejnuar gjeografinë, përkatësisht duke i rivizatuar kufijtë kombëtarë dhe shtetërorë si dhe duke kërcënuar se do të prodhojnë dridhje katastrofale për sigurinë globale. Me një fjalë, duan ta ndryshojnë raportin gjeostrategjik dhe balansin e mbindërtuar nga superfuqitë botërore. Në kalkulimet e tyre nuk kanë lënë vend për dilema fare; nëse rrezikohet veriu atëherë e morëm Luginën e Preshevës. Nëse rrezikohet integriteti territorial i Kosovës në shkallë të gjerë (nuk po e them Republikës sepse mund të hidhërohen Edita Tahiri dhe Borkoja) atëherë e pati puna e Maqedonisë, Malit të Zi, Greqisë (së falimentuar edhe ashtu) dhe madje do të rrezikohet edhe Tanzania së bashku me shtetet ku po bën biznes me para të buxhetit të Kosovës, zëvendëskryeministri i parë i Kosovës i ngarkuar për “Lobim”dhe thithjen e investimeve (personale krejt), Behgjet Pacolli, varianti kosovar i Ostap Benderit dhe trashigimtar i denjë i fronit të Baronit Minhauzen (nuk është në raporte familjare me Baroneshën Katerine Ashton). Qendrat e vendimmarrjes ndërkombëtare i kanë marrë shumë seriozisht analizat e analistëve kosovarë dhe shqiptarë si dhe kërcënimet e politikanëve për destabilizim të situatës në planin global andaj po nguten të na sigurojnë se nuk ka ndarje të Kosovës dhe as lëvizje të kufijve. Këtë e tha edhe miku i madh i Kosovës nga Amerika, z. Filip Gordon i cili tha se kufijtë mbesin aty ku janë por se duhet të zbatohet një mënyrë tjetër për integrimin e veriut dhe komunave tjera që janë rebeluar ndaj institucioneve të Kosovës. E që nënkupton krijimin e Shteteve të Bashkuara të Kosovës (entitetetet politike dhe etnike të serbëve dhe shqiptarëve, federalizimin e Kosovës) si kusht që pastaj të pranohen dhe integrohen në BE. Ky ka qenë parashikimi im fillestar nga i cili nuk kam hequr dorë kurrë andaj nuk kam pasur frikë se do të ndahet Kosova duke lëvizur kufijtë. Në fakt, deri më tani kufijtë kanë lëvizur vetëm në dëm të Kosovës përmes demarkacionit të tyre (ishte rasti me Maqedoninë, së shpejti do të përsëritet me Malin e Zi, Serbia po i vizaton ata ku po donë ndërsa Shqipëria nuk ndonjë interes për lëvizjen e kufijve në “dëm”të Kosovës dhe në dobi të saj). Duket se Kosova do t’i ruaj kufijtë vetëm me Slloveninë dhe Kroacinë sepse nuk kufizohet me to.
Irredentizmi “shqiptar “nën flamurin e Serbisë: E pranoj se jam përkrahës i madh dhe i pakompromis i bashkimit kombëtar e që nënkupton bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Më duket se nuk ka asgjë më normale në këtë botë se realizimi i kësaj dëshire dhe për mua nuk është me rëndësi se si bëhet ky bashkim por se duhet të bëhet. Krizat e mëdha prodhojnë ndamje të mëdha dhe të dhimbshme. E kemi pasur Gjermaninë, Vietnamin, Korenë, Tajvanin dhe shumë shtete tjera në botë. Disa janë bashkuar, të tjerat do të bashkohen patjetër. Bashkimi i dhunshëm gjithmonë përcillet me ndamje të dhunshme (ish Bashkimi Sovjetik, ish Jugosllavia etj.) ndërsa ndamja e dhunshme në të shumtën e rasteve përfundon me bashkim paqësorë. Shpresoj se kështu do të ndodhë edhe me Kosovën. Për këtë arsye i kam përkrahur edhe rilindasit shqiptarë, Adem Demaçin, Metush Krasniqin, Ukshin Hotin dhe Albin Kurtin. Vëllezërit Kuzhnini, Hazir Shalën dhe Jakup Krasniqin nuk i kam përkrahë se donin t’i bashkonin “trojet shqiptare “deri në Mongoli. Më duhet të bëhem i sinqert dhe ta pranoj se tash të lartpërmendurit nuk po i përkrah sepse e kanë humbur kondicionin në maratonën e quajtur bashkimi kombëtar. Tash, në skenën politike kanë dalur do lojtarë tjerë që po angazhohen për bashkim kombëtar. Boris Tadiq dhe Ivica Daqiq. Po del se Ivica Daqiqi qenka irredentisti më i madh shqiptar. Është një fat i madh për Ivicën që kanë vdekur Mehmet Maliqi, Ali Shukria, Kolë Shiroka dhe Fadil Hoxha. Sepse, po të ishin gjallë këta, ky do të dënohej nja 20 vite burg dhe nëse nuk do ta ndërronte qëndrimin do të ishte shumë afër t’i bënte konkurrencë Adem Demaçit për kohëzgjatje vuajtjeje në burgje për irredentizëm dhe separatizëm. Diferencimin do t’i bënte Azemi pa asnjë problem ndërsa akomodimi do të bëhej sipas parimit: “bira e miut, 300 groshë”.
