English

DASH: Shqipëria vendburim i trafikimit të qenieve njerëzore

Uashington, 28 qershor 2011, NOA – Shqipëria është vendburim për trafikimin e burrave, grave dhe fëmijëve që kërkojnë lëmoshë. Këtë e bëri publike mbrëmë raporti vjetor për trafikimin e qenieve njerëzore për vitin 2011, i Departamentit amerikan të Shtetit, ku përfshihen 180 vende.

Në kapitullin për Shqipërinë theksohet se “viktimat e trafikimit nga Shqipëria ndahen në dy grupe; ata që detyrohen të bëjnë punë të detyruar dhe shfrytëzim seksual brenda Shqipërisë, si dhe viktimat që detyrohen të shfrytëzohen seksualisht jashtë territorit shqiptar në vende si Greqia, Italia, Maqedonia, Kosova dhe në vendet e Evropës Perëndimore.

Raporti bën me dije se rreth gjysma e viktimave të raportuara për vitin 2010 ishin gra dhe vajza, viktima seksi nëpër hotele dhe banesa private në Tiranë, Durrës dhe Vlorë.

Më tej raporti flet për fëmijët duke saktësuar se ata shfrytëzohen kryesisht për të kërkuar lëmoshë dhe për punë të detyruar.

Raporti thekson se burrat shqiptarë, janë viktima të trafikut që shfrytëzohen për punë të detyruar bujqësore në Greqi, dhe vende të tjera fqinje.

DASH nënvizon se qeveria shqiptare nuk i plotëson të gjitha standardet minimale për eliminimin e trafikut, duke vërejtur se ajo po bën përpjekje të rëndësishme.

Sipas raportit gjatë vitit 2010 qeveria shqiptare ka marrë disa hapa konkrete për përmirësimin e strategjisë kundër trafikimit njerëzor në tërësi, ku bëhet me dije se Shqipëria i ka shtuar përpjekjet për zbatimin e ligjeve kundër trafikut në vitin 2010 dhe ka përmirësuar përpjekjet për identifikimin dhe mbrojtjen e viktimave.

Në pikën për korrupsionin, DASH vëren se korrupsioni në të gjitha nivelet dhe sektorët vazhdon të pengojë përpjekjet e qeverisë në luftën kundër trafikimit të njerëzve.

Duke u ndalur në korrupsionin në drejtësi, raporti preçizon se ai vazhdon të pengojë zbatimin në përgjithësi të ligjeve kundër trafikimit dhe përpjekjet për mbrojtjen e viktimave.

Raporti i DASH-it rekomandon që Shqipëria duhet të vazhdojë të përmirësojë zbatimin e Mekanizmit Kombëtar të Referimit, si dhe duhet të ndjekë penalisht punonjësit e zbatimit të ligjit që bashkëpunojnë në trafikimin e qenieve njerëzore, të hetojë dhe nxjerrë para drejtësisë autorët e trafikimit dhe të ndihmojë në funksionimin e strukturave kundër trafikut.

mit/NOA

KOMENTE