Shkodër, 28 qershor 2011, NOA – Një aksident i rëndë në orët e natës i ka marrë jetën 38-vjeçarit nga Bërdica e Mesme, Ylli Pashuku.
Aksidenti u regjistrua në aksin rrugor Shkodër-Velipojë.
38-vjeçari, baba i katër fëmijëve ishte duke udhëtuar me motoçikletën e tij në segmentin rrugor nga Velipoja në drejtim të fshatit Bërdicë e Mesme.
Ai ka humbur kontrollin e motoçikletës në hyrje të fshatit Trush dhe është përplasur me një bordurë të rrugës duke gjetur vdekjen e menjëhershme.
Uniformat blu të policisë rrugore të Shkodrës kanë shkuar në vendngjarje dhe po hetojnë shkaqet e aksidentit.
Sipas ekspertëve shkak i aksidentit me pasojë vdekjen është bërë shpejtësia e madhe tej normave të lejuara, me të cilën po udhëtonte viktima.
Aksidenti është ndihmuar edhe nga rruga tejet e amortizuar, e sipas policisë rrugore dyshohet se viktima ka devijuar rrugën për të shmangur ndonjë kafshë në rrugë, duke përfunduar më pas i përplasur për vdekje me bordurën.
Gjatë sezonit turistik të verës rruga Shkodër-Velipojë kthehet në aksin më të rrezikshëm në qarkun e Shkodrës, duke regjistruar numrin më të madh të aksidenteve.
Shkak për aksidentet bëhen rritja e qarkullimit të automjeteve dhe kafshëve në rrugë, mungesa e sinjalistikës rrugore, ndriçimit dhe amortizmi i rrugës në disa pika kyç.
mit/NOA