“Vijat e kuqe”dhe faqja e zezë: Ekipi “negociator “i Kosovës është shumë i fortë dhe i vendosur për ta zbatuar në vepra nismën e Baroneshës Ashton dhe “lehtësuesit “(nja 100 kg.i rëndë), Robert Kuper. I ka caktuar vijat e kuqe që nënkuptojnë se mund të bisedohet për statusin e Mitrovicës së Veriut por në asnjë rrethanë e nën asnjë kusht nuk do të pranohet të bisedohet për statusin e Koresë Veriore. Se do të lejohet që Telekomi i Serbisë të jetë funksional në enklavat serbe në Kosovë por se me asnjë kusht nuk do të lejohet që Telekomi i Brazilit të jetë i pranishëm në enklavat në Kosovë. Mund dhe do të lejohet që Elektroprivreda Serbije të ofrojë shërbime dhe të faturojë shpenzimet e rrymës për serbët dhe shqiptarët në enklava mirëpo kjo nuk do t’i lejohet Korporatës Energjetike të Kosovës. Në tregti me Republikën e Kongos, mallin nga ky shtet do ta doganojmë me vulat e Doganës së Republikës së Kosovës ndërsa me Serbinë do të jenë vulat me mbishkrimin Doganat e Kosovës, Republika Serbija, Autonomna Pokrajina Kosova i Metohije. Për këtë nuk do ta përdorim modelin GYMNIK por modelin SHTERPCE sepse është treguar funksional dhe i qëndrueshëm edhe 12 vite pas përfundimit të luftës. Me Serbinë mike nuk ka nevojë ta luajmë shtetin aq më parë që kufijtë i kemi administrativ e jo shtetërorë. Pastaj, pse kemi nevojë ta bëjmë problem çështjen e targave të automjeteve. Po Kosova është shtet multietnik ku diversitetet janë cilësi që na bashkojnë dhe jo që na ndajnë. Edhe ashtu kemi tabela: KM, UR, PR, 000KS001, AB02LK, 01PDH02KR etj.etj.etj. Mos e bëni të madhe këtë punë, për hir të multietnicitetit dhe marrëdhënieve të mira midis fqinjëve. Çka na duhen librat për regjistra civilë origjinalë në kohën kur shumicën e titujve akademikë dhe shkencorë i kemi të fotokopjuara (vjedhura) nga autorët e vërtetë. Kjo vlenë edhe për regjistrat kadastralë. Pastaj, edhe pasaporta është e tepërt kur udhëtojmë për Serbi. Ata që i kanë shërbyer Serbisë dhe i shërbejnë ende janë të pajisur me pasaporta biometrike dhe pasaporta zyrtare, diplomatike etj. Ne të tjerët në kufi pajisemi me pasaporta të formatit A4. Në kufij administrativ nuk tregohet pasaporta por letërnjoftimi ose thjesht thuhet:”dobar dan junaci “(mirë dita trima). Mund të rikthehen edhe pasaportat e UNMIK-ut të vitit 1999. Atëherë të lëshohej një dokument udhëtimi në një letër të thjeshtë të formatit A 4 dhe në atë fletë udhëtimi vendosej viza. Mbaj në mend se këso “pasaporta “u lëshoheshin kafshëve në kohën e ish Jugosllavisë. Në vitin 1999 Administrata e atëhershme ndërkombëtare më pati lëshuar një “pasaport “dhe me atë fletë udhëtimi u pajisa me vizë në ambasadën e Danimarkës në Shkup. Nga ky udhëtim përfitova dy të mira. 1. E vizitova