English

Suksesi i reformave, Berisha: Në kulm të krizës në eurozonë ulëm papunësinë

Tiranë, 27 qershor 2011, NOA – Në kulm të krizës më të madhe financiare në Europë Shqipëria shënon një nga arritjet më historike, suksesin e reformave ekonomike që çuan në rënien e papunësisë.

Deklarata është bërë sot nga kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e përjavshme të grupit kuvendor demokrat.

Pas kthimit nga Brukseli ku mori pjesë në samitin e PPE-ve i kushtuar krizës financiare në eurozonë, shefi i ekzekutivit deklaroi para deputetëve demokratë se “Dua të theksoj se një nga arritjet më historike të këtij vendi është suksesi i reformave ekonomike, që bëri që sot Shqipëria të ketë rënie të papunësisë dhe kjo është reale, duke na bërë ndoshta ndër më të paktat vende në botë”.

Kryeministri Berisha shprehu vendosmërinë për vazhdimin e reformave në ekonomi duke premtuar se do të vijojë rritja e pagave dhe pensioneve.

“Këto reforma bënë që Shqipëria të vazhdojë projektet e saj reformuese, të vijojë rritjen e pandarë të rrogave dhe pensioneve, ndërkohë që këto vende i kanë ulur. Të mendosh që në kohën e krizës më të madhe europiane u dyfishuan rrogat mesatare të popullsisë të duket e paimagjinueshme, por ky është realitet”, tha kryeministri.

Zoti Berisha rikujtoi këtu se pavarësisht baltës së hedhur nga opozita për këtë reformë Shqipëria e ka arritjen e vet ekonomike falë reformave dhe djersës së qytetarëve.

Këtu shefi i qeverisë saktësoi se merita më e madhe e reformave në ekonomi është se Shqipëria e ka administratën publike dy herë më të vogël se çdo vend i rajonit, madje edhe katër herë.

“Ky është një premtim i artë që ne po e mbajmë”, ripërsëriti kryeministri, duke theksuar se reformat në ekonominë shqiptare përbëjnë një model suksesi.

“U angazhuam për privatizimin më të thellë, dhe privatizuam korporata. Faktikisht ne jo vetëm që nuk pësuam rënien e ardhurave pas uljes së taksave, por ne dyfishuam të ardhurat për katër vjet, kur asnjë vend tjetër nuk regjistron rritje të të ardhurave. Ndaj modeli ynë në ekonomi ka qenë model suksesi”, nënvizoi zoti Berisha.

Ai përmendi këtu se “investimet në infrastrukturë shënuan rritje, investimet private janë shumëfishuar në kohën më të vështirë, ku vetëm në Tiranë dhe Durrës janë rregjistruar mbi 400 milioon euro në investime”.

Sipas tij në pesë muajt e parë të këtij viti janë regjistruar 20 kompani të reja fasone kundrejt vetëm 5-10 që janë regjistruar më parë.

Kjo për shkak se kompanitë fasone janë më të fuqishmet në punësimin masiv.

Kryeministri e argumentoi këtë rritje të sipërmarrjeve fasone si një sukses që rezultoi pas heqjes së taksave. Vijon...

mit/NOA

KOMENTE