vendin e Hamletit, Danimarkën. Dhe 2.e bëra për të qeshur nja 15 minuta një polic danez në sportelin ku kontrolloheshin pasaportat. Sepse, me të parë “pasaportën”time, polici danez dridhej duke qeshur. Fati që isha i fundit në radhë prandaj edhe i doli kohë për argëtim këtij polici. Po e shihni që kemi një ekip të vendosur negociator andaj e shoh të tepërt insistimin e kryeparlamentarit Jakup Krasniqi që amazona në krye të këtij ekipi, znj. Edita Tahiri, t’i raportojë Jakupit dhe Kuvendit të Kosovës. Jakup Krasniqi duhet ta ketë të qartë se Edita Tahiri nuk ka shkuar në Bruksel për piknik por se të gjitha këto sakrifica po i bënë për Kosovën dhe qytetarët e saj. Për këtë arsye nuk pajtohem për herë të dytë me Jakupin. Në fund të fundit Edita nuk ka se çfarë t’i tregojë Jakupit sepse as ajo nuk ka lidhje se çka do të bisedohet dhe kur do të bisedohet. Pastaj, as shefi i saj Hashim Thaçi, për Zotin e Madh nuk e di se ku do të ndalet “një tren për Perzeren “në të cilin nuk kanë hypur me vullnet por i kanë hypur miqtë ndërkombëtarë. Mund edhe ta kem gabim sepse jemi duke jetuar në kohën e “demokracisë”, Dellokracisë dhe Fejtokracisë.
Arsyet për hidhërim dhe gëzim: Po gëzohem shumë që parimi i vetvendosjes po gjen zbatim në “VETËVENDOSJE. “duke e zgjedhur Alin Kurtin kryetar të saj në votime shumë demokratike. Pa kundërkandidat. Po gëzohem shumë që Ban ki Muni e fitoi edhe një mandat si Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së. Për netë të tëra nuk kam vënë gjumë në sy nga meraku se ç’do të bëhet me Banin. Nuk e kisha problemin te Bani por te Tadiqi, Jeremiqi dhe Slobodani. Më vjen gjithashtu mirë që u rehatua edhe don Lamberto Zanier. së paku tash vendin e punës do ta ketë më afër. I gjori, jetonte me familje në Zagreb dhe nga atje detyrohej ta udhëheq misionin e UNMIK –ut në Mitrovicën e Veriut. Tash, si boss i ardhshëm i OSB –së vendin e punës e ka më afër. Në Vjenë. Edhe “gjinekologu “i EULESH-it, Johanes Versvijk po largohet nga Kosova pa peshkuar “peshqit e mëdhenj “. Pa e zënë madje as një peshk a zhabë. Haram i qoftë buka e Kosovës, uji i Kosovës dhe ajri i Kosovës. E ka bërë punën “lesh “dhe tash po ikën me bisht ndër shalë. Edhe “peshku “i madh i Brukselit, Piter Fejt i shpëtoi sharrës së Ksavier Bu de Marnakut. Arsye shtesë për t’u gëzuar. Pasi që aq shumë jam gëzuar, më duket se ka ardhur koha pak për të pushuar. Sepse, nuk po zhgënjehem shumë me disa miq ndërkombëtarë por me disa miq kosovarë. Intelektualë me tituj alamet, por pa kurriz, fytyrë dhe dinjitet. Politikisht të profilizuar, kombëtarisht dhe moralisht të degjeneruar. Prandaj, më duhet të shkruaj për këta minj të nëntokës dhe llaskucë të mbitokës.
* Qenderimet janë personale të autorit